2013-03-05 17:01:59

“L' Osservatore Romano”: e papërballueshme, lehtësia e parashikimeve rreth Papës së ri


“E papërballueshme lehtësia e parashikimeve”. Me këtë titull “l’Osservatore Romano”, e përditshme e Vatikanit, ironizon parashikimet për emrin e pasardhësit të Benediktit XVI, që nisën që më 11 shkurtin e kaluar, ditë në të cilën Papa dha dorëheqjen.
Gazeta e Selisë së Shenjtë vëren se parashikimi para konklavit është një gjini letrare sui generis, në të cilën shpesh, duke përjashtuar disa shkrime mendjendritura, shumë të rralla, interesimi për argumentin është në përpjestim të zhdrejtë me njohjen e temës, për të cilën flitet e shkruhet. Prej këndej, profecia për emrin e papës së ardhshëm shërben si pretekst për të thënë gjithçka e të kundërtën e gjithçkaje. “Duam një papë trendy! Një papë Amélie Puolain, që të mbartë kryqe rapper”- shkruhet në kanalin e “Le Monde”, thellësisht antiklerikal, ku lexohen edhe emra papësh krejt imagjinarë.
Vjen, pastaj, edhe parashikimi për zgjedhjen e emrit të Papës, për të cilin nisin e shkruajnë ‘specialistët botërorë’ të kësaj çështjeje, që arrijnë deri atje, sa të theksojnë se “ i vetmi akt i lirë e i paparashikueshëm i një pape, është zgjedhja e emrit”, gjë që u përgënjeshtrua bujshëm më 11 shkurtin e kaluar.
“Në të vërtetë ata të konklavit nuk dinë më shumë se ne”, i bie për shkurt një editorial, që duket në Blogun ‘Rorate Coeli’, duke përshkruar punën e rëndë të vatikanistit, në pritje të Konklavit.
“Gabimi perspektiv shumë i përhapur –shkruhet në ‘L’Osservatore Romano’ - është ai, që mund ta quajmë joshja e sloganeve, domethënë zakoni për të përsëritur fraza, pa u lodhur fare për të vërtetuar saktësinë e tyre historike. Më i njohuri: “Kush hyn papë, del kardinal”, për shembull, që vijon të përsëritet, ndonëse i përgenjeshtruar disa herë gjatë nëntëqindës. Kujtojmë se në vitin 1939 u zgjodh më i preferuari, Papa Paçelli; e po kështu më 1963, Giovanni Batista Montini; ndërsa më 1978, zgjedhja e Albino Luçianit qe parashikuar, ndërmjet tjerave, nga “Time”, “L’Esspresso” e “Le Monde”. Edhe i paparashikuari Karol Vojtila – emri i të cilit u duk për herë të parë si papë i mundshëm jo italian në revistën italiane “Panorama”, një vit para zgjedhjes - qe parashikuar më parë nga vatikanisti spanjoll Josè Descalzo, në të përjavshmen “Blanco y Negro”. Pra, koha e tradita vërtetojnë edhe të kundërtën e sloganit aq të përsëritur këto ditë: “Kush hyn kardinal, mund edhe të dalë Papë”.
Por diçka duhet shkruar... Duhet mbushur faqja e bardhë a ekrani i televizorit dhe i kompjuterit! E atëherë zënë të duken komente të rastësishme, personale, sipas dëshirave të njërit a të tjetrit, pëshkruar me fjalë, me shumë fjalë, por pa asnjë peshë.
Deri tani emrat e papëve të mundshëm, nga 23, kanë arritur në 47, kështu shumëkush mund t’u thotë nipave e mbesave: “E shikon, e kisha parashikuar!”, ndonëse më të përsëriturit mbeten një duzinë. E nuk mungojnë as gazetarët, që hartojnë lista personale, tejet të gjata, për të mundur pastaj të thonë me mburrje, si babëgjyshat: “E kisha parashikuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.