569 vite më parë, në Kishën Katedralen të Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot
gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës,
Kuvendi i Princave të Arbërit në Lezhë, gur themel i bashkimit kombëtar të shqiptarëve,
njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës
së mesjetës. Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, menjëherë
pas kthimit nga Turqia, për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare, mblodhi
në një kuvend të gjitha principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmit otoman.
Pikërisht, realizimi i bashkimit të gjithë princërve shqiptarë në një kuvend të përbashkët
nga ana e Skënderbeut, përbën edhe idenë më të madhe novatore të tij. Studiues
dhe historianë thonë se bashkimi i shteteve të copëtuar feudale ka qenë një ide, e
cila është realizuar me vështirësi edhe në vende të mëdha të Evropës. Kështu Italia
është bashkuar në shekullin e XIX, në kohën e Garibaldit, ashtu sikundër edhe Gjermania
u bashkua gjatë shekullit të XIX, në kohën e Bismarkut. Në Kuvendin e Lezhës u
mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit,
Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiajt, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë
dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi vendosi Skënderbeun si komandant të përgjithshëm
të Lidhjes, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak. Që prej këtij bashkimi,
udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25
vjet me radhë. Po t’i referohesh dokumentacionit historik, Kuvendi i Besëlidhjes
nuk u mbajt rastësisht në qytetin e Lezhës, i cili në atë kohë ishte në zotërimin
e Venedikut. Kjo ngjarje e rëndësishme u zhvillua atje, pasi Lezha nuk përfaqësonte
kryeqendrën e principatave dhe në këtë mënyrë, shmangeshin grindjet e mundshme dhe
krijohej ideja e barazisë. Kjo është cilësuar nga shumë figura të asaj kohe edhe si
një nga veprimet diplomatike të Skënderbeut. Kuvendi u mbajt në Lezhë, duke ditur
faktin se Lezha me anë të pushtetit venedikas do të shërbente edhe si faktor përkrahje
në Evropë, pasi një nga idetë më të mëdha të Lidhjes ishte integrimi i Shqipërisë
në Evropën perëndimore. Besëlidhja e Lezhës përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme
të historisë së mesjetës. Më pas ky bashkim i popullit shqiptar do të përsëritej,
kur në vitin 1878 do të mbahej Lidhja e Prizrenit, e më pas në Luftën Antifashiste
Nacional-Çlirimtare, Konferenca e Pezës. Në të gjitha këto lidhje, ideja themelore
ishte bashkimi pa dallim feje, krahine dhe pikëpamje politike i shqiptarëve për çështjen
kombëtare.