2013-02-20 15:39:38

Kardinal Ravazi në ushtrimet shpirtërore në Vatikan: nuk jemi të lirë kur nuk pyesim për Zotin, por kur e lemë veten në dorë të Tij


Feja si pranim i vetëdijshëm i Zotit, si takim i lirë dhe i apasionuar i njeriut me Hyjin e vet, por edhe kufiri, që njeriu nuk mund të kapërcejë vetëm: këto ishin temat e meditimeve të sotme të kardinalit Xhanfranko Ravazi në ushtrimet shpirtërore në Vatikan, për Kurien Romake dhe Papën Benedikti XVI.
Psalmi 30 ishte baza për reflektimin e parë të kryetarit të Këshillit Papnor të Kulturës. I shkurtër, një lloj simboli i përshpirtërisë fëmijërore – kështu e përshkroi prelati – në të cilin shihet besimi i plotë i njeriut në Zotin e vet. Por, psalmi fillon me gjithçka i kundërvihet fesë:
“Kryelartësia, mendjemadhësia, vetëbesimi absolut, vendosja e vetvetes në të njëjtin nivel me Zotin. Ky është mëkati i rrjedhshëm: ‘Do të jeni si Hyji, njohës të së mirës e të së keqes’, pra arbitra të moralit; e është pikërisht kjo që njeriu tundohet të bëjë me lirinë e vet”.
Liria është fjalë tjetër kyçe për të krishterin. E në imazhin e “fëmijës së zvjerdhur”, tipike e simbologjisë lindore, psalmisti ngre në qiell një fe, që do të thotë pranim e vendim personal për të besuar në Hyjin e Gjithpushtetshëm. Ashtu si fëmijën e zvjerdhur nuk e ushqen më nëna, pasi është rritur tashmë, edhe besimtari lihet i lirë me një gjest dashurie të pamatë, si ajo e nënës kur e heq fëmijën nga gjiri:
“Feja do të thotë pranim, por pranim i vetëdijshëm, i lirë, i plotë, i apasionuar. Pa dyshim, jo më kot, përsëritet dy herë “si një fëmijë i zvjerdhur” e vargu i fundit i psalmit është ftesa për gjithë Izraelin të shpresojë, pra të ketë besim tek Zoti. Duhet të mësojmë edhe ne nga historia e madhe e përshpirtërisë, duhet të mësojmë sidomos kur kemi arritur në ndonjë post me përgjegjësi, apo me dinjitet të veçantë brenda Kishës, ose kur kryejmë funksione me rëndësi, nga të cilat varen shpesh edhe vendimet, që përcaktojnë fatin e njerëzve. Ndoshta pikërisht brenda nesh, përhapet nëpër kapilarë, tundimi për t’i parë gjërat e të tjerët nga lart”.
Fe do të thotë të mbetesh fëmijë, vazhdoi kardinali Ravazi, ashtu si shën Tereza e Liziësë, ashtu siç na këshillon edhe vetë Jezu Krishti. Nga fëmijët duhet të mësojmë pastërtinë e shpirtit, por sidomos besimin:
“Ata ua japin dorën me besim të rriturve; e kjo është dramë e vërtetë. Turpi i pedofilisë qëndron edhe në këtë, pasi fëmija, me besimin e vet, ia lë veten spontanisht në dorë të rriturit, që e sheh si atin e vet. Spontanisht e lë dorën e vet në atë të tjetrit e është interesente të kuptojmë pse. Fëmija – siç e dimë – ka një këndvështrim simbolik për realitetin, e jo analitik, prandaj arrin tek e vërteta me intuitë. Pikërisht për këtë arsye, duhet t’i dëgjojmë, pasi kjo është vërtet për ne një leksion mbi gjërat thelbësore. Fëmijët na pyesin ato “pse”-të e famshme, që janë tepër të rëndësishme, por të cilave nuk dimë t’u përgjigjemi. Prandaj, edhe nga pikpamja njerëzore, është e rëndësishme t’i zbulojmë, t’i ndjekim, t’i dëgjojmë fëmijët, por është e rëndësishme sidomos për qartësinë e brendshme të Fesë, të besimit, të lënies së vetvetes në dorën e Zotit”.
Në meditimin e dytë, kardinali Ravazi u ndal në figurën e njeriut, si krijesë e brishtë, e sprovuar nga jeta, plot ankth e me kufizime, që s’mund të kapërcehen. “Hije”, “puhizë”, quhet në psalmin 39, i cili ngre pyetje të rëndësishme edhe për kohën e sotme:
“Të mendojmë veç për televizionin, që është një Molok i madh dhe i vërtetë brenda shtëpive tona. Tashmë dimë gjithçka për modën, si duhet të hamë, si duhet të vishemi, ç’duhet të zgjedhim etj., por shpesh, nuk kemi në dispozicion një zë, që të na tregojë udhën e kuptimin e kësaj jete, sidomos kur ajo është kaq e brishtë, kaq e mjerë. Ja përse duhet t’u kthehemi temave të mëdha. Guximi për të propozuar këto reflektime, mendoj se është problemi më i madh i të rinjve të sotëm, që nuk arrijnë të gjejnë përgjigje me kuptim e atëherë, e lëshojnë veten në këtë rrjedhë, që është udha pa krye e shoqërisë bashkohore”.
Sipas kardinalit Ravazi, është e nevojshme t’i kthehemi lutjes, një lutjeje të thjeshtë, të pastër, pa fjalë të mëdha. Duhet gjithashtu, të gjejmë kuptimin e vuajtjes, e cila na bën ta prekim me dorë cakun njerëzor, që s’mund ta kapërcejmë vetë:
“Disa që nuk ishin besimtarë më parë, ndoshta, fillojnë ta ngrenë zërin në këtë drejtim. Pra, ekziston një lloj “paideje”, një lloj pedagogjie e dhimbjes (mësojmë diçka edhe prej saj). Por – e mbi këtë temë duhet reflektuar më tej – në fund të fundit, dhimbja shkakton krizë të thellë: përjetojmë një krizë me botën e me Zotin”.
Pikërisht këtu, përfundoi kardinali Ravazi, ndërhyn krishterimi, i cili, pavarësisht nga hijet që na rrethojnë, na i hap mendjet e zemrat drejt një horizonti drite, ku dyert e errësirës nuk do të ngadhnjejnë.
Mbrëmë, meditimi i kryetarit të Këshillit Papnor të Kulturës për Papën e kardinajtë u përqendrua tek njeriut dhe vështrimi i Zotit mbi të. Krijesa njerëzore, nënvizoi kardinali Ravazi, është vendi, ku duhet të shohim praninë e Hyjit, i cili sheh shkëlqimin e mjerimin e njeriut, që në embrion. Detyra e njeriut, i cili lidh besë me Zotin, është ta dëshmojë Atë me jetën e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.