2013-03-04 13:13:07

Atë Lombardi: ajo e Benediktit XVI, një lamtumirë plot shpresë


Bashkësia kishtare vijon të lutet, në pritje të Konklavit, që do të zgjedhë Papën e ri. Benedikti XVI, tashmë “shtegtar i thjeshtë”, ia besoi Kishën Kryebariut të saj, Krishtit: Kisha është e tija, tha, e është Ai, që do të vijojë t’i prijë. Ndërkaq, në zemrat e besimtarëve do të mbeten të paharrueshme emocionet e këtyre ditëve, kaq të pazakonta. Të dëgjojmë editorialin e Atë Federiko Lombardit:

"Dy ditët e fundit të Papnisë së Benediktit XI do të mbeten, pa asnjë dyshim, të skalitura në kujtesën e miliona njerëzve e do të shënojnë një etapë të rëndësishme, të re, të pashembullt, në historinë e Kishës, gjithnjë shtegtare. Për disa, ishte gati-gati si zbulim i humanizmit dhe i përshpirtërisë së Papës, për të tjerët, vërtetim i jetës së tij të përvujtë, e njëkohësisht, tepër të lartë në fe.

Në se Papa Vojtila pati dhënë, me guxim të admirueshëm para syve të mbarë botës, dëshminë e tij të fesë në sëmundje e në vuajtje, Papa Ratcinger, me të njëjtin guxim, dha, përpara syve të Zotit, dëshminë e pranimi të kufizimeve të moshës së shtyrë dhe të gjykimit mbi ushtrimin e përgjegjësisë së besuar nga Hyji. Që të dy na mësuam, jo vetëm me magjsterin e tyre, por edhe, e ndoshta më shumë, me jetën e tyre, ç’do të thotë ta kërkosh e ta gjesh çdo ditë vullnetin e Zotit për ne e për shërbimin tonë, edhe në çastet më të vështira të jetës njerëzore.

Siç na e tha bindshëm ai vetë, dorëheqja e Papës nuk është, në asnjë mënyrë, braktisje. Papa nuk heq dorë nga misioni i besuar e, aq më pak, nga besimtarët. Vijon t’ia besojë Zotit Kishën e Tij, me shpresë të sigurtë se edhe Ai do të vijojë t’i prijë. Me përvujtëri e qetësi të plotë, Benedikti XVI pohoi se u përpoq të bëjë gjithçka ishte e mundur për t’i shërbyer sa më mirë Kishës, një Kishe, që nuk është e tija, por e Zotit e, përmes veprës së vazhdueshme të Shpirtit Shenjt, jeton, rritet e i rizgjon pambarimisht shpitrat njerëzore.
Në këtë kuptim, trashëgimia e Papës Benedikti XVI është sot ftesë për lutje e përgjegjësi, drejtuar të gjithëve. Sigurisht, në radhë të parë, kardinajve, të cilëve u përket detyra e zgjedhjes së Pasardhësit, por natyrisht edhe mbarë Kishës, që duhet ta shoqërojë me lutje, gjykimin e zgjedhësve e, pastaj, edhe Papën e ri, në misionin e kumtimit të frytshëm të Ungjillit, për të mirën e Kishës e të mbarë njerëzimit, duke i prirë bashkësisë me besinikëri gjithnjë më të madhe ndaj vetë Ungjillit të Krishtit. Sepse këtë asnjë papë nuk mund ta bëjë i vetëm. Duhet ta bëjmë, prandaj, edhe ne, së bashku me të, e “Papa i nderit Benedikti” do të vijojë të na shoqërojë “duke punuar” për këtë - janë fjalët e tij të fundit publike: me zemër, me dashuri, me lutje, me reflektim”. Faleminderit, Papa Benedikti!".







All the contents on this site are copyrighted ©.