2013-02-20 15:44:34

Kardinali Tauran: Papa i ardhshëm të jetë njeri i dialogut, të kumtojë përmbajtjen e fesë e të reformojë Kurien romake


Vendimi i Benediktit XVI për t’u tërhequr nga papnia tregon “fisnikërinë e tij të madhe morale”. Papa i ri duhet të jetë i “ri”, njeri i “dialogut”, në gjendje të mësojë e të përhapë “përmbajtjen e fesë” dhe të nis reformën e Kuries romake. Janë këto vlerësimet e kardinalit Jean-Louis Tauran, 69 vjeç, njërit ndër personalitetet më të shquara që do të marrë pjesë në konklavën e ardhshme, president i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, bërë gjatë një interviste dhënë agjencisë franceze ‘I. Media’,.
Kardinal Protodiakon nga shkurti 2011, pikërisht Tauran do të ngarkohet, në mbarim të konklavës, për të kumtimin emrit të Papës së ri nga ballkoni i Bekimit të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan.
Tërheqja e Benediktit XVI, shpjegoi kardinali Tuaran, “qe një gjest i fisnikërisë së madhe morale. Benedikti XVI pati guximin t’i pranonte kufizimet e veta dhe tregoi shkëputjen e tij të plot nga të mirat kalimtare. Të kalosh nga Selia e Pjetrit në një strehim të ngjashëm me klauzurën, kërkon të kesh vërtetë një jetë të fort të brendshme shpirtërore e një shkëputje të madhe” nga bota.
Në pyetjen rreth tipareve të Papës së ardhshëm, kardinali Tauran tha se gjëja e parë duhet një vazhdimësi me atë që ka bërë Benedikti XVI, do të thotë “të mësosh përmbajtjen e fesë. Në botën e sotme, të krishterët duhet të jenë në gjendje të tregojnë e të dëshmojnë arsyen e fesë së tyre bashkë me njohuritë rreth përmbajtjes së kësaj feje, sepse, nuk mund të transmetohen përshtypjet personale, por përmbajtja e besimit. Pastaj papa i ardhshëm duhet të jetë një Papë i hapur ndaj dialogut me kulturat dhe me fetë. Sigurisht, mendoj në dialogun ndërfetar, por edhe për dialogun me Kishat tjera të krishtera. Më tutje duhet të jetë në gjendje ta reformojë Kurien romake, në mënyrë që të ketë një koordinim më të madh në jetën dhe në vendimet e Kishës Universale”. Kështu pra pohoi kardinali Jean-Louis Tauran, në një intervistë për agjencinë “I Media”, duke nënvizuar se për këtë arsye “ndoshta do të duhej që Papa i ardhshëm të jetë pak a shumë afër 65-70 vjeç, të jetë mirë me shëndet” e sidomos të ketë “virtytin e shpresës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.