2013-03-01 16:29:25

Të hënën, Kongregacionet e përgjithshme të kardinajve. Atë Lombardi: “Benedikti XVI është i qetë”


“Ati i Shenjtë është i qetë”: kështu tha atë Federiko Lombardi, zëdhënësi i Vatikanit, në konferencën e sotme të shtypit, duke saktësuar se nga Kastel Gandolfo, Benedikti XVI pa në televizion si e pasqyruan pasditen e djeshme gazetarët nga e gjithë bota. Konfirmoi edhe se Kongregacioni i parë i përgjithshëm i kardinajve është thirrur të hënën, më 4 mars, në orën 9.30. Nuk duhet pritur, që po atë ditë të shpallet Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri.
Takimi i sotëm me gazetarët qe për atë Lombardin rasti të theksonte edhe një herë se Papa i nderit është i qetë. Mbrëmë vlerësoi punën e punonjësve të mediave, për informacionin e dhënë. Vetë atë Lombardi foli në telefon me sekretarin e tij personal, imzot Georg Genshvajn, i cili i tregoi se Benedikti XVI, pas darkës, bëri një shëtitje të vogël brenda Pallatit Apostolik, pastaj u lut e shkoi të flinte:
“Në ditët e kaluara, Papa i binte pianos mbrëmjeve, pas darkës – e kjo edhe gjatë javëve të kaluara – do të thosha, në shenjë qetësie shpirtërore. Në veçanti, mbrëmë, imzot Georg nuk e dëgjoi t’i binte pianos, por mendon se në ditët e ardhshme do të rifillojë me siguri”.
Dita e sotme, shpjegoi atë Lombardi, kaloi në lutje, duke lexuar mesazhet e shumta, që i kanë ardhur Jozef Racinger e duke bërë shëtitjen e zakonshme në oborr. Benedikti XVI ka marrë me vete disa libra, ndër të cilët “Estetika teologjike” e Hans Urs fon Baltasar.
Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë konfirmoi se kardinajtë do të mblidhen të hënën, më 4 mars, në Sallën e re të Sinodit, në Vatikan, për Kongregacionin e parë e të dytë të përgjithshëm:
“Nuk është vendosur e nuk duhet as të prisni, që të hënën, vendimin për ditën e fillimit të Konklavit, sepse kardinajtë duhet të fillojnë udhën e reflektimeve, mbledhjet. Prandaj, as në Kongregacionin e parë të paradites e as në atë të pasdites, nuk parashikohet ndonjë vendim i Kolegjit kardinalor për datën e Konklavit”.
Gjatë kësaj periudhe, vazhdoi atë Lombardi, nuk do të ketë meshë të tjera, përveçse “Missa pro eligendo Pontifice”. Në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u transmetua për gazetarët një video, ku tregohej ç’ndodhi në Vatikan, pas orës 20.00, çast i fillimit të Selisë Vakante. Ndërsa mbyllej porta e Pallatit të Kastel Gandolfos, anëtarët e Dhomës Apostolike, udhëhequr nga Kamerlengu - kardinali Tarçizio Bertone - së bashku me bashkëpunëtorët e tij, vulosën apartamentin e Papës së nderit. Këto qenë fjalët e prelatit:
“Në fillim të Selisë Vakante, takohemi sërish si Dhomë Apostolike. Ju përshëndes me përzemërsi e, që tani, ju falenderoj për praninë dhe bashkëpunimin tuaj”.
Vula iu vu edhe ashensorit, që çon nga kati i dytë në të tretin e, që Papa e përdorte gjatë audiencave. Sot, në orën 12.30, u vulos edhe apartamenti papnor në Pallatin Lateranens. Së fundi, atë Lombardi lajmëroi se kanë dalë pullat e Selisë Vakante dhe një vulë filatelike, që ka të bëjë me tërheqjen e Benediktit XVI. Për monedhat, janë të nevojshme disa javë, pasi më parë duhen shtypur.







All the contents on this site are copyrighted ©.