2013-02-22 14:31:55

Papa e Katedra e Shën Pjetrit: Krishti vazhdon ta ndërtojë Kishën e vet, përmes njerëzve të brishtë


Kisha kremton sot festën e Katedrës së Shën Pjetrit. Festë e lashtë, që u ka dhënë te krishterëve mundësinë për të reflektuar mbi rolin e autoritetin e Papës së Romës e ka hedhur bazat e doktrinës së Kishës në këtë drejtim. Edhe magjisteri i Benediktit XVI, gjatë këtyre viteve, ka kontribuar në pasurimin e kësaj doktrine. Mësimi i fundit i Jozef Racinger qe pikërisht tërheqja nga shërbimi papnor. Sot, po ju propozojmë disa mendime të Papës mbi rolin e Pasardhësit të Shën Pjetrit.
Jozef Racinger – e dinë të gjithë – reflekton me vetëdijen, qartësinë dhe thellësinë e atij, që konfrontohet përditë me Shkrimin Shenjt. Si i ri e pastaj, si seminarist, meshtar, ipeshkëv, kardinal e Papë, Benedikti XVI i ka shfletuar faqet e së Vërtetës hyjnore, i ka lexuar, i ka studiuar e shqyrtuar deri në fund, duke analizuar me përvuajtëri edhe shkrimet e Etërve të Kishës. Kush është Pjetri? Sa herë duhet t’ia ketë bërë vetes këtë pyetje. E imagjinojmë, se përgjigjen e ka kërkuar - me përvuajtëri, por edhe me këmbëngulje – aty ku Zoti u ka folur njerëzve e Biri i Tij, popullit të ri. Aty ku, si i krishterë më parë e, si Bari i Kishës më pas, Jozef Racinger e ka ushqyer gjithnjë shpirtin dhe inteligjencën, në Besëlidhjen e Vjetër e të Re:
“Në shërbimin e Pjetrit zbulohet, nga njëra anë, brishtësia e gjithçkaje që karakterizon njeriun, por njëkohësisht, edhe forca e Zotit: pikërisht në brishtësinë e njerëzve, Hyji shfaq forcën e vet; tregon se është Ai, që e ndërton Kishën e vet, përmes njerëzve të dobët” (Solemniteti i Shën Pjetrit dhe i Shën Palit, 29 qershor 2006).
Benedikti XVI e pati thënë gjithmonë publikisht. Bota përpiqet ta shpjegojë të paparën, tërheqjen nga froni i Shën Pjetrit, duke tundur e shkudur kategoritë në dispozicion, ato të arsyes - akt politik, ikje nga ndonjë komplot, probleme shëndetësore, tipar i karakterit - vetëm duke e cekur paksa anën e jashtme të së vërtetës, e cila vazhdon të jetë e pakuptueshme, pasi interpretohet me kritere, që nuk marrin parasysh të tërën. Bashkësitë e krishtera, me kalimin e ditëve, përpiqen ta pranojnë me gjithë shpirt faktin se, pavarësisht nga njëmijë analiza, duhet respektuar jo vetëm ndërgjegjja e Atit të Shenjtë, por duhet kuptuar edhe se ekziston një cak i pashqyrtueshëm në veprimin e Shpirtit Shenjt. Në këtë atmosferë, asgjë më shumë se vendimi i Papës për t’u tërhequr nga shërbimi i Shën Pjetrit për Kishën e Krishtit, s’mund të shpjegohet ndryshe, veçse me arsyet, që vijnë nga feja.
Po ajo fe, të cilën Jozef Racinger, Benedikti XVI ia ka ushqyer vetes me vite. Po ajo fe, që e bëri të thotë se Kisha nuk është e Shën Pjetrit, por e Krishtit. Pa Birin e Zotit, timonieri i barkës do të ishte thjesht një marinar i humbur nëpër stuhitë e historisë. Mjafton të lexojmë Ungjillin, thotë Papa, aty është e shkruar çdo gjë: në një det të trazuar, Pjetri nuk di ç’të bëjë, por është Krishti Ai, që i vë fre erës:
“Përmes kësaj, Pjetri – e me të çdo Pasardhës i tij – duhet të mësojë se vetëm forcat e veta nuk janë të mjaftueshme për të ndërtuar e udhëhequr Kishën e Zotit. Askush nuk mund të fitojë vetëm me forcat e veta. Sado të duket i aftë e i mirë Pjetri – që në çastin e parë të sprovës, dështon” (Solemniteti i Shën Pjetrit e i Shën Palit, 29 qershor 2006).
Jozef Racinger, Benedikti XVI - kujtojmë - e pati thënë gjithmonë publikisht. Shën Pjetri është shkëmb, sepse granit e bën Krishti. Nuk është ndonjë dhunti njerëzore, që fitohet me zgjedhjen në fronin papnor, por është dhe mbetet dhuratë hyjnore. Pra, me anë të tërheqjes së tij, Papa pastroi dregëzat, që ishin grumbulluar për dymijë vjet mbi shërbimin pjetrin, me shekuj, të fshehura nga një prestigj, i cili – në perceptimin e njerëzve të thjeshtë - e ktheu Pjetrin në një kryetar të vetvetes, i gjithëpushtetshëm nga vetvetja, duke e larguar, në fund të fundit, pikërisht nga vetvetja. Shën Pjetri është dhe mbetet njeriu i thirrur për të ndjekur një kryetar të vetëm, Jezu Krishtin, me fe të pastër, të thjeshtë e sidomos të përvuajtur:
“Gjithçka në Kishë mbështetet mbi fenë: Sakramentet, liturgjia, ungjillëzimi, bamirësia dhe dashuria. Edhe e drejta, edhe autoriteti i Kishës e ka bazën në fe. Kisha nuk vetërregullohet, nuk përcakton normat për vetveten, por i merr nga Fjala e Zotit, të cilën e dëgjon me fe, përpiqet ta kuptojë e ta jetojë” (Mesha me kardinajtë e rinj, 19 shkurt 2012).
Asgjë, sa tërheqja e Benediktit XVI, nuk e ka lëkundur dhe fshirë nga horizonti i papnisë kategorinë e ushtrimit të pushtetit, ashtu si e kupton njeriu, nga Adami e tutje. Tërheqje e admirueshme, për t’u lënë vendin forcave të reja, por të mahnit edhe diçka tjetër. Edhe këtë e pati thënë Benedikti XVI. Shën Pjetri është në krye të Kishës jo kur përdor politikën, paranë apo mediat. Shën Pjetri e udhëheq Kishën vetëm nëse përdor atë monedhë, që vlen për Mbretërinë e Zotit, monedhën e dashurisë:
“Prandaj, ‘të kryesosh me dashuri’ do të thotë t’i tërheqësh njerëzit drejt përqafimit eukaristik – përqafimit të Krishtit – i cili kapërcen çdo pengesë e çdo gjë të huaj, duke krijuar bashkimin pikërisht nga ndryshimet e shumta. Shërbimi pjetrin është kështu, primati i dashurisë në kuptimin eukaristik të fjalës, pra, shqetësim për bashkimin universal të Kishës së Krishtit” (Mesha me kardinajtë e rinj, 19 shkurt 2012).
Shërbimi i Shën Pjetrit është “primat dashurie”. E çfarë më koherente se kaq, do të kishte mundur të thoshte “punëtori i përvuajtur i Vreshtës së Zotit”? Një telog i rrallë në 50 vjetët e fundit, me një inteligjencë jete të krishterë, të ushqyer nga lutja dhe njohja e Biblës, që nuk e ka bërë kurrë të harrojë – edhe në ditët më të dhimbshme – se Kisha është një grigjë, që ecën pas Krishtit, duke filluar nga Pjetri. E Krishti, vetëm Ai, do ta mbrojë gjithmonë me një forcë më të madhe, se çdo forcë:
“Është pushteti i së mirës, i së vërtetës dhe i dashurisë, më i fortë se vdekja. Po, është i vërtetë premtimi i Tij: pushteti i vdekjes, portat e ferrit nuk do të ngadhnjejnë kundër Kishës, që Krishti e ka ngritur mbi Pjetrin (shih Mt 16,18) e që vazhdon ta mbajë personalisht, pikërisht me këtë pushtet” (Solemniteti i shën Pjetrit dhe i shën Palit, 29 qershor 2006).







All the contents on this site are copyrighted ©.