2013-02-26 15:46:13

Benedikti XVI e rëndësia e lutjes


Në audiencat e fundit, duke nisur nga 4 maji 2011, Benedikti XVI nisi një cikël të ri katekizmi, kushtuar lutjes. Njeriu i të gjitha kohëve, vërejti Benedikti XVI, nuk ka pushuar së luturi, sepse ka vijuar të kërkojë, në rrjedhë shekujsh, kuptimin e jetës njerëzore. Papa ripohon me forcë se njeriu ka nevojë për një dritë, që ta ndihmojë t’u japë përgjigje pyetjeve mbi kuptimin më të thellë të realitetit rrethues. E, ripohon edhe se feja e njeriut nuk ka të bëjë vetëm me kohët e lashta, por përshkon gjithë historinë e njerëzimit. Njeriu dixhital, ashtu si ai i shpellave, kërkon në përvojën fetare, udhët për të kapërcyer papërsosurinë e tij e për të siguruar aventurën e tij të përkohshme tokësore. Pastaj, jeta pa një horizont të mbinatyrshëm nuk do të kishte kuptim të plotë, e lumturia, drejt së cilës rendim gjithnjë, projektohet vetvetiu kah e ardhmja, kah një e nesërme, që ende nuk është jetuar:
Njeriu ka në shpirt një etje të pashuar për pafundësinë, ka mall për amshimin, ka nevojë për bukuri, ka dëshirë për dashuri, ka uri për dritë e vërtetësi: e pikërisht këto ndjesi e shtyjnë drejt Absolutit: njeriu e ka në vetvete dëshirën për Zotin. E njeriu e di, në një farë mënyre, se mund t’i drejtohet Zotit, e di se mund të lutet” (Audienca e përgjithshme, 11 maj 2011).
Të lutesh është gjë e thjeshtë, do të thotë të flasësh me Zotin, ose të rrish me Të. Të gjithë mund ta bëjnë. Por në të njëjtën kohë kjo gjë kaq e thjeshtë, është edhe e vështirë, sepse lutja kërkon që njeriu të dalë nga hapësira e ngushtë e vetvetes, t’ia hapë zemrën dashurisë e të impenjohet gjithnjë më shumë në botë:
Për të krishterin, të lutet nuk do të thotë të ikë nga realiteti e t’i shmanget përgjegjësisë, por ta pranojë deri në fund të fundit, duke besuar plotësisht në dashurinë besnike e të pashterrshme të Zotit”.
Pra, na kujton Papa, mund të themi se lutja, që është hapje e zemrës e lartim kah Zoti, bëhet, kështu, lidhje personale me Të. Prandaj na fton të gjunjëzohemi më shpesh para Zotit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, sepse kështu:
“… mësojmë ta njohim në heshtje, në shpirtin tonë, zërin e tij, që na thërret e na prin kah thellësitë e jetës sonë, na çon tek burimi i jetës, burimi i shëlbimit, për të na ndihmuar të shkojmë përtej jetës sonë e t’i shembëllejmë, të lidhemi me Atë, që është Dashuri e pafundme” (Audienca e përgjithshme, 11 maj 2011).
Qëllimi kryesor i lutjes – pohon Papa – është pendimi, kthimi në rrugën e Zotit, që na bën të aftë t’ia hapim zemrën Atij e të afërmit, duke gjetur jetën e vërtetë, sepse Zoti është dashuri! “Të dashur vëllezër e motra, lutja nuk është një element ndihmës, nuk është optional, por është çështje jete a vdekjeje. Vetëm ai që lutet, dmth që e lëshon plotësisht vetveten në dorë të Zotit me dashuri bijnore, mund të hyjë në jetën e amshuar, që është vetë Zoti”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 4 mars 2007)







All the contents on this site are copyrighted ©.