2013-02-28 15:24:09

Benedikti XVI përshëndeti kardinjatë: Kisha jeton në Krishtin, premtoj t’i bindem Papës së ardhshëm


“Afërsia juaj, këshillat tuaja, më kanë ndihmuar shumë në shërbimin tim”; lutem për Papën e ri e, që tani, “premtoj ta nderoj dhe t’i bindem pa kushte”. Me këto fjalë, Benedikti XVI falenderoi dhe u nda, sot paradite, me Kolegjin kardinalor, në audiencën e fundit të kësaj papnie, e cila u mbyll në orën 20.00. 144 kardinajve të pranishëm, Papa u theksoi edhe një herë se Kisha nuk është ndonjë ngrehinë e ndërtuar nga njeriu. Zemra e saj është Krishti, i cili e mban gjallë.
Takimi i fundit më i jashtëzakonshëm në historinë e Kishës zgjati më pak se një orë. Por kjo kohë i mjaftoi Benediktit XVI për të bërë një gjest tjetër të madh, i papërcaktuar nga asnjë protokoll: u përkul, që tani, në shenjë bindjeje e nderimi, para Papës së ri, që do të zgjidhet në ditët e ardhshme nga po ata kardinaj, të cilët sot qëndronin para tij:
“Do të vazhdoj të jem pranë jush me lutje, sidomos gjatë ditëve të ardhshme, që të jeni plotësisht gati për dikimin e Shpirtit Shenjt në zgjedhjen e Papës së ri. Zoti ju tregoftë atë, që do Ai i lumi. Ndërmjet jush, në Kolegjin e kardinajve, është edhe Papa i ardhshëm, të cilin, që sot, premtoj ta nderoj dhe t’i bindem pa kushte”.
Kur Benedikti XVI zuri vend e u ul, ishte ora 11.06. Para syve iu paraqit një pamje e ngjashme me atë të 11 shkurtit, kur në Koncistorin e kardinajve deklaroi se do të tërhiqej, megjithëse Salla e takimit ishte ajo Klementine e numri i kardinjave më i madh. Por sot, ndjenjat mbizotëruese ishin mallëngjimi e dashuria e jo më habia e çudia. Edhe kësaj radhe, i takon kardinalit dekan, Anxhelo Sodano, të gjejë fjalët e përshtatshme për ta falenderuar Papën, në emër të kardinajve:
“I dashur e i nderuar Pasardhës i Shën Pjetrit, jemi ne që duhet t’ju falenderojmë për shembullin që na keni dhënë gjatë tetë vjetëve të papnisë… Me dashuri të thellë, jemi përpjekur gjithnjë t’ju shoqërojmë në udhë, duke përjetuar përvojën e dishepujve të Emausit, të cilët, pasi kishin ecur me Jezusin një copë të mirë rruge, i thanë njëri-tjetrit: ‘A nuk na ndizej zemra, kur na fliste gjatë udhës?’. Po, o Atë i Shenjtë, ta dini se edhe zemra jonë ndizej, kur ecnim me ju gjatë këtyre viteve. Sot, edhe një herë, duam t’ju shprehim gjithë mirënjohjen tonë”.
E Benedikti XVI u përgjigj, duke përqafuar me përzemërsi kardinalin Sodano dhe gjithë të pranishmit, një e nga një, pasi e hodhi vështrimin mbi historinë e Kishës në tetë vjetët e papnisë:
“Afërsia juaj, këshillat tuaja, më kanë ndihmuar shumë në shërbimin tim. Gjatë këtyre tetë vjetëve, kemi jetuar me fe çaste tejet të bukura drite rrezatuese në udhën e Kishës, së bashku me çaste, në të cilat qielli mbushej me re. Jemi përpjekur t’i shërbejmë Krishtit e Kishës së Tij, me dashuri të thellë e të madhe, shpirti i ministerit tonë. Kemi dhuruar shpresë, atë që vjen nga Krishti, e vetmja, që mund ta shndrisë udhën”.
Papa u bëri jehonë fjalëve, që tha dje para 150 mijë vetëve, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e fundit të përgjithshme të papnisë. Në zemrën e Benediktit XVI, dukej qartë që dita e djeshme ka lënë një vulë të pashlyeshme, pasi bëri të preken me dorë dy nga shtyllat, mbi të cilat mbështetet magjisteri i tij: Kisha është e Krishtit dhe, Kisha është gjallë:
“Kisha nuk është ndonjë institucion i shpikur dhe i ndërtuar enkas, por një realitet i gjallë. Ajo jeton përgjatë kohës që vjen, në plotësim e sipër, si çdo qenie gjallë, duke u shndërruar e, megjithatë, natyra e saj mbetet gjithnjë po ajo. Zemra e saj është Krishti. Më duket se kjo ishte përvoja, që përjetuam dje në shesh. Pamë se Kisha është korp i gjallë, së cilës i jep frymë Shpirti i Shenjtë. Ajo jeton vërtet nga forca e Zotit”.
Benedikti XVI citoi fjalët e njërit prej teologëve më të dashur prej tij, Romano Guardinit, i cili ka shkruar në kohën e Koncilit II të Vatikanit. Fjalët e tij përmbajnë urtinë e Koncilit, të cilën Ati i Shenjtë e ndërthuri me këndvështrimin e tij mbi Kishën. E është shpirti, që i flet, këtij punëtori të përvuajtur në vreshtën e Zotit:
“’Kisha rizgjohet në shpirtra’. Kisha jeton, zhvillohet e përtërihet në ato shpirtra që, si Virgjëra Mari, e pranojnë Fjalën e Zotit dhe mbarsen me Të për vepër të Shpirtit Shenjt. I ofrojnë Zotit trupin e pikërisht, në varfërinë e përvuajtërinë e tyre, bëhen të aftë të lindin Krishtin sot në botë. Përmes Kishës, misteri i mishërimit mbetet i pranishëm përgjithmonë. Krishti vazhdon të ecë nëpër kohra, në të gjitha vendet. Të dashur vëllezër, le të qëndrojmë të bashkuar me këtë mister, në lutje, sidomos në Eukaristinë e përditshme e, kështu, t’i shërbejmë Kishës dhe mbarë njerëzimit. Ky është gëzimi ynë, që askush s’mund të na e shuajë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.