2013-02-21 16:54:29

Atë Lombardi: nuk dihet data e Konklavit. Motu Proprio varet nga Papa


Akoma nuk dihet data e fillimit të Konklavit. Do të përcaktohet nga Mbledhja e kardinajve gjatë Selisë Vakante. Kështu pohoi zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, në takimin e sotëm me gazetarët. “Motu Proprio – saktësoi ai – është aktualisht në duart e Papës, por nuk mund ta parashikojmë përmbajtjen”:
“Nuk ka asnjë person në Vatikan, sado me autoritet, që mund të thotë: Konklavi do të fillojë në këtë, apo atë datë”.
Përsa i përket Motu Proprio-s së Benediktit XVI për Selinë Vakante dhe mbledhjen e Konklavit, atë Lombardi sqaroi se nuk do të ndryshojë thelbin e Kushtetutës “Universi Dominici Gregis”, miratuar nga Gjon Pali II, por do t’u japë zgjidhje disa çështjeve të vogla, që i janë paraqitur Papës me kohë. Gjithashtu , Ati i Shenjtë nuk do të krijojë kardinaj të rinj.
Dikush nga gazetarët kujtoi se Papës i duhet të vendosë për Vëllazërinë e Shën Piut X, pra, për lëfevrianët, brenda datës 22 shkurt, por atë Lombardi theksoi se kjo çështje i kalon papës së ardhshëm.
Asnjë koment lidhur me artikujt e shtypit rreth raportit mbi shkandullin “Vatileaks”, për hartimin e të cilit, Benedikti XVI pati ngarkuar tri kardinajtë, Herranz, De Xhorxhi dhe Tomko. Dikush ka shkruar se tre prelatët do të priten nga Papa në ditën e fundit të papnisë, por kjo nuk është e vërtetë. Atë Lombardi theksoi edhe se informacioni për pritjen e besimtarëve sllovakë në bazilikën e Zojës së Madhe në Romë, më 27 shkurt, është i rremë:
“Mos prisni komente, as përgënjeshtrime, as konfirmime. Komisioni ka kryer punën e vet, ka hartuar raportin, ia ka besuar atë Atit të Shenjtë, i cili i kishte dhënë mandatin për këtë. Të mos vrapojmë pas çdo hipoteze”.
Së fundi, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit përmendi impenjimet e ardhshme të Papës. Benedikti XVI do të vazhdojë ushtrimet shpirtërore deri të shtunën paradite, kur mund të marrë fjalën për t’iu drejtuar kardinajve. Më pas do të presë në audiencë presidentin e Republikës së Italisë, Xhorxho Napolitano. Të dielën, 24 shkurt, Lutja e fundit e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit. Të mërkurën, 27 shkurt, audienca e fundit e përgjithshme. Janë prenotuar së paku 30 mijë vetë e Papa do ta përshkojë sheshin me makinë:
“Është një audiencë, që do ta përjetojmë me emocion të madh, por nuk do të ketë ndonjë strukturë të veçantë, apo më të ndërlikuar se herët e tjera”.
Të enjten, më 28 shkurt, dita e fundit e papnisë, në orën 11, Papa do të takohet me kardinajtë e pranishëm në Romë, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Së fundi, në orën 17.00, nisja me helikopter për në Kastel Gandolfo, ku do të pritet nga presidenti e nga sekretari i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit, nga kryetari i bashkisë dhe nga famullitari i vendit. Rreth orës 18.00, Papa do të përshëndesë besimtarët e mbledhur para Pallatit Apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.