2013-03-07 15:44:17

Imzot Tomazi: pakicat fetare gjithnjë më të diskriminuara; feja, gjithnjë më e kufizuar në Perëndim.


Thellohet në botë, diskriminimi kundër pakicave fetare: këtë denoncoi dje imzot Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara të Gjenevës, me rastin e sesionit të 22-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, që vijon në qytetin helvetik, “Sot, për shkak të fesë ose të bindjeve personale, pohoi prelati, njerëzit që u përkassin pakicave fetare, shpërdorohen në mënyra nga më të ndryshmet, nga sulmet fizike, tek rrëmbimet; nga burgimet arbitrare, tek damkosja e personalitetit. Mbrojtja efikase e të drejtave të njeriut për njerëzit që u përkasin pakicave fetare, nënvizoi, mungon ose përballohet në mënyrë të papërshtatshme edhe në kuadrin e Kombeve të Bashkuara e të sistemeve ndërkombëtare. Por sot vetëdija për këtë problem të rëndë, po bëhet gjithnjë më e dukshme”.
Sipas imzot Tomazit, vetë Shtetet kanë shpesh herë gisht në këtë fenomen, përmes indiferencës ndaj disa prej qytetarëve të tyre, ose përmes vullnetit politik për t’i përjashtuar nga radhët e shoqërisë, për t’i shtypur e deri edhe për t’i zhdukur bashkësitë me identitet të ndryshëm nga ai i shumicës. Kështu përfaqësuesit e pakicave trajtohen si nënshtetas të klasës së dytë. Prej këndej, është themelore njohja juridike e pakicave, ashtu si edhe mbrojtja e të drejtave të çdo njeriu, detyrë e parësore e çdo shteti.
E pikërisht rolin e shtetit si garant i lirisë fetare analizoi, më pas, imzot Tomazi. Shteti laik, tha, nuk është asnjanës ndaj bashkësive fetare ekzistuese, as në demokracitë perëndimore, ku liberalizmi nuk çon aq në një shoqëri asnjanëse, sa në një shtet pa praninë publike të fesë. Në këto rrethana, prelati kujtoi se është e nevojshme të garantohet kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes, kur normat shoqërore sunduese janë në kundërshtim me bindjet morale të njeriut. “Ta errësosh rolin publik të fesë, përfundoi prelati, do të thotë të krijosh një shoqëri të padrejtë, sepse nuk e respekton natyrën e vërtetë të njeriut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.