2013-02-27 15:19:53

Atë Lombardi: ditë e mrekullueshme, Papa i qetë, sepse vendosi me ndërgjegje, para Zotit


“Atmosferë mallëngjimi, por edhe qetësie shpirtëore. Papa kishte një pamje shumë të bukur”: kështu foli sot atë Federiko Lombardi, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, në takimin me gazetarët në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Qe një ditë e mrekullueshme, plot diell, dhuratë e madhe e Zotit, theksoi atë Lomnardi:
“Nuk di nëse i patë, përmes ekraneve, pamjet e fundit të xhiruara nga Qendra Televizive e Vatikanit, të cilat tregonin një Papë jashtëzakonisht të qetë e buzagaz…shumë bukur”.
Kjo qetësi shpirtërore karakterizoi edhe përshëndetjet me autoritetet e pranishme në audiencën e përgjithshme, në Sallën Klementine, brenda Pallatit Apostolik:
“Qetësia e vetëdijes se ka bërë punë të mirë dhe e ka marrë këtë vendim para Zotit, në përkim të plotë me vullnetin e Hyjit”.
Atë Lombardi përshkoi më pas fjalët e Jozef Racinger në katekizmin e sotëm, i fundit i papnisë së Benediktit XVI. Në veçanti, u ndal në vështrimin e Papës mbi fenë si “këndvështrimi i vetëm i vërtetë për udhën e Kishës e të botës”. Më pas, fjalët mbi veprën e Zotit e mënyrën si ndërhyn Ai në histori, lidhur ngushtë me shembullin e Shën Benediktit:
“Opus Dei, vepra e Hyjit, ajo që Papa është përpjekur të bëjë e do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Na tregoi udhën për një jetë që, aktive apo pasive, i përket krejtësisht veprës së Zotit. Pra, vepra ime – na tha Papa – është në veprën e Hyjit”.
Nesër, po në Sallën Klementine, Jozef Racinger do të takohet me kardinajtë, prej të cilëve do ta përshëndesë dekani i Kolegjit Kardinalor, Anxhelo Sodano. Pasdite, pasi të arrijë në Kastel Gandolfo, Ati i Shenjtë do t’i drejtohet popullsisë së vendit, që do të mblidhet para Pallatit Apostolik për përshëndetjen e fundit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, atë Lombardi sqaroi se oxhaku i Konklavit, nga i cili del tym i bradhë, nw rastin e zgjedhjes së Papës së ri, e tym i zi, në rast se asnjë nga kardinajtë nuk ka marrë dy të tretat e votave, akoma nuk është montuar. E për datën e Konklavit, tha:
“Më 1 mars, kardinali dekan dërgon fletë-thirrjen për Kongregacionin e përgjithshëm të kardinajve. Ka mundësi që mbledhjet të fillojnë pas datës 4. Gjatë tyre, kardinajtë vendosin për datën e fillimit të Konklavit, prandaj, tani për tani, nuk e dimë. Datën do ta marrim vesh në ditët e para të javës së ardhshme, pas vendimit të Kongregacionit të kardinajve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.