2013-02-21 15:14:36

Benedikti XVI: Virgjëra Mari: Ikona e fesë së bindur!


Virgjëra Mari: Ikona e fesë së bindur: nga katekizmi i Benediktit XVI gajtë Audiencës së mërkurës të 19 dhjetorit 2012

Shumë të dashur vëllezër e motra,

në ecjen drejt Ardhjes Virgjëra Mari zë një vend të veçantë si ajo që në një mënyrë krejt të veçantë ka pritur realizimin e premtimeve të Hyjit, duke pranuar në fe dhe në mish Jezusin, Birin e Hyjit, në dëgjesë të plotë ndaj vullnesës hyjnore. Sot do të doja të reflektoja shkurtimisht me ju mbi fenë e Marisë duke u nisur prej misterit të madh të Lajmërimit.

Chaîre kecharitomene, ho Kyrios meta sou”, “Të falem [gëzohu], o Hirplote! Zoti me ty!” (Lk 1,28). Këto janë fjalët, sipas Lukës ungjilltar, me të cilat kryengjëlli Gabriel i drejtohet Marisë. Në pamje të parë termi chaîre, “të falem” [gëzohu], duket një përshëndetje normale, që përdorej në mjedisin grek, por kjo fjalë, nëse lexohet në sfondin e traditës biblike, merr një domethënie shumë më të thellë. Ky term është i pranishëm katër herë në versionin grek të Besëlidhjes së Vjetër dhe gjithmonë si kumtim gëzimi për ardhjen e Mesisë (krh. Sof 3,14; Jl 2,21; Zak 9,9; Vaj 4,21). Përshëndetja e engjëllit drejtuar Marisë është një ftesë për t’u gëzuar, për një gëzim të thellë, kumtim i fundit të trishtimit që mbretëron në botë përpara kufirit të jetës, të vuajtjes, të vdekjes, të dashakeqësisë, të errësirës së të keqes, që duket sikur errësojnë dritën e mirësisë hyjnore. Është një përshëndetje që shënon fillimin e Ungjillit, të Lajmit të Mirë.

Po pse Maria ftohet për t’u gëzuar në këtë mënyrë? Përgjigjen e gjejmë në pjesën e dytë të përshëndetjes: “Zoti me ty!”. Edhe këtu për ta kuptuar mirë domethënien duhet t’i drejtohemi Besëlidhjes së Vjetër. Në Librin e Sofonisë gjejmë këtë shprehje “Këndo hareshëm, bija e Sionit... Mbret i Izraelit është Zoti mes teje... Në mesin tënd është Zoti Hyji yt, trim mbi trima Shpëtimtar!” (Sof 3,14-17). Në këto fjalë fshihet një premtim i dyfishtë që i bëhet Izraelit, bijës së Sionit: Hyji do të vijë si shpëtimtar dhe do të banojë në mesin e popullit të vet, në kraharorin e bijës së Sionit. Në dialogun mes engjëllit dhe Marisë realizohet saktësisht ky premtim: Maria identifikohet me popullin e martuar prej Hyjit, është vërtet vetë Bija e Sionit; në të plotësohet pritja e ardhjes përfundimtare të Hyjit, në të banon Hyji i gjallë.

Në përshëndetjen e engjëllit, Maria quhet “hirplote”; në greqisht termi ‘hir’, charis, ka të njëjtën rrënjë gjuhësore me fjalën ‘gëzim’. Edhe në këtë shprehje qartësohet edhe më shumë burimi i haresë së Marisë: gëzimi vjen prej hirit, domethënë vjen prej bashkësisë me Hyjin, prej lidhjes kaq jetësore me Të, prej të qenit banesë e Shpirtit Shenjt, totalisht të plazmuar prej veprimit të Hyjit. Maria është krijesa që në mënyrë të veçantë ia ka hapur krejtësisht derën Krijuesit të vet, është vënë në duart e tij, pa kufizime. Ajo jeton tërësisht prej dhe marrëdhënie me Zotin; është në qëndrim dëgjimi, e vëmendshme për të dalluar shenjat e Hyjit në ecjen e popullit të tij; është futur në një histori feje dhe shprese në premtimet e Hyjit, që formon indin e ekzistencës së saj. Dhe i nënshtrohet lirisht fjalës së marrë, vullnesës hyjnore në dëgjesën e fesë.

Luka ungjilltar tregon ngjarjen e Marisë nëpërmjet një paralelizmi të hollë me ngjarjen e Abrahamit. Ashtu si Patriarku i madh është ati i besimtarëve, që i është përgjigjur thirrjes së Hyjit për të dalë prej tokës në të cilën jetonte, prej sigurive të veta, për të filluar një ecje drejt një toke të panjohur dhe të zotëruar vetëm në premtimin hyjnor, ashtu edhe Maria i besohet me besim të plotë fjalës që i kumton mesazhin e Hyjit dhe bëhet modeli dhe nëna e të gjithë besimtarëve.

Do të doja të theksoja një tjetër aspekt të rëndësishëm: hapja e shpirtit ndaj Hyjit dhe ndaj veprimit të tij në fe përfshin edhe elementin e errësirës. Marrëdhënia e qenies njerëzore me Hyjin nuk e fshin largësinë mes Krijuesit dhe krijesës, nuk e zhduk atë që pohon Pali apostull përpara thellësive të dijes së Hyjit: “O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tij, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij!” (Rom 11,33). Por pikërisht ai që, si Maria, është i hapur në mënyrë totale ndaj Hyjit, arrin të pranojë vullnesën hyjnore, edhe pse të mistershme, edhe pse shpesh nuk i përgjigjet vullnesës vetjake dhe është një shpatë që i tejshkon shpirtin, në mënyrë profetike siç do t’i thotë Simeoni Marisë, në momentin kur Jezusi paraqitet në Tempull (krh. Lk 2,35). Ecja e fesë së Abrahamit përfshin momentin e gëzimit për dhurimin e Isakut, por edhe momentin e errësimit, kur duhet të ngjitet në malin Moria për të përmbushur gjestin paradoksal: Hyji i kërkon të flijojë djalin që sapo i ka dhuruar. Në mal engjëlli thërret: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tash po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkak tim nuk e kurseve as djalin tënd të dëshirit” (Zan 22,12); besimi i plotë i Abrahamit në Hyjin besnik ndaj premtimeve nuk mungon as kur fjala e tij është e mistershme dhe është e vështirë, gati e pamundur, për ta pranuar. Kështu është për Marinë, feja e saj jeton gëzimin e Lajmërimit, por kalon edhe përmes territ të kryqëzimit të të Birit, me qëllim që të arrijë deri në dritën e Ngjalljes.

Nuk është ndryshe as për ecjen e fesë të secilit prej nesh: takojmë momente drite, por takojmë edhe kalime në të cilat Hyji na duket se nuk është, heshtja e tij peshon në zemrën tonë dhe vullnesa e tij nuk përkon me tonën, me atë që ne do të donim. Por sa më shumë që ne i hapemi Hyjit, pranojmë dhuratën e fesë, vëmë krejtësisht në Të besimin tonë, si Abrahami dhe si Maria, aq më shumë Ai na bën të aftë, me praninë e tij, për të jetuar çdo situatë të jetës në paqe dhe në sigurinë e besnikërisë së tij dhe të dashurisë së tij. Por kjo do të thotë të dalësh prej vetes dhe prej projekteve vetjake, me qëllim që Fjala e Hyjit të jetë llambë që drejton hapat tanë dhe veprimet tona.

Do të doja të ndalesha edhe në një aspekt që del prej tregimeve të fëmijërisë së Jezusit treguar prej Shën Lukës. Maria dhe Jozefi e çojnë fëmijën në Jerusalem, në Tempull, për ta paraqitur dhe për t’ia shuguruar Zotit siç përshkruan Ligji i Moisiut: “Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit” (krh. Lk 2,22-24). Ky gjest i Familjes së shenjtë merr një domethënie edhe më të thellë nëse e lexojmë në dritën e shkencës ungjillore të Jezusit 12 vjeç që, pas tri ditësh kërkimi, gjendet në Tempull duke diskutuar me dijetarët. Fjalët plot shqetësim të Marisë dhe të Jozefit: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!”, ndiqen prej përgjigjes së mistershme të Jezusit: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” (Lk 2,48-49), domethënë në pronën e Atit, në shtëpinë e Atit, siç është një bir. Maria duhet të ripërtërijë fenë e thellë me të cilën ka thënë ‘po’ në Lajmërim; duhet të pranojë që përparësinë duhet ta ketë Ati i vërtetë dhe i mirëfilltë i Jezusit; duhet të dijë ta lërë të lirë atë Bir që e ka lindur, me qëllim që të ndjekë misionin e vet. Dhe ‘po’-ja e Marisë ndaj vullnesës së Hyjit, në dëgjesën e fesë, përsëritet gjatë gjithë jetës, deri në momentin më të vështirë, atë të Kryqit.

Përpara gjithë kësaj, mund të pyesim veten: si ka mundur ta jetojë Maria këtë ecje pranë Birit me një fe kaq të fortë, edhe në errësirë, pa humbur besimin e plotë në veprimin e Hyjit? Maria mban një qëndrim të thellë ndaj asaj që i ndodh në jetën e vet. Në Lajmërim ajo turbullohet kur dëgjon fjalët e engjëllit, është droja që njeriu ndien kur preket prej pranisë së Hyjit, por nuk është qëndrimi i atij që ka frikë përpara asaj që Hyji mund të kërkojë. Maria reflekton, pyet veten mbi domethënien e asaj përshëndetjeje (krh. Lk 1,29). Termi grek i përdorur në Ungjill për të përkufizuar këtë ‘reflektim’, ‘dielogizeto’, të kujton rrënjën e fjalës ‘dialog’. Kjo do të thotë që Maria hyn në një dialog të thellë me Fjalën e Hyjit, që i është kumtuar, nuk e vlerëson në mënyrë sipërfaqësore, por ndalet, e lë të futet në mendjen dhe në zemrën e saj për të kuptuar atë që Zoti dëshiron prej saj, domethënien e kumtimit. Një tjetër cekje e qëndrimit të brendshëm të Marisë përpara veprimit të Hyjit e gjejmë, gjithmonë në Ungjillin e Shën Lukës, në momentin e lindjes së Jezusit, pas adhurimit të barinjve. Pohohet se “Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet” (Lk 2,19); në greqisht termi është symballon, mund të themi se ajo ‘mbante bashkë’, ‘vinte bashkë’ në zemrën e saj të gjitha ngjarjet që po i ndodhnin; vinte çdo element të veçantë, çdo fjalë, çdo fakt brenda të tërës dhe e krahasonte, e ruante, duke njohur që gjithçka vinte prej vullnesës së Hyjit. Maria nuk ndalet te një kuptim i parë sipërfaqësor i asaj që ndodh në jetën e vet, por di ta shikojë në thellësi, e lë veten të pyetet prej ngjarjeve, i përpunon, i shoshit, dhe fiton atë të kuptuar që vetëm feja mund të garantojë. Është përvujtëria e thellë e fesë së dëgjueshme të Marisë, që pranon në vetvete edhe atë që nuk kupton prej të vepruarit të Hyjit, duke lënë që Hyji t’ia hapë mendjen dhe zemrën. “E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!” (Lk 1,45), shpërthen Elizabeta. Prej fesë së saj të gjitha breznitë do ta quajnë të lume.

Miq të dashur, solemniteti i Krishtlindjes së Zotit që pas pak do të kremtojmë, na fton ta jetojmë edhe ne këtë përvujtëri dhe dëgjesë të fesë. Lavdia e Hyjit nuk shfaqet në fitoren dhe në fuqinë e një mbreti, nuk shkëlqen në një qytet të famshëm, në një pallat madhështor, por banon në kraharorin e një virgjëre, zbulohet në varfërinë e një fëmije. Gjithëpushtetësia e Hyjit, edhe në jetën tonë, vepron me forcën, shpesh të heshtur, të së vërtetës dhe të dashurisë. Atëherë, feja na thotë se fuqia e pambrojtur e atij Fëmije në fund fiton mbi zhurmën e fuqive të botës.Vatikan Salla Pali VI, Audienca e së mërkurës 19 dhjetor 2012







All the contents on this site are copyrighted ©.