2013-02-22 19:22:17

Letër e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë për Benediktin XVI


Atë i Shenjtë,
jemi akoma të tronditur e thellësisht të mallëngjyer nga lajmi i papritur i tërheqjes nga shërbimi i Ipeshkvit të Romës dhe i Papës, e si bij të devotshëm shtrëngohemi rreth jush, i Lumnueshmi Atë, për t’ju shprehur gjithë solidaritetin, dashurinë, admirimin e nderimin tonë të madh.
Me këtë gjest të guximshëm, të përgjegjshëm, të përvuajtur, ju na dhatë një leksion të madh jete. Ishim mësuar kaq shumë me praninë tuaj, saqë megjithëse prej disa kohësh vërenim shenja lodhjeje, për shkak të moshës së shtyrë, e shihnim, gati pa vetëdije e si diçka të natyrshme, faktin që ju do të vazhdonit ta udhëhiqni barkën e Shën Pjetrit, pavarësisht nga të gjitha.
Me një akt përvuajtërie të guximshme e urtie të shndritur nga Hyji, ju na hapët zemrën, duke na thënë: “Siç e dini, vendosa… të heq dorë nga ministeri, që Zoti ma besoi… me liri të plotë, për të mirën e Kishës… pasi u luta gjatë dhe rrëmova, para syve të Zotit, ndërgjegjen time… Faleminderit! E ndjeva gati fizikisht, në këto ditë aspak të lehta për mua, forcën e uratës, që ma dhanë dashuria e Kishës e lutjet tuaja. Vijoni të luteni për mua, për Kishën, për Papën e ardhshëm. Zoti do të na prijë!”.
Atë i Shenjtë, këto fjalë na mallëngjejnë thellësisht e, nëse nga njëra anë na vjen keq t’ju shohim të tërhiqeni, për t’iu përkushtuar plotësisht lutjes, nga ana tjetër, ju do të jeni gjithmonë i pranishëm në mendjet, në zemrat e në jetën tonë.
Na lejoni, Atë i Shenjtë, t’ju falenderojmë për papninë tuaj, kaq e mbushur plot me ngjarje të jashtëzakonshme, me rëndësi trashendentale, ngjarje të shoqëruara jo vetëm nga drita, por edhe nga hije e nga vuajtje të mëdha.
Faleminderit, Atë i Shenjtë, sepse me gojëtarinë tuaj, si mendimtar e teolog i nivelit të lartë e me përshpirtëri shumë të thellë, ditët të shihni brenda Kishës, në shtresat e saj më të thella, nganjëherë të trazuara e të çorientuara. Patët guximin dhe forcën, që vjen nga Lart, t’i quani gjërat me emrin e tyre, duke u përpjekur të ndreqni abuzime, çrregullime dhe devijime, me dëshirën e vetme e të zjarrtë për ta kthyer Kishën në shkëlqimin, pastërtinë e vërtetësinë ungjillore të Bashkësisë së Apostujve e të Kishës së të krishterëve të parë.
Faleminderit, Atë i Shenjtë, sepse papnia juaj karakterizohet nga marrëdhëniet më të mira ekumenike dhe ndërfetare në botë, ndërmjet Kishës Katolike dhe Vëllezërve ortodoksë, Kishave të Reformës, Hebraizmit e Islamizmit.
Faleminderit për librat tuaj të panumërt, burim i pashterrshëm i doktrinës së vërtetë të krishterë.
Faleminderit për udhëtimet tuaja të shumta në Itali, në Evropë e në botë, si shtegtar i paqes dhe lajmëtar i Ungjillit të Krishtit.
Faleminderit për tri Enciklikat e jashtëzakonshme, për Letrat e shumta Apostolike, ndër të cilat, me më të mbramen, “Porta Fidei”, për shpalljen e Vitit të Fesë, na latë kështu, një dhuratë të fundit të çmuar të papnisë suaj (dokumente, gati të gjitha, të përkthyera në shqip).
Faleminderit, Atë i Shenjtë, pasi futët sërish elementet themelore të shpalljes së Ungjillit e të traditës së krishterë në zemër të botës së sotme, duke u përpjekur të dëshmonit koherencën e tyre me të vërtetat më të thella të ekzistencës njerëzore.
Faleminderit Shenjtëri, sepse ju, siç shpjegon mirë John Allen në librin e tij “Dhjetë gjëra që Benedikti XVI dëshiron t’i dish”, u impenjuat ta udhëhiqni popullin e sotëm të Zotit t’i shohë ato mësime me një vështrim të ri, duke lënë mënjanë paragjykimet dhe keqkuptimet, që janë grumbulluar gjatë shekujve.
Faleminderit, Atë i Shenjtë, për thellësinë tuaj njerëzore shfaqur me përvuajtëri të madhe, me qetësi dhe përzemërsi. Do t’i dëgjojmë përgjithmonë “falenderimet” tuaja të shumta, përsëritur në sa e sa raste, por edhe kërkimin e “faljes” nga ana juaj.
Faleminderit, Atë i Shenjtë, sepse përveçse na dhatë një leksion të madh feje, shprese e dashurie, na dhatë edhe një leksion të jashtëzakonshëm jete.
Atë i Shenjtë, ju sigurojmë se populli shqiptar, kleri dhe të gjithë ipeshkvijtë do të luten me zjarr, siç kanë bërë gjithmonë e siç do të bëjnë edhe në të ardhmen; ne ipeshkvijtë kemi shpallur për datën 28 shkurt, ditën e fundit tuajën si Papë, një ditë lutjeje dhe kremtimesh të Meshës Shenjte në të gjitha kishat e Shqipërisë, për ju dhe për Papën e ardhshëm, që do të na dhurojë Shpirti i Shenjtë.
Atë i Shenjtë, Kisha Katolike në Shqipëri i ka qëndruar gjithnjë besnike Papës e kështu do të jetë edhe në të ardhmen; sa herë kam pasur mundësinë t’ju takoj, për Hir të Zotit, ju kam kërkuar ta bekoni Shqipërinë. Më lejoni, Atë i Shenjtë, t’ju kërkoj bekimin e fundit tuajin si Papë për mua, për vëllezërit e mi ipeshkvij, për katolikët shqiptarë dhe për gjithë Shqipërinë. “Shërbëtorët e Zotit: imzot Vinçenc Prennushi me shokë”, vrarë nga regjimi komunist shqiptar, për të cilët po vazhdojnë punimet e “Positio”-s që Kisha t’i njohë si “Martirë”, qofshin pranë jush në këtë periudhë delikate të misionit dhe jetës suaj.
Me dashuri e mirënjohje
Angelo Massafra OFM
Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit
Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

---------------------------------
Hirësisë së Tij
Kardinal Tarcisio Bertone
Sekretar i Shtetit të Vatikanit

Prot. n. 06/2013
Shkodër, 16/02/2013







All the contents on this site are copyrighted ©.