2013-02-20 12:38:24

Me 20.2.1946 atë Anton Harapi pushkatohet nga komunistët


Për një portret të këtij martiri e intelektuali të veçantë, atë Anton Harapit që u pushkatua në moshën 58 vjeçare nga regjimi i diktaturës komuniste të Tiranës më datën 20 shkurt të vitit 1946, duke pohuar e deshmuar fenë në Krishtin e vlerat kombëtare shqiptare, na ofron dr. Pjetër Pepa
PATËR ANTON HARAPI
20 SHKURT 1946
PUSHKATOHET NË TIRANË
PATËR ANTON HARAPI – 58 VJEÇ.Nga Dr. Pjetër Pepa“Shqipnia u pushtue me gjak e dhunë, e me gjak do të mbahet...Por, do të vijnë dita që me paqe e drejtësi do të fitohet”.. Kjo ishte fjala e fundit e Tij, një profeci e vërtetë e thënë që në vitin 1946.
P. Anton Harapi, një personalitet klerik, politik dhe një shkrimtar i Shqipërisë ka lindur në Shirokë-Shkodër me 5 janar 1888. Me emrin e pagëzimit Gaspër, që në moshë fare të vogël hyn në Kolegjin Jezuit e më pas në atë Françeskan, nën drejtimin e P. Gjergj Fishtës, shtyllë e kulturës dhe traditës sonë kombëtare.
Rezultatet e larta në mësime i krijuan mundësitë të vazhdojë studimet e larta në vitin 1907 në Villach të Tirolit, Salzburg dhe Shvarc - Austri, për Teologji e Filozofi. Më pas në fakultetin teologjik të Universitetit të Innsbruck-ut dhe për filozofi në Universitetin e Vjenës.
Shugurohet dhe fillon punën si meshtar në Grudë. Në vitin 1910 kthen në Shqipëri dhe shugurohet meshtar duke marrë emrin P. Anton Harapi (mbiemrin Harapi nga ai “Shiroka” që e kishte më parë, me sa duket Ai me të vellanë, At Mark Harapi, e morën se ishin të zeshkët në fytyrë). Gjatë periudhës 1912-13, në trazirat e Luftës së parë botërore, shërben në Kishën e Arrës së Madhe ndërsa në 1916, kur tek banorët e Dukagjinit është përhapur sëmundja e kolerës dhe njerëzit vdisnin pa pasur njëri pranë nga frika e infektimit, Ai gjendet pranë tyre. Frati 25 vjeçar shkon shtëpi më shtëpi e fshat më fshat për të dhënë ndihmën e tij në këtë drejtim, ndërsa kolera vriste miliona njerëz në botë.
Në frymëzimin e Atë Harapit, banorët e kësaj treve (Grudë, Hot e Triesh) së bashku me të, përgatitën kërkesën, me mbi 200 nënshkrime dhe me 14 nëntor 1918 ia dorëzuan Fishtës dhe Gurakuqit, që këtë t’ia transmetonin Konferencës së Paqes në Paris dhe ministrave të Punëve të Jashtme të SH.B.A, Anglisë, Francës dhe Italisë. Kërkesat e tyre dhe demonstrata paqësore në Shkodër, tregonte këmbënguljen e tyre, që të mos lejonin që trojet e tyre t’i kalonin Jugosllavisë. Me mbarimin e Luftës së I-rë Botërore ushtritë italiane e internojnë At Harapin në Bajzë.
Bëri shumë për Kishën dhe Kombin si një mendimtar i mprehtë. Fillimisht është mësues në Kolegjin Françeskan, ku dikur kishte qenë vetë nxënës i vogël. Viti 1920 është viti i ingranimit të tij në Lëvizjen atdhetare shqiptare. Prej vitit 1921-24 është bashkëthemelues dhe drejtues i grupit të njohur atdhetar “Ora e Maleve”, dhe së bashku me Fishtën, Gurakuqin, Shantojën fillojnë shkrimet në mbrojtje të atdheut. Në librin e tij “Andrra e Pretashit” dedikuar liberalit të madh demokrat, Luigj Gurakuqit, Ai shkruan: “Luigj Gurakuqit-burrit vërtetë burrë”. Në zgjedhjet e para në Shqipëri, në vitin 1924 gjendet mes “Opozitës” në krah të Nolit, Gurakuqit e Currit ndërsa pas rrëzimit të qeverisë së Nolit, frati demokrat së bashku me P. Bernardin Palaj etj., arrestohet dy-tre herë dhe burgoset.
Mbasi lirohet nga burgu shkon në Tiranë si përfaqësues i françeskanëve të Veriut dhe kërkon haptas: “Flamurin Kuq e Zi, gjuhën kombëtare, Lirinë dhe Pavarësinë e plotë të popullit”. Më pas At Anton Harapi caktohet profesor i filozofisë në gjimnazin “Illyricum” dhe fillon të merret me problemet pedagogjike dhe psikologjike. Në vitin 1924 emërohet edhe drejtor i gjimnazit “Illyricum” dhe drejtor i revistës “Hylli i Dritës” në vitet 1930-1936. Në këto vite, Harapi, shkroi në këto revista rreth 70 kryeartikuj dhe artikuj, që synonin trajtimin dhe edukimin e natyrës dhe shpirtit të shqiptarit. Mes tyre janë për t’u përmendur 18 artikuj të titulluar “Urti dhe burrni ndër banorët e Cemit” dhe “Valë mbi valë”. Gjatë viteve 1930-36 është një nga drejtuesit kryesor të revistës “Hylli i Dritës” dhe bashkë drejtues i gazetave “Posta e Shqypnisë” dhe “Zani i Shna Ndout” ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”, po ashtu edhe në “Ora e maleve”. Më 1925 boton librin “Edukata ose Mirërritja e fëmijëve”, të përkthyer nga A. Herbert, që në komentet e tij u bë si vademekum për aplikimin në Shqipëri të metodës pedagogjike Herbetiane dhe në këtë fushë dhe më 1936 boton librin tjetër “Vlera shpirtërore”, “Andrra e Pretashit”, roman i botuar pjesë-pjesë gjatë viteve 1933-42, më vonë i botuar në Romë në vitin 1959, nën përkujdesjen e Prof. Zef Valentinit, Prof. Ernest Koliqit e P. Daniel Gjeçajt. Është definitor, kustod, Ministër Provincial në vitet 1941-1944, Drejtor i Kolegjit Serafik etj. Është misionar në Shkodër, Tiranë e Korçë. Mik i P. Marin Sirdanit, P. Shtjefën Gjeçovit, Çerçiz Topullit e Mustafa Qullit, Isa Boletinit e Fan Nolit, Luigj Gurakuqit e P. Pal Dodës, Ded Gjò Lulit e Mehmet Shpendit, gjeniu Harapi, në ligjëratat e tija të famshme mbajtur në qytetin e Korçës, e përcakton divizën e tij “Për Atme e Fe” me shprehjen: “Jam fetar, por kam tagër dhe detyrë shoqnore”
“Dy lot e një betim” është fjala, shembull e oratorisë klasike shqipe, që mbajti në përcjelljen e eshtrave të martirëve Çerçiz Topullit e Mustafa Qullit nga Shkodra në Gjirokastër e që, duke vështruar lashtësinë të kujtojnë Demostenin e Greqisë dhe Ciceronin e Romës, dy shtyllat e gojtarisë antike. “Për një Shqypni të bashkueme e të lidhun me idealin e heronjëve”- Kjo ishte edukata harapiane. “Ai ishte i kryqëzuem në kryq për Fe e Atdhe” - do të shkruante me pas studiuesi e publicisti në mërgim, P. Daniel Gjeçaj.
Më 1940 P. Anton Harapi u zgjodh anëtar efektiv i Institutit të Studimeve shqiptare, me detyrë letrari dhe më 1941 u zgjodh Provinciali i Urdhrit Françeskan në Shqipëri, detyrë të cilën e mbajti derisa u emërua më 13 shtator 1943 anëtar i Këshillit të lartë të Regjencës Shqiptare, përkrah Lef Nosit, Mehdi Frashërit e Fuat Dibrës ku ka qëndruar deri në fundin e vitit 1944. Në verën e vitit 1944 kthen nga udhëtimi në Gjermani dhe 29 nëntori i 1944 e gjen të arratisur malesh së bashku me rregjentin tjetër Lef Nosi. E këshillojnë të ikë nga Shqipëria, por Ai prerazi thotë: “Kam punue për Shqipëri. Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më pret. Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhtova. Me ta vuajta, për ta punova, me ta qëndrova e me ta gëzova. Me ta dhe do të vdes. Ështent e mij në tokën e të parëve të jenë testamendi em”.
Me 5 dhjetor 1944, mbas disa ditësh në Kir, është në Plan të Dukagjinit i strehuar ilegal nga miqtë e tij, ndër to edhe vetë Prek Ndou, Kryetar Këshilli dhe bajraktar i fshatit.
Ish drejtuesi i shtetit arrestohet në Plan të Dukagjinit me 8 qershor 1945. Gjykohet dhe dënohet me vdekje. Pushkatohet e varroset jashtë qytetit me 20 shkurt 1946 në një ditë shiu diku në rrethinat e Tiranës. Thonë se, ndërsa hidhte me kujdes hapat në terrenin gjithë baltë, njëri prej ekzekutorëve i drejtohet: “Mos ki dert o prift, se te balta ke me përfundue”, dhe merr ketë përgjigje: “Atje tek shkoj biri im, dua të shkoj i panjollë, siç jam kenë tanë jetën”.
Le të ndalemi pak më në veçanti në momentin delikat të regjencës. Ta shohim disi më me objektivitet realitetin, megjithëse fjalën e fundit në këtë drejtim do ta thonë gjithnjë historianët e vërtetë e të pa indoktrinuar; do ta thotë vetë koha.
Ashtu si pa e kuptuar i afroheshim vitet 1943-1944 kur pas kapitullimit të Italisë, në krye të shtetit shqiptar vihet një Këshill regjence i përbërë prej 4 vetësh: Medi Frashëri e Fuat Dibra për myslimanët, bektashi e sunit, Lef Nosi për ortodoksët, e P. Anton Harapi për katolikët. Natyrisht duhet vënë në dukje se P. Anton Harapi atë detyrë nuk e kërkoi vetë, atë ja ngarkuan të tjerët në të mirë të Shqipërisë e të shqiptarëve, me të vetmin synim ”Salvare il salvabile”-të shpëtohet ç’mund të shpëtohet!
Pra Patër Anton Harapi ishte zgjedhur e propozuar nga kleri dhe ishte njoftuar edhe Vatikani, praktikë kjo e zakonshme për raste të tilla në hierarkinë kishtare.
Madje nuk duhet konsideruar as edhe si rast i pa precedent. Në Austri prifti Injac Seipel qëndroi për shumë vjet si kryeministër. Në Sllovaki Imzot Zef Tiso, qëndroi për shumë kohë President deri që në vitin 1947 e pushkatuan komunistët. A thua edhe ato ishin po aq naivë e…. po aq reaksionarë e kriminelë sa Patër Anton Harapi ynë ?! Natyrisht, Ai as të tjerët nuk e kishin sjellur pushtimin e s’ishin fajtor për të, Ai as të tjerët nuk kishin si ta dinin se ç’ishte vendosur në konferencën e Teheranit në ato ditë të para të dhjetorit midis Ruzveltit, Çurçillit e Stalinit. Pra askush s’kishte as dijeni as faj mbi atë “gjyq” që ishte zhvilluar atje për Shqipërinë. Se sa mund të quhen kriminelë e bashkëpunëtorë e se si do të konsiderohen kuislingët. Le të shohim kush ishte P. Anton Harapi. Si qëndroi Ai përballë interesave të Atdheut? Cila qe fjala e vepra e Tij? Ja rrëfimi më i sinqertë për veprën e kryer: Në korrik të vitit 1944 pra, pasi bënte bilancin e veprës së vet, Ai, shkruante:
“Po të mos u zini besë fjalëve të mija, ja tek e keni veprën time për peng sigurie”! … “Sot në këtë krizë të tmerrshme, besimtarëve të tre elementëve na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë, të hjekim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi-shoqit e të vllaznohemi në njatë Zot që besojmë e njatë Shqipni që e dona me gjithë zemër! A sot a kurrë - për Fe e Atdhe - ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer! Nuk shpëton jo, sot, as Xhamia pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena e as tjetra pa Shqipni! Me gjak e dasi jena ngopë! Kena pa e provue edhe se çka asht kthetra e huaj dhe e kena prekë se një popull i përçamë asht gjykuem me mbarue! Të ngrehemi pra në kambë! Për një Zot të vërtetë e për një Shqipni të lumtur- na jena vllazen. A së bashku e të pshtuem a të ndamë e të mbaruem”! Kështu porosiste Ai në korrik të vitit 1944 në mbyllje të veprës së vet, për të cilën do të pushkatohej si kriminel kolaboracionist më 20 shkurt 1946, “sihariq” që do t’i përcillej menjëherë ambasadorit jugosllav si lajmi më gazmor i kohës për Shqipërinë e mjerë të atyre ditëve. Ja tani edhe përgjigja e drejtpërdrejtë me gojën e tij:
“Pse e pranova atë barrë? M’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnia! I grishun botnisht të jap konributin tem për çështjen e kombit dhe ndihmën e popullit”… “Anishka - thashë - Rroftë populli, Rroftë Shqipnia edhe pa mue! Ase kemi sakrifikue pikëpamjet tona ase do të sakrifikojmë Shqipninë! Shqipninë do ta shpëtojë Zoti, kurse na i kemi vu vetës një mision: të përpiqemi me të gjitha fuqitë për ta pakësuar mjerimin dhe shëmtimin shqiptar”.A mund të ketë përgjigje më të saktë?!...
TË THENA NGA PATËR ANTON HARAPI
• Po të mos u zini besë fjalëve të mija, ja tek e keni veprën time për peng sigurie!
• Çdo ndërtese i vihen themelet në dhè! Edhe në vorr në hi jshim, duhet të jemi gurët e themelit të asaj binaje që sot e quajmë Shqipni !
• Me gjak të vet e shuguroi elterin e Atdheut, katoliku, orto doksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Topulli e Curri, Gër menji e Nëgovani, nuk kanë ndryshim, por janë në një mendim e në një vendim, në vepër e në vdekje. Ata e vulosen me gjak çfarë qenë; na mbetët në ta vulosim çfarë jena”!
• Sot në këtë krizë të tmerrshme, besimtarëve të tre elementëve na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë, të hjekim çdo ndry shk zemre, t’i japim dorën shoqi-shoqit e të vllaznohemi në njatë Zot që besojmë e njatë Shqipni që e dona me gjithë zemër! A sot a kurrë - për Fe e Atdhe - ky asht besimi e kjo asht Shq ipnia që po na zhduket ndër duer!
• Nuk shpëton jo, sot, as Xhamia pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena e as tjetra pa Shqipni! Me gjak e dasi jena ngopë! Kena pa e provue edhe se çka asht kthetra e huaj dhe e kena prekë se një popull i përçamë asht gjykuem me mbarue! Të ngrehemi pra në kambë! Për një Zot të vërtetë e për një Shq ipni të lumtur- na jena vllazen. A së bashku e të pështuem a të ndamë e të mbaruem! “







All the contents on this site are copyrighted ©.