Ditë zije në Venezuelë për vdekjen e presidentit Hugo Chavez. Të premten, funerali.
Pas një jave paqartësie për gjendjen shëndetësore, dje në orën 16.25 me orën vendase,
presidenti venezuelan Hugo Chavez, 58 vjeç, ndërroi jetë. Vendi është në zi e përgatitet
për funeralin, që do të mbahet të premten, në Karakas. Sipas presidentit ad interim,
Chavez është viktimë e një komploti. Kështu, presidenti e humbi betejën, duke e
lënë Venezuelën në një atmosferë të paqartë, shqetësuese. Si zakonisht, në të gjithë
vendin nisën manifestimet, për të shprehur dhimbjen popullore. Ministri i Mbrojtjes
njoftoi se forcat e armatosura janë në gatishmëri të plotë për të garantuar rendin
dhe mbrojtjen e kushtetutës. Zgjedhjet do të mbahen 30 ditë pas funeralit të Chaves,
vendin e të cilit besohet se do ta zërë Maduro, njeriu më i afërt i presidentit të
ndjerë e trashëgimtar i ideve të tij. Maduro akuzon opozitën e djathtë dhe imperializmin
amerikan si shkaktarë të problemeve ekonomike në vend e deri edhe për sëmundjen dhe
vdekjen e udhëheqësit, duke kujtuar edhe fundin e Arafatit. Sipas zëvendës presidentit,
që dha njoftimin lidhur me krijimin e një komisioni shkencëtarësh për ta shyrtuar
këtë hamendje, kanceri ka shumë mundësi t’i jetë injektuar presidentit, për ta destabilizuar
Venezuelën. “Absurditet” e quajti këtë akuzë departamenti i Shtetit amerikan, ndërsa
në Karakas dëboheshin dy specialistët ushtarakë amerikanë. Barak Obama dërgoi një
mesazh, përmes së cilit shpreh gatishmërinë për marrëdhënie konstruktive në këtë kapitull
të ri, që hapet në historinë e Venezuelës, ndërsa vijojnë të arrijnë telegrame ngushëllimi
nga e gjithë Amerika Latine e vende të tjera të botës. Funerali do mbahet të premten
e zija kombëtare do të vijojë për shtatë ditë. Mesazhi i fundit i presidentit përmes
twitter-it ishte: “Jam i rrethuar nga kujdesi i mjekëve dhe i infermiereve. Do të
jetojmë e do të fitojmë!”. Po situata nuk është aspak e qartë e opozita ka nisur
të lëvizë. Ndërsa Venezuela, në zi, përgatitet për funeralin e jashtëzakonshëm,
kardinali Jorge Urosa Savino, kryeipeshkëv i Karakasit, që ndodhet në Romë, për të
marrë pjesë në Konklav, do të kremtojë një Meshë solemne drite për presidentin e vdekur.
Vendi e data do të caktohen së shpejti. Sipas agjencisë Fides, kryeipeshkvi i Karakasit
i fton të gjithë venezuelanët, që dëshirojnë të marrin pjesë në kremtimin fetar, të
luten për pushimin e pasosur të presidentit Chavez. Kryeipeshkvi i dërgoi një
telegram ngushëllimi familjes së presidentit të vdekur dhe u kërkoi autoriteteve të
zbatojnë mekanizmat e parashikuara nga Kushtetuta, për të siguruar qetësinë në të
gjithë sektorët e shoqërisë dhe harmoninë në gjirin e popullit. Prelati i lartë bëri
thirrje posaçërisht për të shmangur çdo formë të dhunës. Por agjencia Fides njofton
edhe se çavistët nuk iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së tij. E tregon qëndrimi
ndaj gazetarëve, që ndiqnin ngjarjen pranë spitalit ushtarak, ku ndërroi jetë presidenti:
disa gazetarë të një grupi multimedial kolumbian u keqtrajtuan, u rrahën deri në gjakosje
e u kërcënuan, në një mjedis shqetësues, me krisma armësh zjarri e ulurima, që nuk
premtojnë asgjë të mirë.