Kisha katolike kremton festën e Katedrës së Shën Pjetrit
Me 22 shkurt Kisha katolike kremton festën e Katedrës së Shën Pjetrit. Kjo festëtërheq vëmendjen e mbarë botës katolike mbi figurën e Shën Pjetrit dhe misionin
e tij të veçantë, që ia besoi Krishti. Në të vërtetë historia na flet për dy katedra
të Shën Pjetrit: para udhëtimit dhe martirizimit të tij në Romë, Selia e magjisterit
të Shën Pjetrit ishte në Antioki. E liturgjia i kremtonte këto dy Seli të ndryshme
në dy data të ndryshme: më 18 janar (në Romë) e më 22 shkurt (në Antioki). Pas rishikimit
të Kalendarit liturgjik u vendos që të dyja përkujtimet të kremtohen në një datë të
vetme, më 22 shkurt. Festa – shkruhet në Mesharin Romak – me simbolin e Katedrës,
vë në dukje misionin e Pjetrit si mësues e bari, besuar nga vetë Krishti, mision që
vijojnë ta kryejnë pasardhësit e tij, si fillesë e themel i dukshëm i bashkimit të
Kishës. Katedra, në kuptimin e ngushtë të fjalës, është Selia e përhershme
e Papës dhe e ipeshkvijve. Vendoset në Kishën-nënë të dioqezës (prej këndej edhe emri
i saj katedrale). Është simbol i autoritetit të ipeshkvit dhe i misionit të tij ipeshkvnor
në Kishën vendase. Ndërsa Katedra e Shën Pjetrit tregon pozitën e prijësit në kolegjin
apostolik, sipas vullnetit të vetë Krishtit, i cili i besoi Pjetrit detyrën të
kulloste grigjën, dmth t’i printe popullit të Zotit, Kishës. Pjetri e kryen detyrën
që Krishti ia caktoi para se të kryqëzohej, por edhe pasi u ngjall. Kryeson zgjedhjen
e Matisë dhe i flet në emër të të gjithëve turmës, që rend për ta dëgjuar para çenakullit,
ditën e Rrëshajëve, ashtu edhe para sinedrit. Vetë Erodi Agripa e di mirë se zhdukja
e prijësit do t’i jepte një goditje për vdekje Kishës së sapolindur. Në se prania
e Shën Pjetrit në Antioki provohet në mënyrë të pakundërshtueshme, për ardhjen e Apostullit
në Romë në vitet e para të Perandorisë së Klaudit, nuk kemi prova po aq të sigurta. Megjithatë
mund të themi se lulëzimi i krishterimit në kryeqytetin e perandorisë, që vërtetohet
nga Letra e Shën Pali drejtuar Romakëve rreth vitit 57, nuk do të mund të kuptohej
pa praninë e një misionari të klasit të parë. Pavarësisht nga data kur shkeli në Romë,
ardhja dhe martirizimi i Shën Pjetrit në Qytetin e Amshuar vërtetohet nga tradita
shumë të lashta, të pranuara edhe nga studiuesit jo katolikë. E këtë e vërtetojnë
në mënyrë të pakundërshtueshme edhe gërmimet që u bënë më 1939 me urdhër të papës
Piu XII në Kripten e Vatikanit, nën Bazilikën e Shën Pjetrit, rezultatet pozitive
të të cilave u pranuan në mënyrë të njëzëshme. Në kuadrin e festës së Katedrës
së Shën Pjetrit, në Romë mbahet edhe Asambleja solemne e Rrethit të Shën Pjetrit,
shoqatë e lashtë, themeluar në vitin 1869 nën papninë e Piut IX për të ndihmuar papën
në veprimtaritë e tij, sidomos në mbështetje të nevojtarëve. Ndërmjet nismave të njohura
të Rrethit, kujtojmë atë që njihet me emrin “Oboli i Shën Pjetrit".