2013-02-25 14:35:24

Publikohet Motu proprio. Papa u lë kardinjave të drejtën të mblidhen në Konklav para afatit të 15 ditëve


U publikua sot Letra apostolike e Papës, në formën e Motu Proprio, me të cilën Benedikti XVI ndryshon disa nga normat e zgjedhjes së Pasardhësit të Shën Pjetrit. Në dokument, Ati i Shenjtë saktëson se ndryshimet bëhen “për të siguruar zhvillimin më të mirë… të zgjedhjes së Papës” e sidomos për të interpretuar në mënyrë më të përshtatshme disa dispozita.
“Asnjë kardinal me të drejtë vote – shkruan Benedikti XVI – nuk mund të përjashtohet nga zgjedhja aktive dhe pasive për asnjë arsye, ose pretekst, perveçse rasteve të parashikuara në nenin 40 dhe në nenin 75” të Kushtetutës “Universi Dominici Gregis”.
Gjithashtu, me anë të Motu Proprio vendoset që “nga çasti në të cilin Selia Apostolike mbetet ligjërisht vakante, të priten për 15 ditë të plota, ata që mungojnë, para fillimit të Konklavit”. Por Papa i lë Kolegjit të Kardinjave kompetencën për të “filluar Konklavin para afatit, nëse verifikon se janë të pranishëm të gjithë kardinajtë me të drejtë vote”. Kolegji i kardinajve ka të drejtë gjithashtu ta shtyjë fillimin e Konklavit për disa ditë, por pas 20 ditëve nga fillimi i Selisë Vakante, të gjithë kardinajtë e pranishëm e kanë për detyrë të procedojnë me zgjedhjen e Papës së ri.
Në Letrën Apostolike saktësohen edhe normat për ruajtjen e sekretit gjatë Konklavit. “Krejt territori i Shtetit të Vatikanit dhe veprimtaria e zakonshme e Zyrave, që e kanë selinë brenda tij, duhet të rregullohet në mënyrë të tillë që, për atë periudhë, të sigurohet fshehtësia dhe zhvillimi i lirë i të gjitha veprimtarive, që lidhen me zgjedhjen e Papës. Në veçanti, duhet parashikuar, edhe me ndihmën e Prelatëve-Ndihmës të Dhomës, që kardinajtë me të drejtë vote të mos afrohen nga askush në rrugën nga Domus Sanctae Marthae në Pallatin Apostolik të Vatikanit”.
Të gjithë ata, që për arsye të ndryshme e në çdo kohë, mësojnë nga ndokush, drejtpërdrejt ose jo, çfarëdolloj lajmi për zgjedhjen e sidomos për numërimin e votave në zgjedhjen e Papës së ri, janë të detyruar ta mbajnë të fshehtë nga çdo person jashtë Kolegjit të kardinjave me të drejtë vote. Motu Proprio parashikon që, në fillim të zgjedhjes, të gjithë personat e përfshirë në të, duhet të bëjnë një betim mbi Ungjijtë, teksti i të cilit specifikohet nga Letra e sotme Apostolike. Nëse ndonjëri nuk e respekton këtë rregull, çkishërihet sipas formulës “latae sententiae”.
Benedikti XVI shkruan më tej se, pasi është shfuqizuar zgjedhja me brohoritje për frymëzim dhe me kompromis, forma e zgjedhjes së Papës do të jetë vetëm me votim të fshehtë. Që zgjedhja të jetë e vlefshme, janë të nevojshme dy të tretat e votave.
Nëse pas votimeve të parashikuara me nenet 72, 73 e 74 të Kushtetutës “Universi Dominici Gregis”, akoma nuk do të jetë zgjedhur Papa i ri, Benedikti XVI parashikon që “një ditë t’i kushtohet lutjes, reflektimit dhe dialogut”. Pastaj, dy kardinajtë, që kanë marrë shumicën e votave, do të jenë kandidatët, për të cilët do të shprehen kardinajtë e tjerë. Këta të dy nuk kanë të drejtë të votojnë më. Fiton ai që merr dy të tretat e votave në “ballotazh” - nëse duam të përdorim një term jo kishtar, për të shpjeguar më mirë kuptimin e kësaj procedure.
Pasi verifikohet se zgjedhja është e vlefshme, i fundit i kardinajve diakonë thërret në sallën e zgjedhjes Sekretarin e Kolegjit të Kardinajve, Mjeshtrin e Kremtimeve Liturgjike Papnore dhe dy Ceremonierë. Më pas, kardinali dekan, ose i pari i kardinjave sipas rendit alfabetik e moshës, në emër të gjithë Kolegjit zgjedhor kërkon konsensusin e të zgjedhurit me këto fjalë: A e pranon zgjedhjen tënde të rregullt si Papë? E pasi merr konsensusin, pyet: Si dëshiron të quhesh? Pas përgjigjes, Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore, me funksionin e noterit dhe me dy ceremonierë si dëshmitarë, harton një dokument për pranimin e Papës së ri dhe për emrin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.