2013-03-10 15:08:41

Atë Federiko Lombardi: kuptimi i Konklavit, parë me syrin e fesë


Ndjehet gjithnjë më fort atmosfera e pritjes në Kishën, që lutet, në të Dielën e katërt të Kreshmëve, për zgjedhjen e Papës së ri. Mbi kuptimin e kësaj ngjarjeje, parë posaçërisht në perspektivë të fesë, të ndjekim një editorial të drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe të Radios sonë, atë Federiko Lombardi:
Kardinajtë vendosën me shumicë dërrmuese datën e Konklavit për të martën e ardhshme. Janë gati, pra, për të bërë hapin vendimtar të zgjedhjes së Papës së ri. Reflektimet e përbashkëta në Kongregacione, informacionet e shkëmbyera ndërmjet tyre, dialogët për të krijuar gjykime personale e për të njohur thellësisht përgjegjësinë vetjake lidhur me njerëzit më të përshtatshëm për detyrën e madhe, arritën tashmë në pjekurinë e tyre. Nga e martja, gjykimi do të bëhet edhe më impenjativ, sepse me votat e tyre, do të përballohet, në një farë mënyre, ‘masa’ e miratimit, që mund të arrihet për disa persona konkrete. E kështu do të shkohet përpara, deri tek zgjedhja.

Tejet prekëse, në se mendon përgjegjësinë, për vetë natyrën e saj, mbinjerëzore, që mund të peshojë mbi shpatullat e një njeriu! Nuk është fjala vetëm për ta qeverisur mirë një institucion të ndërlikuar, por shumë më tepër se kaq, për të drejtuar në udhën fetare, jetën shpirtërore e morale të bashkësisë më të madhe të besimtarëve, të përhapur në kontinente të ndryshme e të vëzhguar me vëmendje – me ndjet pozitiv, por shpesh edhe me ndjet negativ – nga një mori bashkëkohasish, në kërkim të kuptimit të jetës së tyre. Ungjilli duhet kumtuar përmes kohëve, për shëlbimin e të gjithëve, deri në kufijtë më të largët të tokës.
Prej këndej, Konklavi është ngjarje, domethënia e së cilës mund të kuptohet vërtet e mund të jetohet qetësisht, vetëm në perspektivën e fesë. Dy protagonistët e Konklaveve të mëparshme, na dhanë një dëshmi të thellë e të paharrueshme. Papa Vojtila kundronte Gjyqin e Mikelanxhelos në poemën e tij “Triptiku Romak”: “Të gjitha sendet janë lakuriq e të hapura, përpara syve të Zotit”; “Zoti shikon gjithçka”; “transparencë ngjarjesh, transparencë ndërgjegjesh”. “Ti që depërton në gjithçka - tregona!”. “E ai do ta tregojë me gisht”, atë që e ka për zemër.
Ndërsa Papa, që do të vinte pas Gjon Palit II, Jozef Ratcinger, komentonte “trashëgimin e çelësave që na la Pjetri”, duke theksuar se këto çelësa “duhen lënë në dorë të sigurtë”: e kjo është një përgjegjësi e pamatshme këto ditë.Tani Benedikti XVI, me dorëheqjen e tij të jashtëzakonshme, i çoi edhe një herë kardinajtë në pragun e Kapelës Sikstine, të cilin do ta kapërcejnë për të gjykuar, para historisë, cilat janë duart më të sigurta, për t’ua besuar çelësat e për t’u lutur, me të gjithë ne, por më heshturazi, më thellësisht e më vetëdijshëm se ne: “Shpirti i Zotit, ti që depërton gjithçka, tregona!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.