2013-03-01 17:10:36

Liturgjia e Fjalës së dielës së tretë të Kreshmëve “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 3-të të Kohës kishtare të Kreshmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Tema e përbashkët e të tria leximeve biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 3-të të Kreshmëve është kthimi shpirtëror, që lind nga zemra e gjen shprehje, mishërim e pasqyrohet në sjelljet e tona të jetës së përditshme.
Liturgjia e Fjalës Hyjnore e dielës së 3-të të Kreshmëve na përkujton se sa urgjent është kthimi ynë tek Zoti. Sidomos kthimi i mendjes e zemrës drejt Zotit për ta shpëtuar veten tonë dhe botën nga i keqi dhe e keqja, që shkakton mjerim e vuajtje. Zoti e njeh ngadalësimin tonë. Është Zot me durim të pakufishëm, që vijon të pres kthimin tonë tek Ai.
Në leximin e parë të kësaj së diele, nga Libri i Daljes, Zoti i dëfton, i zbulon Mosiut emrin e vet. E ky emër është një premtim: premtimi i një pranie aktive që liron nga skllavëria e barra e mëkatit.
Në leximin e parë nga Libri i Daljes kemi pjesën që tregon se si Zoti i foli Mosiut nga kaçuba e ndezur flakë, dhe atij i dëftoi (zbuloi) emrin e vet dhe ia besoi misionin e çlirimit të popullit të vet. Në këtë ngjarje e shohim lindjen e Pashkëve. Dihet se Pashkët nuk e kanë zanafillën mbi tokë por në qiell; Pashkët që do të thonë kalim , linden nga përdëllimi i Zotit që e dëgjoi dhe vazhdon ta dëgjon britmën e të shtypurve, që i sheh vuajtjet e tyre dhe vendos të ndërhyjë për çlirimin dhe shpëtimin e tyre.
Për të kuptuar aktualitetin, duhet rilexuar historinë e kaluar. Pikërisht këtë e bën Shën Pali në leximin e dytë të kësaj së diele, në pjesën e letrës së tij drejtuar Korintianëve. Kështu historia e daljes, historia e çlirimit të Izraelit nga robëria e lashtë hedhë dritë në udhën tonë drejt Pashkëve.
Në leximin e dytë të liturgjisë së Fjalës të kësaj së diele nga letra e parë dërguar Korintianëve, shën Pali ngjarjet e daljes apo të eksodit të hebrenjve i vështron si qortim e mësim për të krishterët: “Të gjitha këto gjëra iu ndodhën atyre si shembull, e janë shkruar si qortim për ne” ( 1Kr 10,11). Kjo do të thotë se nuk mjafton dalja e shpëtimi fizik, por lypet dalja e shpëtimi shpirtëror; nuk mjafton kalimi nga një vend në vend tjetër, nevojitet kalimi nga një gjendje në gjendje tjetër, nga një mënyrë e të jetuarit në një mënyrë tjetër jetese. Shumë izraelitëve të popullit të zgjedhur nuk i shërbeu asgjë çlirimi e dalja nga robëria Egjiptiane, sepse nuk e kishin realizuar daljen nga vetvetja, nga vullneti i tyre personal, nuk ishin liruar nga vetvetja e tyre për të kaluar te vullneti i Zotit.
Kështu, sipas shën Palit apostull, të krishterëve iu shërben fare pak apo aspak të jenë të pagëzuar e madje edhe të ushqehen me korpin dhe gjakun e Shenjtë të Krishtit ( manna dhe uji), në qoftë se pastaj, sikur ndodhte asokohe në Korint, nuk braktiset mënyrat e vjetër e të mëparshme të të jetuarit në mëkat dhe vijohet në udhën e idhujtarisë e të besëtytnisë.
leximin e tretë, pjesa Ungjillore marrë nga shën Luka, na tregon rreth informimit të Jezusit për disa lajme lidhur me disa Galileas të cilët janë vrarë me urdhër të Pilatit. Nga komenti që Jezusi i bënë lajmit arrijmë deri tek një mësim shumë i rëndësishëm. Fatkeqësitë nuk janë, sikur mendojnë disa, shenjë dënimi e kastigimi të Zotit ndaj fajtorëve; tek e shumta janë qortim për atë që mbetët gjatë e vazhdojnë të jetojnë.
Ky pra është çelësi i leximit të pjesë ungjillore të kësaj së diele, për të mos e humbur fenë para fatkeqësive, tragjedive që po ndodhin në çdo skaj të tokës, shpesh ndër popullsitë më të varfra e të pambrojtura të tokës dhe ndër të pafajshmit si tërmeti në Kili e në Haiti, apo siç dëshmojnë aktet e dhunshme e vrasjet në Lindje të Mesme si në Siri, Egjipt e Vende tjera.
Jezusi na ndihmon ta kuptojmë se si duhet të reagojmë kur, në mbrëmje, televizioni na sjell lajme nga kronika e zezë, lajme dhune e tragjedie: e ne reagojmë duke thënë “të mjerët” ata, sa “fatëkeqët” qenkan, në vend që të reflektojmë mbi përkohshmërinë e paqëndrueshmërinë e jetës, mbi nevojën e gatishmërisë sonë në çdo çast e të mos hutohemi e të jepemi në mënyrë të tepruar pas atyre gjërave që në çdo çast e çdo ditë mund të mungojnë e të mos ekzistojë më.
Arsyeja kryesore për çka fletë pjesa ungjillore e kësaj së diele të 3-të Krezhmëve, është paralajmërimi e qortimi për ne që të përkujdesemi për shpëtimin e jetës shpirtërore, për t’i shpëtuar vdekjes së përjetshme. Ungjilli i kësaj së diele don të na thotë se cili është emri i ri i daljes, i çlirimit dhe i Pashkëve, dmth Pashkët e kthimit të jetës sonë tek gurra e Jetës së vërtetë e të Përjetshme në Zotin. Në kuadrin e kohës së Kreshmëve, fjala “kthim” na përkujton një gjë thelbësore lidhur me shëlbimin e shpirtit tonë: Zoti e realizon 99,9% të shpëtimit, të shëlbimit tonë; mirëpo ka diçka që na takon neve dhe e ne duhet të bëjmë personalisht si shenjë bashkëpunimi me planin shpëtimprurës të Zotit. Shën Agostini thotë: “Zoti që të ka krijuar pa ty, nuk të shëlbon pa ty”!
Në Mesjetë tregohej për një njeri që ishte gati të varej në sheshin kryesor të qytetit, për shkak se nuk e kishte paguar borxhin. Aty pari kalonte rastësisht mbreti. Kur e mori vesh punën se si ishte, e pagoi personalisht pjesën më të madhe të borxhit për ta shpëtuar të dënuarin. Mirëpo mungonte ende edhe një pjesë e borxhit dhe xhelati urdhëroi të zbatohej ekzekutimi i dënimit më vdekje të borxhliut. Mbreti para këtij fakti e rriti ofertën e tij e kështu bënë edhe të gjithë ata njerëz që ishin në grupin e përcjellësve të tij, njëri pas tjetrit. Së fundi mungonte vetëm edhe një monedhë, vetëm edhe një euro për ta shlyer plotësisht borxhin e të dënuarit. Xhelati mbetët gjithnjë i vendosur e nuk ndryshon mendimin, sipas tij ekzekutimi duhet zbatuar. Atëherë i dënuari e shtini dorën në xhepa të vet dhe kërkonte me nxitim e dëshpërim ndonjë monedhë nëpër ta deri sa më në fund edhe e gjeti një monedhë të vetme, e gjeti 1 euroshin. E kështu shpëtoi nga dënimi me vdekje.
Pra, kthimi ynë në rrugën e Zotit nuk është një detyrë e paarritshme, por është i mundshëm për të gjithë, madje është një e drejtë për çdonjërin. Askush nuk përjashtohet nga mundësia e përmirësimit dhe e ndryshimit. Mesazhi i leximeve biblike të kësaj së diele është ky: se Zoti don të na shpëtoi nga e keqja e nga vdekja për këtë edhe na thërret të bashkëpunojmë me Të për ta realizuar shëlbimin tonë, do të thotë lirimin e përjetshëm nga i keqi dhe nga vdekja e amshuar.
T´ia hapim zemrat tona dashurisë së Zotit. Zoti është me ne, dhe ai e kërkon secilin prej nesh, prandaj:
• Krishti nuk ka më duar, Ai ka vetëm duart e tona, që të kryhet sot puna e tij.
• Ai nuk ka më këmbë, po ka vetëm këmbët e tona, që t´i udhëheq njerëzit në rrugën e vet.
• Krishti nuk ka më buzë, po ka vetëm buzët e tona, që t´ju flasim njerëzve për të.
• Ai nuk ka më mbështetje, po ka vetëm ndihmën tonë, që t´i sjell njerëzit në anën e vet.
• Ne jemi e vetmja Bibël, që publiku ende e lexon.
• Ne jemi lajmi i fundit i Zotit, shkruar në vepra e në fjalë.
(Lutje prej shekullit 14-të nga një autor i panjohur)

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 3, 1-8.13-15

Moisiu është edukuar në shtëpinë e faraonit ku ka takuar idhujt egjiptianë. I larguar në shkretëtirë praktikon besimin e hyjit të nomadëve. Moisiu kërkon Hyjin e vërtetë, dhe Hyji i zbulohet Moisiut mbi malin Sinaj si “Ai që është” dhe i beson misionin të çlirojë Izraelin nga faraoni i Egjiptit. Moisiu zbulon se Hyji i vërtetë është “Hyji me ne” dhe se secili prej nesh është një bashkëpunëtor i Hyjit drejt çlirimit.

Leximi prej Librit të Daljes

Në ato ditë, Moisiu po i kulloste delet e vjehrrit të vet, Jetros, priftit të Madianit. Duke e kullotur grigjën në shkretëtirë, arriti në malin e Hyjit, Horeb. Një engjëll i Zotit iu duk në flakën e zjarrit në midis të një kaçube. Ai pa se kaçuba ishte e ndezur flakë, por nuk digjej. Moisiu mendoi: “Po afrohem të shoh këtë pse nuk digjet.” Kur Zoti e pa se po afrohet për të parë, Hyji e thirri prej kaçube dhe i tha: “Moisi, o Moisi!” Ai përgjigji: “Urdhëro!”
Ai tha: “Mos u afro këtu! Hiqi sandalet prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë!” Dhe shtoi: “Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit.” Atëherë Moisiu e mbuloi fytyrën, sepse nuk kishte guxim të shikojë drejt Hyjit. Zoti i tha: “E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tyre. Dhe duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ai dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, në dheun e Kanaaneut, Heteut, Amoreut, Perezeut, Heveut dhe të Jebuseut. Atëherë Moisiu i tha: “Kur të vij te bijtë e Izraelit t’u them: ‘Hyji i etërve tuaj më dërgoi te ju’. Po nëse më thonë: ‘Si e ka emrin?’; çka do t’u them?” Hyji i tha Moisiut: “UNË JAM AI QË JAM!” Dhe Hyji i tha përsëri Moisiut: “Kështu thuaju bijve të Izraelit: JAHVÈ, AI QË ËSHTË, Hyji i etërve tuaj, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, dhe Hyji i Jakobit më dërgoi te ju. Ky është emri im i përhershëm, me këtë emërtim do të kujtohem prej breznie në brezni. Fjala e Zotit.

Psalmi 103

Zoti ka mëshirë për popullin e vet
----------
Bekoje, shpirti im, Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
Bekoje, shpirti im, Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.
----------
Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron sëmundjet e tua;
Ai ta shpëton jetën prej varrit,
Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.
----------
Zoti bën veç vepra të mira,
u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.
Synimet e veta ia zbuloi Moisiut,
bijve të Izraelit veprat e veta.
----------
Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur. Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë, aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë.
----------

Leximi i dytë 1 Kor 10, 1-6.10-12

Besëlidhja e Vjetër përmban një histori, e cila që nga fillimi na çon drejt Jezusit dhe përgatit ardhjen e krishterimit.
Përkujtimi i së shkuarës, siç ndodhi historia e hebrenjve në daljen nga Egjipti, i shërben besimtarit për të kuptuar si të veprojë dhe si t’i përgjigjet mirësisë së Hyjit.
Mes së shkuarës dhe së tashmes ka një vazhdimësi të një plani të njëjtë.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, dua që patjetër ta dini: etërit tanë të gjithë qenë nën re, të gjithë kaluan nëpër det dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror, dhe të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti. Por shumica nuk i pëlqeu Hyjit, mbasi qenë vrarë në shkreti. Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos i lakmojmë së keqes, sikurse i lakmuan ata.
Mos nynykatni si nynykatën disa prej tyre dhe engjëlli shfarues i vrau. Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull e u shkruan për mësimin tonë, për të cilët arriti mbarimi i kohës. Kush, pra, mendon se qëndron, të ruhet të mos rrëzohet!
Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kthehuni, se Mbretëria e Hyjit është ngjat!
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ì Ungjilli Lk 13, 1-9

Jo vetëm faktet e rëndësishme të jetës së shkuar, por edhe faktet e jetës së përditshme na bëjnë të reflektojmë dhe na ftojnë të kthehemi. Në shëmbëlltyrë, fiku edhe pse plot me gjethe, në realitet konsiderohet i kotë sepse nuk jep fryte.
Por fikut i jepet koha para se të pritet. Në shëmbëlltyrë nënvizohet jo zemërimi i Hyjit, por mirësia e tij.
Feja e Hyjit të vërtetë nuk është themeluar mbi frikën, por mbi dashurinë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre.
Jezusi u përgjigji: “A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit tjerë? Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”
Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri e kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ Ai i përgjigji: ‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte. Po qe se jo, atëherë do ta presësh’!”
Fjala e Zotit.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 3-të të Krezhmëve, mund të dëgjoni këtu........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.