Kalendari kishtar kremton sot më 8 mars kujtimin liturgjik e shën Gjonit të Zotit,
rregulltar, pajtorit qiellor të sëmurëve e të punonjësve të shëndetësisë. Rrugët e
shenjtërisë janë të pafundme, e këtë e dëshmon më së miri jeta tokësore e këtij shenjti
të jashtëzakonshëm. Huan Çiudad, i lindur në Montemoro-Novo të Spanjës, më 8 mars
1495, në moshën 8 vjeçare iku nga shtëpia e u ndal në Oropeza të Kastilies së Re.
Duke e parë fëmijën e panjohur, që bridhte i vetmuar, njerëzit filluan ta thërrisnin
Gjoni i Zotit. E ky emër i mbeti për gjithë jetën. Për të fituar bukën e gojës, nisi
të punonte si bujk e pastaj si bari. Më pas hyri në ushtrinë e Karlit V, në radhët
e së cilës luftoi për mbrojtjen e Vjenës së rrethuar nga Sulltan Sulejmani II. Si
mbaroi lufta, i shpenzoi të gjitha paratë që kishte fituar, duke bredhur nëpër Evropë
e deri në Afrikë, ku rifilloi të punonte si punëtor krahu. Provoi, në vijim, punë
të ndryshme, në vende të ndryshme, që nga shitësi shëtitës, tek libër shitësi, deri
ditën kur dëgjoi një predikim të të Lumit Gjonit të Avilës. Braktisi gjithçka, shiti
libra e dyqan e deri veshjet e këpucët e nisi të lypte nëpër rrugët e Granatës, duke
iu drejtuar kalimtarëve me fjalët, që u bënë emblema e një institucioni të ri të mirënjohur
në gjithë botën: "Fatebenefratelli" - "Bëni mirë vëllezër!". Por banorët e Granadës
menduan se e mira më e madhe që mund t'i bënin, ishte ta mbyllnin në çmendinë. Keqkuptim
providencial. Në çmendinë Gjoni kuptoi se metodat që përdoreshin për të mjekuar të
sëmurët mendorë ishin jo vetëm të gabuara, por edhe të denja për xhelatët. Kështu,
sapo u lirua nga ky ferr, me ndihmën e disa bamirësve, themeloi spitalin e vet. Ndonëse
nuk merrte fare vesh nga mjekësia, u tregua shumë më i aftë se mjekët në mjekimin
e sëmundjeve mendore, duke përdorur metodën psikoanalitike ose psikomatike, fare e
panjohur asokohe. Kjo metodë do të përdorej vetëm katër shekuj më vonë nga Frojdi
dhe nxënësit e tij. Mjekimi i shpirtit ishte parakushti për shërimin e korpit.
Gjoni i Zotit i mblodhi bashkëpunëtorët e tij në një familje të madhe rregulltare,
duke themeluar kështu, urdhrin e Vëllezërve të Spitaleve, që njihet më tepër si urdhri
"Fatebenefratelli"- "Bënimirë vëllezër". Veprimtaria e tij zgjat pak kohë, vetëm 12
vjet, sepse ndërroi jetë pikërisht atë ditë kur mbushte 55 vjeç, më 8 mars 1550. U
shpall shenjt më 1690. Papa Leoni XIII e deklaroi Pajtor të spitaleve e të atyre që
punojnë për t'i kthyer shëndetin të sëmurëve.