2013-02-24 15:29:03

Atë Lombardi: shpifjet dhe informacioni i rremë për Kishën nuk e prekin fenë e besimtarëve


Sekretaria e Shtetit të Vatikanit publikoi dje një dokument, me të cilin kritikon përpjekjet për të kushtëzuar kardinajtë, para Konklavit, me anë të përhapjes së “lajmeve shpesh të paverifikuara, ose të paverifikueshme, e madje të rreme, duke shkaktuar dëme të mëdha për njerëzit dhe institucionet”. Tekstin e plotë të kësaj deklarate mund ta gjeni në faqen tonë të internetit radiovaticana.va. Rolit të mediave në këtë çast të veçantë të krishterimit, ia kushton komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3
“Udha e Kishës, gjatë javëve të fundit të papnisë së Benediktit XVI, deri në zgjedhjen e Papës së ri, duke kaluar përmes Selisë Vakante dhe Konklavit, është mjaft impenjative, nëse kemi parasysh risinë e kësaj situate. Nuk kemi nevojë – e jemi të gëzuar për këtë – të bartim dhimbjen për vdekjen e një Pape të dashur, por nuk na është kursyer një sprovë tjetër: ajo e shumëfishimit të presioneve dhe të konsideratave jashtë frymës me të cilën Kisha do të dëshironte ta jetonte këtë kohë pritjeje dhe përgatitjeje.
Vërtet, nuk mungojnë ata, që përpiqen të përfitojnë nga çasti i befasisë dhe nga çorientimi i njerëzve me shpirt të dobët, për të përhapur konfuzion dhe për të hedhur baltë mbi Kishën e udhëheqjen e saj, duke përdorur mjete të lashta – si përgojimi, dizinformimi e, nganjëherë, edhe shpifja – ose duke ushtruar presione të papranueshme, për të kushtëzuar pjesëmarrjen në votim të njërit apo tjetrit anëtar të Kolegjit të kardinjave, që konsiderohet i padëshiruar për arsye të ndryshme.
Në rastet më të shumta, kush bën gjykatësin, duke shprehur gjykime të rënda morale, në të vërtetë, nuk ka asnjë autoritet për këtë. Kujt i shkon nëpër mend vetëm paraja, seksi e pushteti dhe është i mësuar ta masë me këtë lloj metri realitetin, nuk është i aftë të shohë tjetër as brenda Kishës, sepse vështrimi i tij nuk di të synojë lart, ose të zbresë në thellësi për të kuptuar përmasat dhe arsyet shpirtërore të jetës. Rezulton kështu, një përshkrim thellësisht i padrejtë i Kishës dhe i shumë prej njerëzve të saj.
Por e gjithë kjo nuk do ta ndryshojë sjelljen e besimtarëve, nuk do ta prekë fenë dhe shpresën, me të cilën e hedhin vështrimin kah Zoti, që ka premtuar ta shoqërojë Kishën e vet. Sipas traditës e ligjit të Kishës, ne duam që kjo të jetë kohë e sinqertë reflektimi për aspiratat shpirtërore të botës e për besnikërinë e Kishës ndaj Ungjillit, kohë lutjeje për t’i kërkuar ndihmë Shpirtit Shenjt, kohë afërsie me Kolegjin e kardinjave, i cili përgatitet të kryejë shërbimin impenjativ të shoshitjes e të përzgjedhjes, që i kërkohet e që është edhe arsyeja kryesore e ekzistencës së tij.
Në këtë, na shoqëron para së gjithash, shembulli dhe ndershmëria shpirtërore e Papës Benedikti XVI, i cili deshi t’ia kushtojë këtë pjesë të fundit të papnisë, lutjes së fillimit të Krezhmëve. Një udhë pendestare kthimi zemrash kah gëzimi i Pashkëve. Kështu po e përjetojmë e do ta përjetojmë: kthim e shpresë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.