2013-02-22 17:23:54

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Kreshmëve “C


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së dytë të kohës së Kreshmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Leximet biblike të kësaj së diele të dytë të Kreshmëve flasin për dëftimet e mëdha të Zotit: dëftimi i marrëdhënies së besnikërisë që e lidhë Zotin me njeriun në personin e Abrahamit, dëftimi i cakut e fatit të lavdishëm në Krishtin që “na ka shndërruar në korpin e vet të lavdishëm” sipas porosisë së Palit drejtuar Filipianëve dhe së fundi dëftimi i hyjnisë së Krishtit “Birit të zgjedhur” në Shndërrimin mbi Malin Tabor.
Kështu, pas tundimeve të Krishtit, për të cilat foli Ungjilli i dielës së kaluar, dielës së parë të Kreshmëve, në këtë diele të dytë, ungjilli na paraqet Shndërrimin e Krishtit ; në përjetimin e parë dhe këtë të dytin kemi një aspekt e pjesë të përbashkët: është lutja. E derisa po lutej, - Shpirti e solli -, e djalli filloj ta tundonte Jezusin; dhe akoma derisa Jezusi është në lutje, zbulohet e shfaqet hyjnia e tij.
Me lutje ngadhënjejmë dhe mposhtim të këqijat, sepse kush lutet e ka në zemër e në duar gati gati të njëjtën fuqi të gjithëpushtetshme hyjnore; me lutje realizohet kthimi jonë nga mëkati në hirin e Zotit, të qenurit tonë njerëzor kalon në të qenurit mbinjerëzor, që plotësohet përkundra të gjitha pengesave e vështirësive. Ungjilli i Lukës na zbulon në mënyrë të posaçme këtë vazhdimësi; elementin e lutjes do ta gjejmë në mënyrë krejt të jashtëzakonshme në uratën mbi Golgotë ku lutja i jep Jezusit forcën ta pranoj, në errësirën e braktisjes së Atit, vullnetin e tij hyjnor. Ungjilli më tej na thotë se dishepulli nuk ka kënd tjetër që ta kërkojë apo dëgjojë përveç Jezusit. Vetëm atë.
Pjesa Ungjillore e kësaj së diele na fton të ecim bashkë me Krishtin drejt malit të shenjtë për të kundruar fytyrën e tij të lavdishme. Duke vështruar Jezusin e shndërruar në shkëlqimin e lavdisë së tij mbi malin Tabor, ne nxitemi, mbushemi me shpresë që edhe ne do t’ia arrijmë lavdisë së jetës së përjetshme e do të shndërrohemi bashkë me Të në amshim. Me shndërrimin e vet, Jezu Krishti na kumton ngjalljen e tij e na tregon se edhe ne jemi të paracaktuar të jemi e të bëhemi pjesë e lavdisë së tij hyjnore të qiellit. Tani e përjetojmë mundimin, e pësojmë peshën e jetës së përditshme, por jemi të nxitur, jemi të frymëzuar, jemi të mbështetur e të shndritur nga shpresa e jetës së amshuar, në të cilën Zoti na ka thirrur.
Ungjilli (Lk 9,28-36) i kësaj së diele të dytë të Kreshmëve që paraprijnë e përgatisin Pashkët, na paraqet Jezusin në udhëtim drejt Jerusalemit, drejt pagëzimit të kryqit; në një ndalesë gjatë udhëtimit, tre dishepujt e tij do të kenë mundësinë ta kundrojnë (sodisin) Mësuesin e shndërruar në lavdi. Edhe ne kemi të njëjtin cak e fat të lavdishëm, pohon leximi i dytë i kësaj së diele nga letra e Shën Palit drejtuar Flipianëve (Fil 3,17-4,1) ndërsa Abrahami në leximin e parë të liturgjisë së Fjalës së dielës( Zan 15,5-12.17-18) mund të kundrojë fatin e cakun në të cilin Zoti e thërret, do të thotë të bëhet atë (babai) i trashëgimtarëve të panumërt.
Po përfundojmë këtë mendim e meditim me lutjen e fillimit që e dëgjojmë në Meshën e kësaj së diele:
“O Hyj, që na ke thënë të dëgjojmë Birin tënd të dashur, ushqeje besimin tonë me fjalën tende dhe pastroji sytë e shpirtit tanë, që të gëzojmë pamjen e lume të lavdisë tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen”!

Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Zan 15, 5-12.17-18

Në këtë lexim përkujtohet një rit i vjetër i besëlidhjes në Lindjen e Mesme. Secila palë e besëlidhjes kalonte në mes të kafshëve të prera përgjysmë të gatshme për tu ofruar duke thënë: “Nëse unë do të prish këtë besëlidhje, më ndodhtë siç u ka ndodhur këtyre mëshqerrave”.
Por këtu Hyji kalon përmes mëshqerrave të prera për të treguar që besëlidhja varet vetëm nga nisma e Hyjit, nga mëshira e tij, por pabesnikëria e bijve të Abrahamit nuk mund ta pengojë besnikërinë e Hyjit.

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Zoti e bëri Abrahamin të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroj yjet, po munde!” Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu.” Ky i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi. I tha edhe: “Unë jam Zoti që të nxora nga Uri i Kaldesë për ta dhënë këtë tokë pronë.” Abrami i tha: “O Zot, Hyj, nga mund ta di se ajo do të jetë prona ime?” Zoti përgjigji: “Ma gjej një mështjerrë tri vjeçe dhe një dash tri vjeç, një turtull dhe një pëllumb.”
Abrami i mori këto të gjitha dhe i preu për mjedis dhe secilën prej gjysmave e vendoi njërën kundruall tjetrës. Shpendët nuk i preu. Shpendët grabitqarë lëshoheshin mbi kufoma, por Abrami i dëbonte. Në të perënduar të dielli, Abramin e lodhi gjumi dhe, ja, e kaploi një tmerr i madh dhe e mbështoll një errësirë e dendur.
Kur perëndoi dielli, u bë një terr i zi, u duk një tangar i ndezur dhe flakadani i përshkoi ato pjesë. Atë ditë Zoti lidhi këtë besëlidhje me Abramin: “Këtë tokë do t’ia jap farës sate prej lumit të Egjiptit deri në lumin e madh, Eufrat.”
Fjala e Zotit.

Psalmi 27

Zoti është drita ime dhe shëlbimi im.
--------
Zoti është mbrojtësi i jetës sime,
para kujt do të dridhem?
Le të çohet, në dashtë,
edhe një ushtri e tërë kundër meje:
zemra nuk më trembet.
--------
Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime,
ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!
Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time!”
“Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj.”
--------
Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,
mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!
Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz,
mos hiq dorë prej meje,
Hyji i shpëtimit tim!
--------
Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.
Shpeso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!
--------

Leximi i dytë Fil 3, 17 – 4, 1
Ne besojmë në ringjalljen e Krishtit dhe që Ai do të na ringjallë në ditën e fundit për të na komunikuar jetën e tij dhe për të ripërtërirë të gjithë universin. Ky besim në ringjalljen e trupit tonë të mjerë dhe në amshimin e tokës sonë të shndërruar na shtyn të duam botën në të cilën jetojmë dhe të jemi të lirë përballë botës.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Më përngjani mua, o vëllezër, dhe vëreni ata që jetojnë simbas shembullit që keni në ne. Sepse, sikurse ju kam thënë shpesh herë e tani po jua them me lot për faqe, shumë jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit! Mbarimi i jetës së tyre është dënimi, hyji i tyre është barku dhe lavdia e tyre në trup – ata mendojnë vetëm gjërat tokësore. Kurse Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm në saje të pushtetit që ka të nënshtrojë nën sundimin e vet gjithçka. Prandaj, vëllezërit e mi të dashur që aq fort ju kam për zemër, gëzimi dhe kurora ime, kështu pra, qëndroni të fortë në Zotin.
Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë:
“Ky është Biri im. Atë dëgjoni!”
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Lk 9, 28-36
Lutjen: “Na e shfaq fytyrën tënde, o Zot”, asnjë hebre nuk ka provuar ta thotë ndonjëherë nga frika se mos vdes. Moisiu dhe Elia, tregon Bibla, kanë parë Hyjin vetëm nga prapa.
Kërkesa e tyre për të parë Hyjin është aktuale akoma sot edhe për ne. Edhe apostujt në momentin kur shohin fytyrën e Hyjit, zbulojnë se Hyji i kërkuar nga ata është një njeri që është duke vdekur.
Fytyra e vërtetë e Hyjit zbulohet në vdekjen e Birit të tij. Është një zbulim i hidhur për hebrenjtë dhe për secilin prej dishepujve të tij.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur. Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima. Kur qe, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem.
Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të. Dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: “Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po i bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte. Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika.
Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im – i Zgjedhuri! Atë dëgjoni!” Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm. Nxënësit heshtën dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.
Fjala e Zotit.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës së 2-të të Krezhmëve, mund të dëgjoni këtu....... RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.