2013-03-04 18:32:14

Atë Federiko Lombardi për Kongregacionet e para të kardinajve: klimë vërtet pozitive.


Sot, gjatë takimit të zakonshëm me gazetarët, atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit, foli për Kongregacionin e parë të kardinajve. Ndërsa pasdite u mblodh Kongregacioni i dytë, që ndoqi meditimin e predikatarit të Shtëpisë papnore, atë Raniero Kantalamesa. Në përgatitje, edhe mesazhi për Papën e nderit, Benediktin. Por, të dëgjojmë atë Federiko Lombardin:

Shumë i qetë e konstruktiv, Kongregacioni i parë, sipas atë Lombardit. Gazetarët, gjatë takimit të zakonshëm, pyetën menjëherë për datën e Konklavit. Morën përgjigjen se nuk është caktuar akoma:
“Besoj se pika është kjo, të kuptohet nëse ka mungues, që duhen pritur, apo jo. Kur kjo të jetë sqaruar, kur të gjithë ata, që duhet të arrijnë, të kenë arritur ose të jenë tek porta, atëherë mund të orientohesh”.
Çast tejet i rëndësishëm, sot paradite, ai i betimit të kardinajve, kujton atë Lombardi:
“Betimi bëhet ashtu siç shpjegohet në numrin 12 të Kushtetutës Universi Dominici gregis: më parë me një formulë, që shqiptohet nga të gjithë njëherësh, kryesuar nga Dekani; pastaj secili nga kardinajtë e pranishëm kalon pranë tryezës së kryesisë, ku, mbi Ungjillin e hapur, varet Kryqi, e bëjnë betimin e tyre personal”.
Atë Lombardi foli edhe për hedhjen e shortit gjatë zgjdhjes së tre kardinajve, që do të asistojnë kardinalin kamerleng në përcaktimin e çështjeve praktike:
“Kardinali Re, për Urdhërin e Ipeshkvijve; kardinali Sepe, për Urdhërin e Presbiterëve dhe kardinali Rodè, për Urdhërin e Diakonëve. Këta, për tri ditë, do të jenë ndihmësit e kamerlengut në Kongregacionin e veçantë. Pas tri ditësh do të hidhet shorti për tre të tjerë, në mënyrë që të ketë qarkullim”.
Pasdite, i pari nga dy meditimet - një gjatë Kongregacioneve përgatitore, tjetri në fillim të Konklavit - besuar predikatarit të Shtëpisë papnore, atë Raniero Kantalamesa, i cili pati mbajtur edhe meditimet e vitit 2005. Më pas kardinajtë kërkuan relacione për situatën e Kishës në botë dhe për veprimtarinë e dikastereve të ndryshme papnore.
Përsa i pëket mesazhit drejtuar Papës Benedikti, atë Lombardi saktësoi:
“Është ende për t’u bërë. Kur të jetë gati, mendoj se do ta kemi tekstin… Rëndësi ka miratimi i Kolegjit kardinalor për t’i dërguar një mesazh Papës së nderit, Benediktit”.
Pastaj, vijoi të shpjegonte atë Lombardi, pasoi një pushim prej 30 minutash, kohë e përshtatshme për takime personale, biseda, shkëmbime mendimesh. Shumë pozitiv, Kongregacioni i parë, tha me kënaqësi atë Lombardi:
Duhet të them se u krijua një atmosferë shumë e qetë e jashtëzakonisht konstruktive: u ndje fort dëshira për të marrë pjesë gjallërisht e kthjellësisht në këtë kohë kaq të rëndësishme për njohjen e situatës së Kishës në botë si dhe të kritereve për zgjedhjen e Bariut të ri të Kishës universale. Prej këndej, më duket se si Kongregacion i parë, si fillim, ishte shumë pozitiv, i kthjelltë e premtues për një ecje të shkathët gjatë kësaj jave”.Nuk janë marrë ende masat për anulimin e vulës dhe të unazës së peshkatarit, pohoi atë Lombardi, që sqaroi edhe se numri i gazetarëve, akredituar në Vatikan për të ndjekur drejtpërdrejt këtë ngjarje kaq të rëndësishme për jetën e Kishës, ka arritur në 4.300 vetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.