2013-02-25 13:18:56

101-vjetori i botimit të “Fiala e T’in’ Zot”


Përkujtojmë sot 101 vjetorin e botimit të fletëpalosjes “Fiala e T’in’ Zot”, të arbëreshëve të Sicilisë. Më 25 shkurt të vitit 1912 nisi të dilte fletëpalosja e parë “Fiala e T’in’ Zot” në fshatin e Arbëreshëve ‘Hora e Arbëreshëve’, mbi Palermo, një revistë për të ndihmuar besimtarët të merrnin pjesë në kremtimin e Meshës së Shenjtë, në gjuhën arbënore.
Prandaj “Fiala e T’in’Zoti” ka një meritë të jashtëzakonshme, me të nis përpjekja për t’i pajisur arbëreshët e krishterët me fletën e përshtatshme, që t’u mundësonte besimtarëve një pjesëmarrje më të gjallë e në mënyrë aktive në kremtimet liturgjike si ajo e Fjalës Hyjnore dhe e Eukaristisë së Shenjtë. Natyrisht, ishte tepër shpejt të pretendohej për një fletë me leximet biblike: fletëpalosja e parë, që nisi të dilte në fshatin e Arbëreshëve mbi Palermo, tek Hora e Arbëreshëve më datën 25 shkurt të vitit 1912, përmbante pra pjesën e Ungjillit të së dielës së parë të Kreshmëve (Jani (Gjoni) 1,44-52), komentin e kësaj pjese ungjillore dhe një fragment nga letra drejtuar Hebrenjve (Hb 11,24-26;32-49).
Si fletëpalosje “Fiala e T’in’ Zot” kishte dy fletë, katër faqe. Kryeredaktori i fletëpalosjes ishte Pal Schiroi me bashkëpunëtorët e ngushtë papas Gaetano Petrotën dhe priftit papas Gjergj Dorangrikjen.
Kujtojmë se përpjekjet e para për t'i pajisur besimtarët me fletëpalosje të Meshës në Shqipëri, do të ishin fryt i penës të Atë Vinçenc Prennushit, i cili nisi ta botonte fletëpalosjen e vet, tri vjet pas mbylljes së fletpalosjes arbëreshe, më 1918, duke e quajtur krijesën e vet njëlloj: "Fjala e Tynzot".







All the contents on this site are copyrighted ©.