2013-02-25 14:36:41

Benedikti XVI falënderon rregulltarët e rendit kundrues: Konkalvi mbështetet në lutjen tuaj të fuqishme drejtuar Hyjit për Kishën


Benedikti XVI falënderon Manastiret e jetës kundruese të mbarë botës për lutjen që i lartojnë Hyjit në këtë moment të veçantë të jetës së Kishës. Kështu bëri të ditur Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në një mesazh dërguar rregulltarëve e rregulltareve të klauzurës në mbarë botën.
“E tërë Kisha – shkruan kardinali Bertone – ndjek me ankth e me vëmendje të veçantë ditët e fundit të papnisë së ndritur” të Benediktit XVI dhe pret ardhjen e Pasardhësit të tij, që kardinajt e mbledhur në Konklav, “të udhëhequr nga Shpirti Shenjt, do të zgjedhin, pas të kenë shqyrtuar së bashku shenjat e kohëve të Kishës dhe të botës”. Kardinali Bertone përsërit edhe një herë thirrjen për lutje drejtuar Hyjit, që Benedikti XVI u bëri të gjithë besimtarëve që “ta shoqërojnë në momentin e dorëzimit të misionit pjetrin (papnor) në duar të Zotit, e të presin me durim ardhjen e Papës së ri”; kjo thirrje e Benediktit XVI për t’u lutur, në mënyrë të veçantë u drejtohet kundruesve. “Prej jush, prej Manastrive femërore e mashkullore të përhapura në mbarë botën” - shpjegoi kardinali Bertone – Papa “është i bindur se mund të nxjerr burimin e çmuar, atë të fesë së lutur, që gjatë shekujsh e ka shoqëruar dhe mbështetur udhën e Kishës. Konklavi i ardhshëm – shtoi Bertone – do të mund të mbështetët, në mënyrë të veçantë, mbi lutjen tuaj të pastër që buron nga zemra si himn lavdi”.
Për kardinalin Bertone “shembulli më domethënës i këtij lartësimi shpirtëror, që tregon përmasën më të vërtetë e të thellë të çdo akti kishtar, atë të Shpirtit Shenjt që e udhëheq Kishën”, na ofrohet nga vet Benedikti XVI “që, pasi ka qeverisur Barkën e Pjetrit ndër tallaze të historisë, ka vendosur t’i përkushtohet sidomos lutjes, kundrimit të të Tejlartit dhe reflektimit”. Papa – përfundon kardinali Bertone – falënderon të gjithë rregulltarët e rregulltaret e rendit kundrues, duke ripohuar “dashurinë dhe konsideratën” e madhe që ka për ta.







All the contents on this site are copyrighted ©.