Më 1 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Albinin, ipeshkëv. Nga 13 shenjtërit
me emrin Albin, prej të cilëve 8 ipeshkvij, më 1 mars përkujtohen tre: një martir
legjendar anglez dhe ipeshkvijtë e Anzherit e Vercellit. Shën Albini francez, i lindur
në vitin 496, ndërroi jetë më 1 mars 550. Ndërsa Shën Albini, pasardhës i Shën
Euzebit, themeluesit të dioqezës së Vercellit, u shugurua ipeshkëv në vitin 452, në
një periudhë historike shumë të turbullt, në sa fiset barbare të hunëve e të gotëve
dyndeshin si rrebesh mbi Italinë. Ipeshkvi i ri ndërtoi kishën metropolitane përmbi
rrënojat e bazilikës së vogël, ngritur nga Shën Euzebi mbi reliket e Shën Teofrastit.
Për të shuguruar Kishën e re, ftoi Shën Gjermanin, i cili vdiq në udhëtim e sipër.
Kështu në bazilikën e Vercellit, në vend të Ipeshkvit të gjallë, arriti trupi i tij
i vdekur. Sapo ky trup u vendos në mes të bazilikës - sipas rrëfimit të traditës
- të gjithë qirinjtë u ndezën vetvetiu, në sa më parë çdo përpjekje për t'i ndezur
kishte qenë e kotë. Kjo dritë u interpretua si mbajtje e premtimit që Shën Gjermani
i kishte bërë Shën Albinit për të shuguruar Kishën. Për shën Shën Albinin dimë edhe
se kulti i tij është shumë i lashtë.