2013-03-05 12:49:23

Mbahet në Sallën e Sinodit Kongregacioni i tretë i kardinajve.


Në Sallën e Sinodit në Vatikan, u mbajt sot paradite Kongregacioni i tretë i kardinajve, në pritje të Konklavit, që do të zgjedhë papën e ri. Seria e Kongregacioneve apo Mbledhjeve u hap paraditen e djeshme e vijoi edhe pasdite, me meditimin e atë Raniero Kantalamesës, predikatar i Shtëpisë Papnore. Ishte i pari, nga dy meditimet e parashikuara prej Kushtetutës Apostolike.
Sipas njoftimit të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, u vendos që sot e nesër takimet të mbahen vetëm paradite.
Dje ishin të pranishëm 103 kardinaj me të drejtë zgjedhore, domethënë me moshë nën 80 vjeç. Mungonin 12-të, por katër të tjerë arritën në mbrëmje, dhe bënë menjëherë betimin. Janë: Patriku maronit libanez, Bechara Rai; kardinali i Këlnit, Meisser; kardinali i Berlinit, Woelki dhe kardinali i Dakarit, Sarr.
Ja edhe teksti i betimit:
“Ne, kardinajtë e Kishës Shenjte Katolike Romake, të Urdhërit të Ipeshkvijve, Presbiterëve e Diakonëve, premtojmë, zotohemi e betohemi, të gjithë e secili, t’i respektojmë saktësisht e besnikërisht të gjitha normat, që përmban Kushtetuta Apostolike Universi Dominici Gregis e Papës Gjon Pali II e ta ruajmë me përpikmëri sekretin mbi gjithça që ka lidhje me zgjedhjen e Papës së Romës, ose që, për vetë natyrën e vet, lidhet me Selinë vakante Apostolike dhe kërkon të njëjtin sekret”.
Secili kardinal, pasi shqipton emrin e mbiemrin, vijon me fjalët: “Premtoj, zotohem e betohem”. E, duke vënë dorën mbi Ungjill, shton: “Kështu! Më ndihmoftë Zoti e këta Ungjij të Shenjtë, që po i prek me dorën time”.
Këtë betim e bënë të gjithë kardinajtë, që arritën në Romë. Të tjerët janë për udhë. Plotësohet kështu, dalëngadalë, numri 115 i kardinajve zgjedhës, që do të hyjnë në Kapelën Sikstine, prej ku, nga gjiri i tyre, do të dalë papa i ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.