2013-02-24 13:42:42

Mëse 100 mijë vetë në Lutjen e fundit të Engjëllit të Tënzot. Papa: tërhiqem në mal, si Jezusi, që të lutem për Kishën


Tërhiqem për t’u lutur, për të vazhduar t’i shërbej Kishës “me të njëjtin përkushtim e me po atë dashuri, siç kam bërë deri tani”. Me këto fjalë u foli besimtarëve sot paradite, Benedikti XVI: mëse 100 mijë vetë, që mbushën plot e përplot Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, por edhe një pjesë të rrugës së Pajtimit. Në Lutjen e fundit të Engjëllit të Tënzot, gjatë papnisë së tij, Jozef Racinger falenderoi të gjithë për dashurinë, që i treguan në këtë çast të veçantë për të e për Kishën Katolike. Parrullat, që njerëzit mbanin lart, dëshmonin qartë për vulën, që lë ky Papë në zemrat e secilit. “Ne të kuptojmë fort mirë e të duam përgjithmonë”, “Nuk je vetëm, unë jam me ty”, “Benedikti XVI, sërish Papë” e të tjera fraza si këto, shkruar në gjuhë të ndryshme e shoqëruar nga flamuj të ndryshëm, nga e gjithë bota, pasqyronin më së miri ndjenjat e mallëngjimin e sheshit.RealAudioMP3
Me dukjen e tij të fundit në dritaren e studios, nga ku për tetë vjet me radhë, bekoi besimtarët e mbledhur për Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Benedikti XVI shpjegoi si do të jetë jeta e tij pas 72 orësh. E, përdori për këtë Ungjillin e sotëm, të së dielës së dytë të Krezhmëve, që përshkruan shndërrimin e Jezusit në Malin e Ullinjve, para syve të apostujve të vet, Pjetrit, Gjonit e Jakobit. Kjo pjesë ungjillore “veçanërisht e bukur”, tha Ati i Shenjtë, është “fjala e Zotit, që e ndjej sikur më drejtohet mua, në këtë çast të jetës”:
“Zoti më thërret të ‘ngjitem në mal’, t’i kushtohem më shumë lutjes dhe meditimit. Por kjo nuk do të thotë se po e braktis Kishën, përkundrazi, nëse Hyji më kërkon këtë, e bën pikërisht që unë të mund të vazhdoj t’i shërbej asaj me të njëjtin përkushtim e me po atë dashuri, me të cilën i kam shërbyer deri tani, por në një mënyrë më të përshtatshme për moshën dhe forcat e mia”.
Duartrokitjet e fuqishme që pasuan, e mbushën sheshin e Shën Pjetrit me atë ngrohtësi, që nuk qenë në gjendje t’ia jepnin rrezet e vakëta të diellit, i cili herë dilte e herë fshihej pas reve. Katër ekranet e mëdha në shesh u tregonin mëse 100 mijë të pranishmëve shprehjen e fytyrës së Benediktit XVI, por edhe atë të besimtarëve të mallëngjyer. E padukshme, bota e miliona shikuesve të televizionit, lidhur në mondovizion, por edhe atyre iu drejtua Papa për t’u besuar një ndër reflektimet e fundit të magjisterit të tij, i cili tashmë ka hyrë në histori. E jo më kot, Papa foli edhe një herë për lutjen, madje theksoi:
“…përparësinë, primatin e lutjes, pa të cilën krejt impenjimi i apostullimit dhe i bamirësisë reduktohet në aktivizëm. Gjatë Krezhmëve, mësojmë t’i lemë kohën e duhur lutjes, tonës personale e asaj të bashkësisë, që i jep frymë jetës sonë shpirtërore. Përveç kësaj, lutja nuk është izolim nga bota e nga kontradiktat e saj, ashtu siç do të kishte dashur të bënte Pjetri në malin Tabor, por urata çon sërish në udhë, drejt veprimit”.
Me vështrimin lart, drejt dritares së Papës, mijëra vetë tundën kryet në shenjë pohimi e duartrokitën. Shumë nga të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit u përkisnin lëvizjeve e shoqatave katolike, të cilat e dinë - sepse e kanë përjetuar vetë - se lutja është burimi, që të bën të përveshësh mëngët për ta shndërruar bamirësinë në fakte konkrete. Parrullat e shumta, në gjuhë të ndryshme të botës, dëshmonin se kjo grigjë e kishte kuptuar më së miri “Krishtin në tokë”, siç shkruhej në njërën prej tyre. E Benedikti XVI shprehu mirënjohjen e tij, duke thënë me gjithë zemër “Faleminderit”, e para dhe e fundit fjalë e tij në Lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot:
“Ju falenderoj për dashurinë dhe bashkëndarjen, sidomos në lutje, të këtij çasti të veçantë për mua e për Kishën. Të gjithëve ju uroj t’ia kaloni mirë të dielën dhe javën. Faleminderit, në lutje, jemi gjithnjë afër!”
E pastaj, përshëndetja e fundit, krahët e hapura si për të përqafuar turmën e, hapat mbrapa, pas perdes e pas dritares, që mbyllet. Por s’kalojnë disa çaste e fjala e Benediktit XVI merr sërish dhenë, duke u përhapur me shpejtësi përmes celularëve, kompiuterave, rrjeteve shoqërore. Tweet-i i parafundit i Papës në rrjetin shoqëror Twitter, është njëkohësisht kërkesë e siguri: “Në këtë çast të veçantë, ju kërkoj të luteni për mua e për Kishën, duke pasur besim, si gjithnjë, në Provaninë Hyjnore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.