2013-02-22 18:29:34

Dioqeza e Sapës fton besimtarët t’i lutën Hyjin për Papën


Shumë të nderuar vëllezër meshtarë,
rregulltar dhe rregulltare,
besimtarë të dashur në Dioqezën e Sapës
Dorëheqja e Papës Benediktit XVI u prit me befasi të madhe. Por ky vendim i tij, pas një rrëmimi të ndërgjegjes dhe për të mirën e Kishës, tregon kurajo të madhe që meriton respekt të veçantë dhe mirënjohje për një udhëheqje të jashtëzakonshme të Kishës gjatë këtyre tetë vjetëve. Papa Benedikti XVI e shikon me sinqeritet e realizëm gjendjen e Kishës në realitetin e sotëm bashkëkohor dhe na ofron një dëshmi feje, besimi të patundur në Shpirtin Shenjtë Zot, që e udhëheq Kishën e Krishtit.

Me 28 shkurt në ora 20.00 Papa Benedikti XVI largohet nga Selia e Shën Pjetrit, ajo mbetet e zbrazët deri në zgjedhjen e Papës së ri nga ana e Kardinajve.

Për këtë, në ditën e fundit të ushtrimit të shërbimit papnor të Benediktit XVI ju ftoj të gjithëve: meshtar, rregulltar dhe rregulltare së bashku me besimtarët e gjithë dioqezit dhe mua bariun tuaj, të bashkohemi në lutje në këto momente me rëndësi të madhe për jetën e Kishës, për të shprehur dashurinë e falënderimin tonë Atit të Shenjtë Benediktit XVI, si dhe për t’iu lutur Zotit me të e për të dhe për t’ia besuar të ardhmen e të mirën e Kishës, Jezu Krishtit, Bariut të amshuar.

Lutja mund të organizohet gjatë gjithë ditës së datës 28 shkurt 2013 duke qëndruar në adhurim nëpër kishat apo kapelat tona e në mënyrë të veçantë duke kremtuar Meshën shenjte në njetin e sipërpërmendur.
Me besim dhe shpresë në Zotin ju falënderoj për lutjet tuaja dhe
ju përshëndes të gjithëve në Krishtin Bariun e Mirë
Imzot Lucjan Avgustini







All the contents on this site are copyrighted ©.