2013-02-23 17:25:13

Ushtrimet shpirtërore në Vatikan. Papa: e keqja e njollos bukurinë e Zotit, por kush beson e sheh të vërtetën dhe dashurinë


Në një botë që e “njollos” bukurinë e Hyjit, të besosh do të thotë ta “prekësh” dorën e Tij e ta shohësh dashurinë e Tij. Kështu pohoi sot paradite në Vatikan Papa Benedikti XVI, në përfundim të ushtrimeve shpirtërore të kohës së Krezhmëve, të cilat sivjet, para Papës e anëtarëve të Kuries Romake, u predikuan gjatë tërë kësaj jave nga kardinali Gianfranco Ravasi. Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger falënderoi bashkëpunëtorët e tij që gjatë këtyre viteve kanë nda bashkë me të përgjegjësinë e misionit pjetrin, përgjegjësinë e shërbimit papnor.
Terri e ndyrësia. E keqja vepron për të vë në hije, për të njollosur bukurinë e Zotit. Por nga errësira e nga balta dilet me fe, e besimi është busulla që na ndihmon ta gjejmë, në mesin e territ, dorën e Zotit, e të rizbulojmë dashurinë dhe të vërtetën. Imazh i thjeshtë e i fuqishëm ky që përdori Papa Benedikti XVI për t’i dhënë zë eksperiencës shpirtërore që u përjetua këtyre ditëve në Vatikan, duke dëgjuar e reflektuar mbi meditimet krezhmore të kardinalit Ravasi. Që në çastin kur Hyji e krijoi botën, për të konstatuar më pas, në fund, se gjithçka “është shumë e bukur”, pikërisht kjo mahnitje, ky konstatim “shumë e bukur”, pohoi Papa RealAudioMP3
në mënyrë të përhershme kundërshtohet e luftohet nga e keqja e kësaj bote, nga vuajtja, nga korrupsioni...aq sa gati të thuash se i keqi (djalli) e njollos gjithmonë krijimin, për ta kundërshtuar Zotin e për të bërë të shpërfytyrohet, pra të mos njihet e vërteta e tij e bukuria e tij”.
E gjatë fjalës së tij, duke përmendur se fili udhërrëfyes i ushtrimeve shpirtërore ishte “Arti i besimit, arti i lutjes”, Benedikti XVI tha se ka menduar që teologët mesjetarë e kanë përkthyer fjalën greke Logos, jo vetëm me Verbum – që shqip do të thotë Fjalë, por edhe me ars, që do të thotë “art”, duke i konsideruar “ndërthurshmërinë”, “ndërkëmbyeshmërinë” mes tyre. Këtë për të thënë, vijoi Papa, se “Logosi nuk është vetëm arsyetim matematikor: Logosi ka një zemër; Logosi është edhe dashuri. E vërteta është e bukur dhe e vërteta e bukuria shkojnë së bashku: bukuria është vula e së vërtetës”.
Në fillim të fjalës, Benedikti XVI falënderoi kardinalin Ravasi që propozoi, përmes Psalmeve, një udhëtim të bukur “në gjithësinë e fesë”. “Kemi mbetur të mahnitur – shpjegoi Ati i Shenjtë Ratcinger – nga pasuria, nga thellësia, nga bukuria e këtij universi të fesë e jemi mirënjohës sepse Fjala e Zotit na ka folur në mënyrë të re, me forcë të re”.
Por edhe fjalët e fundit të Papës janë fjalë mirënjohjeje. Një mirënjohje që tejkalon kufijtë e Kapelës Redemptoris Mater në Vatikan, ku gjatë kësaj jave u mbajtën ushtrimet shpirtërore, e që dëshiron të ripohoi se mbarimi e fillimi i ri tashmë i afërt, në zemër të Papës, do të jenë përherë klithje për të ecur edhe më tej në vazhdimësi, të “këtij universi të mistershëm të fesë, për të qenë kurdoherë të aftë për t’u lutur, për të punuar, për të kumtuar, për të qenë dëshmitarë të së vërtetës, që është e bukur, që është dashuri”.
Së fundi, të dashur miq, dua t’u falënderoj të gjithë ju e jo vetëm për këtë javë, por këto tetë vjetët, gjatë cilave bashkë me mua keni bartur, me kompetencë të madhe, me përzemërsi, me dashuri, me fe, peshën e misionit pjetrin. Kjo mirënjohje mbetët në mua megjithëse tani përfundon pamja e jashtme e bashkimit, por – siç tha kardinali Ravasi – mbetët afërsia shpirtërore, mbetët bashkimi i thellë në lutje. Me këtë bindje të shkojmë përpara, të sigurt në fitoren e Zotit, të sigurt në të vërtetën e bukurisë e të dashurisë”. Faleminderit ju të gjithëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.