2013-03-06 15:40:48

Kongregacioni IV. Atë Lombardi: asnjë nxitim për Konklavin, por përgatitje të përshtatshme.


Atë Federiko Lombardi, në takimin e sotëm me gazetarët, në Sallën vatikanase të Shtypit, foli, si zakonisht, për të rejat e ditës.Në orën 9.30, sot paradite, sqaroi, me lutjen e Orës së Mesme, nisi Kongregacioni i katërt i përgjithshëm.Të pranishëm, 153 kardinaj me të drejtë zgjedhore e këshillimore. Bënë betimin kardinali Lehmann, kardinali Naguib, kardinali Tong Hong e kardinali Wetter, që arritën dje, e sot ishin të pranishëm në takim. Prej tyre tre: kardinali Lehmann, kardinali Naguib e kardinali Tong Hong janë zgjedhës, ndërsa kardinali Wetter nuk është zgjedhës. Prej këndej kemi arritur në 113 zgjedhës. Sot paradite mungonin dy: kardinali Nycz i Varshavës, që pritet sot në Romë, dhe kardinali vietnamez, që pritet nesër. Kështu, në se gjithçka shkon sipas parashikimit, brenda ditës së nesërme, nuk e di në ç’orë të ditës, të gjithë zgjedhësit do të jenë në Romë .
Sot paradite, vijoi atë Lombardi, kardinali dekan, Anxhelo Sodano, uroi dy kardinaj, që kremtonin ditëlindjet: kardinalin Kasper, që dje mbushi 80 vjeç e prej këndej është dekan i zgjedhësve dhe kardinalin Coccopalmieri, që mbushi 75 vjeç. Nesër kardinali Terrazas do të mbushë 77 vjeç.
Pastaj, njoftoi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, filluan diskutimet: 18 sot paradite, nga të katër anët, ashtu si dhe më parë. Rendi i diskutimeve, sqaroi, ndjek rendin e kërkesës për të marrë fjalën, pra nuk zgjidhet sipas zonave gjeografike, sipas kompetencës ose arsyeve të tjera. Me 18 diskutimet e sotme, numri i kardinajve që e e morën fjalën gjatë këtyre ditëve, arrin në 51.
Një nga temat e mëdha, që u prek sot në Kongregacion, tha në vijim atë Lombardi, ishte ajo e Kishës në botën e sotme: kërkesat për ungjillëzimin e ri. Një tjetër, ajo e Selisë së Shenjtë, e dikastereve, e marrëdhënieve me episkopatet. Pastaj u fol edhe për profilin e Papës së ardhshëm e për drejtimin sa më të mirë të Kishës. Koha e diskutimeve zgjati mesatarisht pesë minuta, sepse lista e kërkesave për të folur ishte mjaft e gjatë.
Ashtu si dje, tha akoma atë Lombardi, nëse do të ketë diskutime nga ana e drejtuesve të dikastereve, që kanë të bëjnë, për shembull, me veprimtarinë e dikastereve të tyre, edhe këta do të radhiten sipas rendit të kërkesës për të marrë fjalën. Për nesër parashikohet një Kongregacion edhe pasdite, për të shpejtuar ritmin e punës së përbashkët.
Në këtë pikë, njëlloj si dje, për gazetarët e Sallës vatikanase të Shtypit u shfaq një filmim i Qendrës Televizve të Vatikanit. Pamjet e para ishin ato të Kapelës Paoline, me afresket mahnitëse të Mikelanxhelos e pikërisht afresku i Kthimit të Shën Palit dhe i kryqëzimit të Shën Pjetrit. Më pas, një pamje e Sallës Regia, salla e madhe që çon si në Kapelën Paoline, ashtu edhe në atë Sikstine e që, sqaroi atë Lombardi, përshkohen me procesion në hyrje të Konklavit.
Pamjet tjera tregonin punimet në vijim në Kapelën Sikstine: binte në sy montimi i pllakave të mëdha për mbulimin e dyshemesë, për të ruajtur dyshemenë e lashtë, artistike e, njëkohësisht, për të realizuar një dysheme më të lartë, të përkohshme, mbi të cilën do të vendosen karriget e tryezat e votuesve. Pamjet treguan edhe materialet e përdorura për këtë punë, ndërmjet të cilave, edhe disa pëlhura të përdorura për pajisjet e Sikstinës. Pamjet e fundit ishin ato të dy stufave të Sikstinës, njëra për tymitjet, tjera për djegien e skedave.







All the contents on this site are copyrighted ©.