2013-03-08 15:52:32

Rite e terma për Konklavin dhe zgjedhjen e Papës së ri. Sot: ç’do të thotë Konklav?


Të ndalemi tek disa terma e rite të para, gjatë dhe pas Konklavit, si dhe tek disa kuriozitete, që lidhen me zgjedhjen e Papës së ri.
Siç dihet, në Vatikan vijojnë Kongregacionet, tashmë me praninë e të gjithë kardinajve me të drejtë zgjedhore e këshillimore e pritet të caktohet data e Konklavit. Diskutohet për veprimtarinë e Selisë së Shenjtë dhe të dikastereve të ndryshme, për lidhjet e tyre me episkopatet lokale të botës; për përtëritjen e Kishës në dritën e Koncilit II të Vatikanit, për gjendjen në Kishë dhe kërkesat e Ungjillëzimit të ri në botë, në situata të ndryshme kulturore. Pastaj edhe për dialogun ekumenik, ndërfetar, me kulturën e shkencën, për bioetikën, si dhe për bamirësinë dhe impenjimin e Kishës në ndihmë të të varfërve. Përmes diskutimeve, dëgjohet fjala e të pesë kontinenteve.
Gjatë ndërprerjeve të shkurtëra ndërmjet seancave, kardinajtë shkëmbejnë mendime, caktojnë takime ose të kërkojnë informacione të tjera plotësuese për problemet, që u interesojnë.
E ndërsa kardinajtë diskutojnë e bisedojnë për fatet e Kishës së Krishtit, ne po ndalemi tek disa terma e rite të para, gjatë e pas Konklavit, si dhe tek disa kuriozitete, që lidhen me zgjedhjen e Papës, këtë herë me ngjyrime jo të zakonshme, mbasi Papa i mëparshëm është tashmë Papë nderi. Fillojmë me shpjegimin e termit “Konklav”.

Termi Konklav vjen nga latinishtja cum-clave. Përdorej për të treguar një mjedis tejet të rezervuar të shtëpisë, e prandaj, të mbyllur me çelës. Në gjuhën e Kishës, sot përdoret për të treguar si vendin e mbyllur, ku bëhet zgjedhja e Papës, ashtu edhe kompleksin e kardinajve, që e zgjedhin. Në këtë kuptim, fjala duket se u përdor për herë të parë nga Papa Onori III, në vitin 1216. Historikisht, në planin praktik, Konklavet nisën pikërisht në rrethanat, që karakterizuan zgjedhjen e Onorit III.
Në Kushtetutën, me të cilën Aleksandri III, në vititn 1178, u njohu përfundimisht kardinajve të drejtën për të zgjedhur papën, duke u dhënë fund të gjitha pengesave të vërtetuara në rrugën shekullore të Kishës, qe vënë në dukje një nga pengesat më të mëdha: zgjatja e tepruar e Selisë vakante dhe e zgjedhjes së papës. Kjo pengesë u krijua në jetën e Kishës edhe për shkak të numrit të kufizuar të kardinajve. Kujtojmë se pas vdekjes së Aleksandrit III, Kolegji Kardinalor përbëhej prej dhjetë kardinajsh, numër, që më pas arriti deri në 20.
Gjatë gjithë shekullit XIII numri i kardinajve në Kolegjin Kardinalor, nuk e kaloi kurrë 30-tën.
Kështu periudhat e Selisë vakanate u zgjatën për muaj e muaj e, nganjëherë edhe për vite të tëra.
Sot në Kolegjin Kardinalor, që pritet të hyjë në Konklav, numërohen 115 kardinaj me të drejtë zgjedhore, me moshë mesatare 72 vjeç, më se gjysma, evropianë; 28 italianë, të tjerët, nga të pesë kontinentet. Mosha mesatare e përgjithshme: 71-72 vjeç.
Më i moshuari është kardinali gjerman Kasper, 80 vjeç; më i riu, kardinali Thottunkal, që do të mbushë 54 vjeç në qershorin e ardhshëm.
19 prej kardinajve janë rregulltarë.
Nga kardinajtë, që do të marrin pjesë në Konklav, 58 % janë zgjedhur nga Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.