2013-02-21 15:00:47

Benedikti XVI e dashuria për Virgjërën Mari, Nënën e Zotit në heshtje e përvujtëri.


“Ta ndjekim e ta imitojmë Marinë” dhe e “tërë jeta jonë le të bëhet një këngë Madhërimi”. Dashuria për Virgjërën Mari, Nënën e Zotit është një ndër aspektet karakterizuese të përmasës shpirtërore të Papnisë së Benediktit XVI. Një Papë marian, mund të themi, siç ishte paraardhësi tij Gjon Pali II. Një dashuri binore që lind e vjen nga larg. Nëse, në jetën e Papnisë së Karol Wojtilës pati rol të madh Shenjtërorja e Zojës së Bekuar e Czestochowës, po kështu mund të thuhet për Jozef Ratcingerin e Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Altotting, e cila është zemra mariane e Bavarisë gjermane.
Ta lejojmë Marinë të na udhëheq në takimin tonë me Jezusin. Në çdo audiencë, fjalim, homeli Benedikti XVI ia beson përherë besimtarët Virgjërës Mari. Është ajo me përvujtërinë e saj, përsërit Papa me mijëra herë, që na tregon udhën për të arritur te zemra e Birit të Saj. Maria e Foshnja janë, me “fuqinë e tyre të pambrojtur”, nënvizon Papa Ratcinger, që fitojnë mbi “zhurmën e fuqive të botës”:
Lavdia e Zotit nuk shfaqet në triumfin e në pushtetin e një mbreti, nuk shkëlqen në një qytet të famshëm, në një pallat madhështor, por zë depërton e banon në kraharorin e një virgjëre, zbulohet e shkëlqen në varfërinë e një foshnjeje. Gjithpushtetësia e Hyjit, edhe në jetën tonë, vepron me forcën, shpesh të heshtur, të së vërtetës e të dashurisë”. (Audienca e përgjithshme, 19 dhjetor 2012
Benedikti XVI shkon shtegtar nëpër Shenjtëroret kryesore të Zojës së Bekuar të mbarë botës. Nga ajo më familjare për të, në Altotting të Gjermanisë, tek shenjtërorja e Zojës në Pompei e Loreto të Italisë, në Lurdë, në Fatima, në Cestohova e akoma në Mariacel të Austrisë dhe në Aparesida të Brazilit. Jozef Ratcinger vë në pah se këto Shenjtërore të Zojës nuk janë “katedrale në shkretëtirë”, por oaza të shpirtit, të vendosura në tokat e tyre si shembull të “një qytetërimi të dashurisë”. Maria, na kujton Papa Ratcinger, është e para që e pranon Krishtin e jeton një marrëdhënie të veçantë me Shpirtin Shenjt dhe Kishën:
Në Rrëshajë, Virgjëra Nënë duket përsëri si Nuse e Shpirtit, në saje të amësisë universale që ka ndaj të gjithë atyre që janë të lindur nga Hyji me anë të fesë në Krishtin. Ja se pse Maria është për të gjitha breznitë imazhi dhe shembulli i Kishës, që së bashku me Shpirtin Shenjt ecën në kohë e në histori duke u lutur për kthimin e lavdishëm të Krishtit: ‘Eja o Zot Jezus!”. )Mbyllja e muajit marian, 31 maj 2009).
Benedikti XVI i fton të gjithë besimtarët, posaçërisht të rinjtë, t’i lutën Virgjërës Mari, në mënyrë të veçantë ta lusin Rruzaren e cila, nënvizon ai, “na ndihmon t’i përshkojmë ngjarjet e jetës së Zotit tonë Jezu Krisht, të shoqëruar nga e Lumja Mari Virgjër, e për t’i ruajtur ato siç bëri Ajo, në zemrën tonë”. Ati i Shenjtë Ratcinger na kujton më tej se “po-ja” e Marisë thënë ndaj propozimit të Hyjit e ka mposhtur dhe mundur të keqen. Ja se pse edhe në sprova të jetës, që na bëjnë të luhatemi, në Të ne mund të gjejmë një mbështetje të sigurt:
Miq të dashur, sa gëzim i madh është ta kesh Zojën Mari të Papërlyer! Çdo herë që përjetojmë brishtësinë tonë njerëzore e trysninë e së keqes, ne mund t’i drejtohemi Asaj, e zemra jonë fiton dritë e ngushëllim”. (Lutja Engjëllit të Tënzot, 8 dhjetor 2009).
E kujtomë se Papa Benedikti XVI ia beson Virgjërës Mari Vitin e Fesë, në 50-të vjetorin e fillimit të Koncilit II të Vatikanit. Domethënës, pastaj, është që udhëtimin e tij të fundit baritor në Itali e bëri pikërisht në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Loreto. Tradita do që zemra e këtij vendi të jetë shtëpia në të cilën ka jetuar Maria. Po Papa Benedikti XVI flet për shtëpi tjetër, që shkon përtej gurëve të një ndërtese. Maria është “shtëpia e gjallë” që e pranon Jezusin:
“Aty ku banon Zoti, duhet të pranojmë e të dimë se të gjithë jemi e ndjehemi si ‘në shtëpinë’ tonë: aty ku banon Krishti, vëllezërit e tij e motrat e tij nuk janë të huajë. Maria, që është nëna e Krishtit është edhe nëna jonë, ajo na hap portat e Shtëpisë së tij, na udhëheq e prijnë të hyjmë në vullnetin e të Birit”. (Vizita në Loreto, 4 tetor 2012).







All the contents on this site are copyrighted ©.