2013-03-05 12:49:35

18 ditët e fundit të Papnisë së Benediktit XVI


Nësa në Vatikan tashmë janë mbledhur pothuajse të gjithë kardinajtë e pritur e nisin hapat e para drejt një papnie të re, ne kthehemi mbrapa, për të përshkuar, me kujtime, 18 ditët e fundit të një papnie, që do të kujtohet gjatë në historinë e Kishës e të njerëzimit, sepse krejt e pazakontë, krejt e ndryshme edhe me atë të Papës Çelestini V.
18 ditë, që i bënë besimtarë e jo besimtarë, të mblidhen vazhdimisht në Sheshin e Shën Pjetrit, me sy ngulur te dritarja e studios së takimeve, e para ekraneve, për ta ndjekur me lot në sy, por jo pa shpresë, Benediktin XVI, deri në çastin e lamtumirës, kur porta e madhe e Kastel Gandolfos u mbyll, si të donte të kumtonte, me kapakët e vet të drunjtë, se po përfundonte një etapë e rëndësishme historike, po mbyllej libri i papnisë së Jozefit Ratcinger. Po porta e madhe, e drunjtë, do të hapet përsëri, për të nisur historinë e një papnie të re. E atëherë ne do të flasim gëzueshëm për një fillesë, për një Kishë, në të cilën çdo fund, sado i trishtuar, pasohet nga një nisje gazmore, plot premtime:

“Plena liberate declaro me ministerio Episcopi Romae, Successoris Sancti Petri…renuntiare …”
Benedikti XVI i njofton kardinajtë, mbledhur në Koncistor, për vendimin e tij: dorëheqjen nga ministeri papnor. Është dita e përkujtimit të Zojës Lurdë: pas pak, më 16 prill, në festën liturgjike të Shën Bernardetës, do të mbushë 86 vjeç. Forcat, që ligështohen, e pengojnë fort për ta vijuar si duhet ministerin. Ia beson Kishën Kryebariut të tij, Krishtit.
Ashtu si e gjithë papnia e Benediktit XVI, edhe 18 ditët e fundit e dëshmojnë qartë fenë e tij të thellë, të patundshme. Kujtojmë fjalët, që shqiptoi në audiencën e përgjithshme të 13 shkurtit:
Më ndihmon e më shndrit siguria se Kisha është e Krishtit, i Cili nuk do ta lërë kurrë pa drejtim e kujdes. Vijoni të luteni për mua, për Kishën, për Papën e ardhshëm. Zoti do të na prijë!”.
Në katekizëm kujton se nuk është pushteti i kësaj toke, ai që shëlbon, por pushteti i Kryqit, i përvujtërisë, i dashurisë. I fton të gjithë ta vënë Zotin në krye të vendit. Gjatë Meshës për të Mërkurën e Përhime, flet për nevojën e pendesës, vepër e mëshirës hyjnore, në një botë, që shpesh ka prirjen vetëm të dënojë:
“Në të vërtetë, edhe në ditët tona, shumë janë të gatshëm të “grisin petkat” përballë shkandujve e padrejtësive - natyrisht, të kryera nga të tjerët - por pak duken të gatshëm për të vepruar mbi ‘zemrën e tyre’, mbi ndërgjegjen e tyre e mbi ndjetet e tyre, duke e lënë veten në dorë të Zotit, që t’i shndërrojë, t’i përtërijë, t’i kthejë në rrugën e vet”.
I fton besimtarët të mos e përçudnojnë fytyrën e Kishës me përçarje, duke vënë mbi gjithçka vetveten e duke luftuar për t’i bërë nder vetes. Sa më pak ta kërkojmë lavdinë tonë, aq më e besueshme do të jetë dëshmia, pohon.
Më 14 shkurt takohet me meshtarët e Romës, të cilëve u flet lirisht, pa tekst, për 45 minuta. Argumenti: Koncili. Kujton shpresat për ardhjen e Rrëshajëve të reja të Kishës që, thekson, është realitet jetik, i cili hyn në shpirtin tonë:
“Ne jemi Kisha, Kisha nuk është strukturë; vetë ne të krishterët, së bashku, jemi të gjithë, korpi i gjallë i Kishës. E, natyrisht, kjo vlen në kuptimin se ne, besimtarët, së bashku me ‘Unin’ e Krishtit, jemi Kisha. Secili nga ne, jo ‘një ne’, një grup, që deklarohet Kishë. Jo: kjo ‘ne jemi Kisha’ kërkon pikërisht përfshirjen e besimtarit në bashkësinë e besimtarëve të të gjitha kohëve, të të gjitha vendeve”.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 17 shkurtit, nënvizon se kthimi në rrugën e Zotit kërkon një ndryshim të vërtetë, të thellë shpirtëror:
“Në çdo çast ndodhemi para një udhëkryqi: duam të ndjekim vetveten apo Zotin? Cila është e mira e njëmendtë: interesi vetjak apo e Mira e vërtetë?”.
Në përfundim të Ushtrimeve shpirtërore, më 23 shkurt, shpjegon se e vërteta është e bukur, sepse Zoti është bukuri. Por djalli nuk fle. Punon, e shumë madje, për ta njollosur këtë bukuri, që njerëzit të mos mund ta dallojnë e ta njohin Krijuesin: kështu Biri i Hyjit u kurorëzua me ferra, u mbërthye mbi kryq:
E pikërisht kështu, në këtë figurë të vuajtur të Birit të Hyjit, nisim të shikojmë bukurinë më të thellë të Krijuesit e Shpërblyesit tonë: mundemi, në heshtjen e errët të “natës së zezë”, ta dëgjojmë “Fjalën e Zotit”. Të besosh nuk është tjetër veçse, në errësirën e botës, të prekësh dorën e Zotit e kështu, në heshtje, të dëgjosh Fjalën, të shikosh Dashurinë”.
Më se 100 mijë vetë marrin pjesë në lutjen e fundme të Engjëllit të Tënzot, më 24 shkurt. Benedikti XVI shpjegon sërisht pse e ‘nisi ngjitjen mbi Malin e lutjes’:
Po kjo nuk do të thotë ta braktisësh Kishën, përkundrazi, nëse Zoti ma kërkon këtë, e bën që unë shërbej përsëri me të njëjtin përkushtim e të njëjtën dashuri, me të cilën u përpoqa t’i shërbej deri më sot, por në një mënyrë më të përshtatshme për moshën time, për forcat e mia”.
Në audiencën e fundme të përgjithshme, më 27 shkurt, para më se 150 mijë besimtarëve, Benedikti XVI kujton çastet më të gëzueshme të papnisë së Tij, por edhe çastet e stuhive, kur barka kërcënohej nga dallgët mal e Zoti dukej sikur flinte:
“Por e kam ditur gjithnjë se në këtë barkë ishte Zoti, ashtu si e kam ditur se barka e Kishës nuk është imja, nuk është jona, është e Tija. E Zoti nuk e le kurrë të fundoset!”.
Prandaj e desha Vitin e fesë, që ta përforcojë besimin tonë në Zotin, pohoi:
“Do të dëshiroja t’ju ftoj të gjithëve për ta përtërirë besimin e patundur në Zotin, për t’u lëshuar si fëmijë në krahët e Tij, të sigurtë se këta krahë na mbështesin përgjithmonë e na mbajnë në këmbë çdo ditë, edhe kur jemi të lodhur e të këputur nga udha e gjatë. Do të dëshiroja që secili ta ndjente sa e do ai Zot, që dhuroi të Birin për ne, duke na dëshmuar kështu, një dashuri pa cak. Do të desha që secili ta ndjente gëzimin, që buron nga feja e krishterë”.
Pastaj, edhe një herë, shpjegon pse hoqi dorë nga papnia:
“Ta duash Kishën, do të thotë edhe të marrësh guximin për të zgjedhur rrugë të vështira, që nuk zgjidhen lehtë, duke pasur gjithnjë parasysh të mirën e Kishës e jo të vetvetes. Nuk po zbres nga Kryqi, por po rri në një mënyrë të re pranë Zotit të kryqëzuar”.
Duke u takuar, pastaj, për herë të fundit me kardinajtë, nuk harron të thotë dhe një fjalë për Konklavin:
“Uroj që Zoti t’ju tregojë atë që do. E ndërmjet jush, në Kolegjin kardinalor, është edhe papa i ardhshëm, të cilit, që në këtë çast, i premtoj nderim e bindje të pakushtëzuar”.
Përqafimi i fundit, ai me besimtarët e Kastel Gandolfos: Benedikti XVI nuk është më Papa i Kishës katolike, por shtegtar i thjeshtë, që nis “etapën e parafundit” të shtegtimit të tij mbi tokë.Porta e madhe e Kështjellës mesjetare, që ka pritur e ka përcjellë 265 papë, u mbyll pas figurës së bardhë të Ipeshkvit të 266 të Romës. Së shpejti do të hapet përsëri. Por besimtarët, në festë, në sa do të duartrokasin papën e ri, nuk do ta harrojnë kurrë çastin, kur Benedikti XVI u mbërthye vullnetarisht, “në një mënyrë të re, pranë Zotit të kryqëzuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.