2013-02-26 15:24:26

Papa Benedikti XVI dhe urata, “arti” që e orienton zemrën e njeriut drejt Zotit


Edhe dy ditë, pra, Benedikti XVI do të përfundojë Papninë e tij për t’u tërhequr në lutje tërë jetën. E pikërisht lutjes, ndërmjet vitit 2011 e 2012, Papa Jozef Ratcinger i ka kushtuar një “shkollë” të vërtetë, posaçërisht duke zhvilluar një sërë reflektimesh gjatë katekizmit të audiencave të përgjithshme për të mërkurash mbajtur në Vatikan. Ja disa nga reflektimet e Papnisë Ratcinger mbi argumentin e uratës.
Lutja, është një akt që përherë e më pak po praktikohet, në atë masë me të cilën në jetën e njeriut bashkëkohor po humbet edhe domethënia e vlera e Zotit dhe përmasa e shenjë e ekzistencës. Lutja është bërë një ngjarje e rrallë, edhe ndër të krishterë. E zbatimi i indiferencës e rrit largimin prej saj, sepse – shpjegoi në një rast Benedikti XVI – zelli i lutjes nuk është zjarr që mund të ndizet sipas urdhërimit, qejfit apo nevojës, po është flakë që digjet, shndrit, rritet e ngroh vetëm nëse ushqehet vazhdimisht. Lutja është fryt i pranisë së gjallë, reale, frymëzuese të Atit qiellor e të Jezu Krishtit në shpirtin tonë, për virtyt të Shpirtit Shenjt: është, pra, veprim i Shpirtit të Atit e të Birit. E prej kësaj “rregulloreje” askush nuk mund të ikën apo të lirohet:
E vërtetë, ne e dimë mirë, se lutja nuk është diçka që mësohet një herë e përgjithmonë, nuk është diçka pasi ta kesh mësuar mund të lihet anash: sepse urata ka nevojë për një mësim e një ushtrim të përhershëm, ashtu siç bëhet të mësohet përherë e më tepër dhe më mirë arti; edhe ata që kanë përparuar shumë në jetën shpirtërore, edhe ata e ndjejnë nevojën për t’u vënë gjithmonë në shkollën e Jezusit e për të mësuar prej Ti lutjen autentike, pra për të mësuar si duhet t’i lutemi më të vërtetë Hyjit Atë”. (Audienca e përgjithshme 4 maj 2011)
Për javë e për muaj të tërë, Papa ka reflektuar mbi vlerën dhe domethënien e lutjes së krishterë, duke përshkuar Psalmet e mendimtarët e krishterë, duke dhënë përgjigje themelore në pyetjet e ndërgjegjshme të atyre njerëzve që gjatë jetës kërkojnë një takim me Zotin, si edhe të atyre njerëzve, që në mënyrë të pavetëdijshme nuk mendojnë në Zotin, por herët apo vonë, e ndjejnë se jo të gjitha nevojat që kanë në zemër, si edhe ato të trupit, mund të marrin përgjigje të mjaftueshme e kështu të kënaqen nga bota materiale. Nga krijimi, brenda njeriut është një zë që kërkon përgjigje përtej kufirit të dukshëm e të ndjeshëm. Është fjala për atë që Benedikti XVI e quan “nostalgji e amshimit” të cilën njeriu e ka në zemër”:
Njeriu i të gjitha kohëve, nuk ka pushuar së luturi, sepse nuk mund të mos pyes, se cili është, kuptimi i jetës njerëzore, sepse nëse nuk vihet në marrëdhënie me misterin e Hyjit dhe me planin e tij hyjnor mbi botën, mbetët në errësirë e në dëshpërim. Jeta njerëzore është një gërshetim i së mirës dhe i së keqes, i vuajtjes së pamerituar e i gëzimit dhe i bukurisë, që në mënyrë spontane e të papërmbajtshme na shtynë t’i kërkojmë Zotit atë dritë e atë forcë të brendshme që të na ndihmojnë mbi tokë të hapim shtegun e shpresën që shkon përtej kufijve të vdekjes”.
Pra, njeriu ka nevojë për një dritë, që ta ndihmojë t’u japë përgjigje pyetjeve mbi kuptimin më të thellë të realitetit rrethues. E feja e njeriut në Zotin nuk ka të bëjë vetëm me kohët e lashta, por përshkon gjithë historinë e njerëzimit. E kjo vlen edhe për njeriun bashkëkohor, cili shpesh tundohet e provon “t’i shmanget misterit hyjnor duke ndërtuar një zot të kuptueshëm, të arsyetueshëm, që i përgjigjet skemave personale, planeve vetjake”? Përgjigja është po:
Njeriu ‘digjital’ ashtu si ai i shpellave, në eksperiencën fetare kërkon udhët për t’i kapërcyer caqet e kufijve të tij dhe për të siguruar shtegtimin e tij të përkohshëm e të pasigurt tokësor. Ky fakti na tregon se, jeta njerëzore pa një horizont të mbinatyrshëm nuk do të kishte kuptim të plotë, e lumturia, drejt së cilës rendim gjithnjë, projektohet vetvetiu kah e ardhmja, kah një e nesërme, që ende nuk është jetuar, e cila ende duhet të realizohet” (Audienca e përgjithshme 11 maj 2001).
Papa qëllimi kryesor i lutjes është kthimi i zemrës kah Zoti. Lutja, na kujton Benedikti XVI, mund të themi se është hapje e zemrës dhe lartim kah Zoti, ajo bëhet, kështu, lidhje personale me Të.
Qëllimi i parë i lutjes është pendimi, kthimi i zemrës: zjarri i Zotit, që e shndërron zemrën tonë e na bën të aftë ta shohim atë të Lumin e kështu të jetojmë si dëshiron Ai; të jetojmë për Të e për tjetrin”(...) “Pushtetit absolut të Zotit, besimtari duhet t’i përgjigjet me dashuri absolute, të plotë, që përfshinë e angazhon tërë jetën e tij, forcat e tij, zemrën e tij”. (Audienca e përgjithshme, 12 qershor 2011).
Kjo, me pak fjalë është një përmbledhje jo e plotë, e asaj çka lutja është për Papën Benediktin XVI. Njeriu, që brenda 48 orësh do të fshihet para botës për të qenë vetëm zemër që lutet për Kishën, ka arritur kështu në një paragraf (kryeradhë) të ri të historisë së tij të gjatë. Po e mbyllim këtë përshkim të Atit Shenjtë Ratcinger me mësimin e tij të butë, të qartë, të bindur e të gjallë mbi uratën, që shpreh fisnikërinë e fenë e shpirtit të tij, në antitezë me protagonizmin shpesh arrogant që sot shohim përreth. Në lutjen drejtuar Zotit, u kujton të gjithëve, zbuloni bukurinë e uljes në gjunjë:
Të gjunjëzohemi më shpesh para Zotit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, sepse kështu mësojmë ta njohim në heshtje, në shpirtin tonë, zërin e tij, që na thërret e na prin kah thellësitë e jetës sonë, na çon tek burimi i jetës, burimi i shëlbimit, për të na ndihmuar të shkojmë përtej jetës sonë e t’i shembëllejmë, të lidhemi me Atë, që është Dashuri e pafundme (Audienca e përgjithshme, 11 maj 2011).







All the contents on this site are copyrighted ©.