Abati i madh i Mirditës Imzot Preng Doçi në përvjetorin e vdekjes. Duke shfletuar
kalendarin historik, sot më 22 shkurt kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Abatit të
madh të Mirditës, imzot Preng Doçit ( 02.02.1846 – 22.02.1917). Ky personalitet
i jashtëzakonshëm i Kishës shqiptare, Abati i Oroshit të Mirditës, imzot Preng Doçi
lindi më 8 shkurt të vitit 1846, vdiq më 22 shkurt 1917. Abati imzot Preng Doçi qe
personalitet i njohur dhe i nderuar prej çdokujt për atdhetarì të flakët e zotësi
diturore, fetare e politike. Më 25 tetor të vitit 1888, Papa Leoni XIII me dekretin
“Supra montim Mirditarum” e rimëkëmbë Abacinë katolike të Oroshit në Mirditë dhe për
Abat emëron imzot Preng Doçin. Përtëritja e kësaj Abacie Kishtare e sidomos ardhja
e imzot Preng Doçit, ndikuan shumë në jetën fetare, kishtare, kulturore dhe politike
të Mirditës e të mbarë Vendit e të kombit shqiptar. Në fushën e jetës fetare
e atë kishtare, imzot Doçi punoi shumë për përhapjen e Ungjillit, për përforcimin
e vetëdijes fetare e të shqiptarëve, dhe për pjesëmarrjen e besimtarëve në Sakramente
të Shenjta. Po kështu imzot Doçi derisa punonte për kultivimin e vlerave shpirtërore
e kombëtare, në anën tjetër i luftonte dukuritë e këqija që ekzistonin ndër shqiptarë,
si vrasjet, hakmarrjet, konkubinatin (martesat joligjore), e dukuritë tjera që pengonin
shkatërronin vlerat morale tek populli. Në fushën e jetës kulturor, imzot
Preng Doçi në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi”, me qëllim të zgjidhjes
së çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen e shkollave
e botimin e librave në gjuhën shqipe, që asokohe ishin pak e shumë të luftuar nga
armiqtë e popullit shqiptar, sidomos turqit. Ishte kjo një nevojë e madhe e për imzot
Doçin qe një program për Rilindjen Kombëtare, për t’i dhënë një hov të ri me shkolla
e dije Shqipërisë e nè mënyrë të posaçme zonës së Mirditës. Nga ato pak vepra që kemi,
flasin qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, kishtare e atdhetare dhe për
kulturën e gjerë që kishte Abati i Oroshit, imzot Preng Doçi. Një nga veprat e tij
është edhe “Shqipëria nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”. Në fushën
e jetës kombëtare politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm,
e bashkoi Mirditën dhe i dha një njësi të vetme. Në “relacionin e tij mbi gjendjen
e Abacisë së Shën Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita
është “si një shtet i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë
e vet. Për këtë arsye Mirdita duhet të jetë një nukleus - qelizë e një shteti shqiptar.
Kjo ëndërr e tij qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve
të cilën e organizoi ai. Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku
me ndërmjetësimin e kardinalit armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e
Shenjtë e dërgon me misionin diplomatik në vende të ndryshme, derisa me ndërmjetësimin
e kardinajve të Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat
i Mirditës. Së bashku me imzot Gaspër Krasniqin nga Kosova, imzot Preng Doçi u
angazhua me mish e shpirt në luftën kundër pushtimit të turqve dhe për përparimin
kulturor e të gjithanshëm të popullit e Vendit.