2013-02-26 13:01:28

Vinçenc Dorsa, në përvjetorin e lindjes


Vinçenc Dorsa (1823-1885). Lindi në Frasnitë të Kozencës në Kalabri më 26 shkurt 1823. U shkollua në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korone e më pas në kolegjin Urbanian të Propaganda Fides në Romë. Për shumë vjet qe mësues i greqishtes dhe latinishtes në shkollën e mesme të Telesios në Kozencë.
Vepra me të cilën nisi të bëhej i njohur, është Sugli Albanesi, ricerche e pensieri, Napoli 1847 (Mbi shqiptarët, hulumtime e mendime), kushtuar alla mia nazione divisa e dispersa ma una (kombit tim, të ndarë e të shprishur, por një të vetëm). Me këtë vepër synoi, siç e thotë vetë në parathënie, "të tërheqë vëmendjen e opinionit publik për mbrojtjen e të drejtave të një kombi të shquar por të panjohur".
Vepra përmban të dhëna të begata për prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve deri në kohën e Skënderbeut, për ngulimet shqiptare në Italinë e jugut dhe për poezinë popullore, zakonet dhe letërsinë. Më pas Dorsa botoi Studi etimologici della lingua albanese, Kozencë 1862 (Studime etimologjike për gjuhën shqipe) dhe La tradizione greco-latina nei dialetti della Calabria citeriore, Kozencë 1876, 1884 (Tradita greko-latine në dialektet e Kalabrisë së Epërme).
Të pabotuara kanë mbetur veprat Discorso in lingua albanese, një traktat fetar i shkruar shqip gjatë studimeve në Romë dhe dorëshkrimi i gjashtëdhjetepesë këngëve popullore arbëreshe nga Kozenca, me titullin Canti popolari albanesi (Këngë popullore shqiptare). Dorsa njihet edhe si përkthyes i Ungjillit të Shën Mateut, nga i cili ruhet një variant kalabrez, i rishikuar nga Dhimitër Kamarda e i botuar në Londër më 1869 nga princi Lyi-Lusië Bonaparti.







All the contents on this site are copyrighted ©.