2013-03-06 18:13:07

Tetë vjet audienca të përgjithshme me Benediktin XVI: Krishti, në qendër të jetës sonë.


Sot ishte e mërkura e parë pa audiencën e përgjithshme të Benediktit XVI, që nga fundi i papnisë së tij: takim kushtuar posaçërisht katekizmit. Të ndryshme, argumentet e trajtuara në 348 takimet e të mërkurave me besimtarët, më se 5 milionë, gjatë gati tetë vjetëve të kësaj papnie: nga cikli për apostujt dhe dëshmitarët e fesë, tek Viti kushtuar Shën Palit, për të kaluar tek katekizmi kushtuar lutjes e, së fundi, Vitit të Fesë. Në audiencën e tij të parë të përgjithshme, më 27 prill 2005, Papa Ratcinger shpjegoi pse e zgjodhi emrin Benedikt: në kujtim të Benediktit XVI, Papës së pajtimit para e gjatë Luftës I Botërore, por sidomos, të Shën Benediktit të Norçies, pajtor i papnisë së tij, pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, i cili i këshillonte murgjërit të mos i kundërvinin asgjë Krishtit:
“Në fillim të shërbimit tim si pasardhës i Shën Pjetrit, i lutem Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qendërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë tona”(27 prill 2005).
Në audiencat e mëpasme, Benedikti XVI plotësoi ciklin kushtuar Psalmeve, nisur nga Gjon Pali II, për të filluar, pastaj, në vitin 2006, një cikël të ri kushtuar lidhjes së Krishtit me Kishën, që vijon të pasqyrojë dritën e Zotit të vet, pavarësisht nga kufizimet dhe mëkatet e njerëzve:
“Është e papajtueshme me ndjetin e Krishtit një slogan, në modë disa vjet më parë: 'Krishti po, Kisha jo!'. Ky Jezus, i zgjedhur sipas dëshirës, është prodhim fantazie. Nuk mund ta kemi Jezusin, pa realitetin, që krijoi e në të cilin komunikon. E kjo prani e Tij në bashkësinë, ku Ai na dhurohet gjithnjë, është shkas i gëzimit tonë. Po, Krishti është me ne! Mbretëria e Zotit vjen!” (15 mars 2006).
Më 2007, pasi pati folur për Apostujt dhe dëshmitarët e parë të fesë, nisi ciklin e katekizmit kushtuar Etërve të shekujve të parë të krishterë, të Lindjes e të Perëndimit. Me Shën Klementin Romak, Papa tregoi sesi në shekujt e parë të krishterë sqarohet lidhja ndërmjet Shtetit e Kishës, ndërmjet Cesarit e Zotit. Autoritetet ligjore duhen respektuar, por…
“Cesari nuk është gjithçka; e Vërteta e Zotit ka të drejtë të dëgjohet nga Shteti” (7 mars 2007).
Duke folur për Shën Agostinin, një nga etërit e Kishës më të dashur për të, kujtoi se feja e arsyeja shkojnë krah për krah:
“Beso për të kuptuar” e “kupto për të besuar”: Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës… por edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin e për të besuar”(30 janar 2008).
Më 2008 nis 20 katekizma tejet të thella për figurën e Shën Palit, me rastin e Vitit kushtuar Apostullit të Popujve. I fuqishëm e i veçantë ai, që kujton Koncilin e Jeruzalemit dhe ballafaqimin ndërmjet Pjetrit e Palit në Antioki lidhur me përfundimin e detyrimit të rrethprerjes për besimtarët, ndeshje me tone të forta , por gjithnjë e prirë nga Shpirti i lirisë dhe i dashurisë së krishterë. Një leksion, pohoi Benedikti XVI, që duhet ta nxëmë edhe ne:
“Me karizmat e ndryshme, besuar Pjetrit e Palit, ta lemë të gjithë veten të udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt, duke u përpjekur të jetojmë në lirinë, që orientohet nga besimi në Krishtin dhe konkretizohet në shërbimin ndaj vëllezërve. Themelore është të jesh gjithnjë më shumë në përkim me Krishtin. Kështu njeriu mund të bëhet vërtetë i lirë e kështu mund ta shprehim thelbin kryesor të ligjit, që është dashuria për Hyjin e për të afërmin”(1 tetor 2008).
Më 2009, pas disa audiencave mbi Vitin meshtarak, mban një katekizëm mahnitës kushtuar katedraleve romanike e gotike të mesjetës:
“Të dashur vëllezër e motra, Zoti na ndihmoftë ta zbulojmë rrugën e bukurisë, si një nga shtigjet, ndoshta më tërheqëse e më mahnitëse, në përpjekjen për ta takuar e për ta dashur Hyjin”( 18 nëntor 2009).
Më 2010 mban një katekizëm tejet të bukur, kushtuar Shën Françeskut, që e përtrin Kishën jo duke e kundërshtuar Papën, por bashkë me Të:
“Varfanjaku i Asizit e kishte kuptuar se çdo karizëm e dhuruar nga Shpirti i Shenjtë duhet vënë në shërbim të Korpit Mistik, që është Kisha; prandaj veproi gjithnjë në bashkim të plotë me autoritetet kishtare. Në jetën e shenjtorëve nuk ka kontradikta ndërmjet karizmës profetike dhe karizmës së qeverisjes e, nëse krijohet ndonjë tension, ata dinë të presin me durim kohën e Shpirtit të Shenjtë” (27 janar 2010).
Gjithnjë më 2010 fillon një cikël katekizmi për gratë e krishtera, duke nënvizuar kontributin themelor të gjenisë femërore në historinë e Kishës. Më 2010 flet për lutjen, që na kujton se Zoti duhet vënë gjithnjë në krye të vendit. Të lutesh, pohon, nuk është diçka që mund ta bësh ose jo, është thelbësore për jetën. Por është Zoti vetë, Ai që na tërheq misteriozisht:
Njeriu ka në shpirt një etje të pashuar për pafundësinë, ka mall për amshimin, ka nevojë për bukuri, ka dëshirë për dashuri, ka uri për dritë e vërtetësi: e pikërisht këto ndjesi e shtyjnë drejt Absolutit: njeriu e ka në vetvete dëshirën për Zotin. E njeriu e di, në një farë mënyre, se mund t’i drejtohet Zotit, e di se mund të lutet”(11 maj 2011).
Rikujtoi, kështu, atë që thoshte Toma i Akuinit, i cili e quan lutjen: “Shprehje e dëshirës së njeriut për Zotin”.
Më 2012 nisi ciklin e fundit të katekizmave të tij, kushtuar Vitit të Fesë, duke uruar që të ndihmojë për të përtërirë entuziazmin e besimit në Jezusin:
“Nuk është fjala për takimin me një ide a me një plan jete, por me një Vetje të gjallë, që na shndërron thellësisht, duke na zbuluar identitetin tonë të vërtetë, si Bij të Zotit. Takimi me Jezusin i përtërin lidhjet tona njerëzore, duke i orientuar, ditë për ditë, drejt solidaritetit e vëllazërisë më të madhe, në logjikën e dashurisë. Është një shndërrim, që përshkon gjithë jetën tonë, gjithë qenien tonë: ndjenja, zemër, mendje, vullnet, korp, emocione, marrëdhënie njerëzore” (17 tetor 2012).
27 shkurtin e kaluar, audienca e fundit e përgjithshme e papnisë. Ja edhe fjalët e tij të mbrame:
“Të dashur miq! Zoti i priftë Kishës së Tij, e mbështetët gjithnjë edhe e sidomos, në çastet më të vështira. Nuk duhet ta humbasim kurrë këtë vizion të fesë, që është vizioni i vetëm i vërtetë i udhës së Kishës e të botës. Në zemrën tonë, në zemrën e secilit nga ju, qoftë gjithnjë siguria e gëzueshme se Zotin e kemi përkrah, nuk na braktis, është pranë e na mbështjell me dashurinë e tij. Faleminderit!” (27 shkurt 2013).









All the contents on this site are copyrighted ©.