2013-02-20 12:34:05

22-vjetori i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 20 shkurt përkujtojmë përvjetorin e rrëzimit të përmendores së diktatorit komunist, Enver Hoxha, në Tiranë, që shënoi mbarimin e regjimit diktatorial komunist ateist në Shqipëri.
Dita 20 shkurt 1991 për Shqipërinë do të mbetët ndër datat më domethënëse të historisë së vet të mundimshme. Atë ditë, pas një demonstrate masive të studentëve, të mbështetur fuqishëm nga populli, u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës dhe u përurua periudha e lirisë nga ideologjia e regjimi që e persekutoi, e varfëroi, e vrau popullin dhe shkatërroi e shkretoi vendin e vet me një brutalitet e pashpirtësi të paparë ndonjëherë, pasojat negative të të cilin ende sot rëndojnë.
Shkruan Solzenicyn: “Një regjim që emrin e Zotit e shkruan me germë të vogël e KGB apo SIGURIMI me germa të mëdha, nuk meriton të respektohet prej njerëzve”. Po, nuk mund e kurrë nuk duhet harruar krimet, terrorin, përndjekjet, viktimat, gjakun e pafajshëm, për të mos lejuar të përsëritet një e keqe kaq e tmerrshme, siç qe regjimi komunist.
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”: parrulla të kujton thirrjet e demonstruesve të 21 vjetëve më parë në Tiranë, kur një lumë njerëzish, duke u nisur nga Qyteti i Studentit, përshkuan bulevardin e kryeqytetit për t’u ndalur para bustit të diktatorit Enver Hoxha e për ta rrëzuar atë përdhe.
Ata, që ishin atë ditë në sheshin Skënderbe, nuk mund të mos e kujtojnë përshtypjen që bëri oshtima e shurdhët e shtatores, që binte dhe habinë, kur u pa se brenda ajo ishte bosh - e madhe vërtet, por jo më aq e frikshme. E pastaj, shfrimin e lotëve e përqafimin ndërmjet njerëzish krejtësisht të panjohur - gjë e re edhe kjo, për ata që regjimi i kishte mësuar të ruheshin madje nga të afërmit, sepse kushdo mund të ishte spiun. Shpresat e mëvonshme e pjesëmarrjet në manifestimet e shumta, kush nuk i mban mend? E fatkeqësisht, edhe zhgënjimet që pasuan.
Për të mos harruar atë çka qytetarët e Shqipërisë përjetuan, pësuan e ishin gjatë diktaturës enveriste të komunizmit ateist, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, tashmë është hapur Pavijoni i Terrorit Komunist, ku janë të ekspozuara fotografi, dokumente, objekte personale të të burgosurve, të të pushkatuarve e të të internuarve, me të dhëna tronditëse për ata, që humbën edhe jetën në burgjet e komunizmit. Kjo që e kaluara e hidhur të mos harrohet, që dhuna e tmerri i atij kalvari që pësoi populli i pafajshëm shqiptar të mos përsërite kurrë më, që gjaku i njerëzve të pafajshëm të jetë farë e mirë për të ardhmen e Vendit.
Pra, e kaluara, po qe periudhë e errët, e hidhur, e prapambetur, plot persekutime, burgosje, internime e shkatërrim i gjithanshëm njerëzor e material. E sot në periudhën e demokracisë, Shqipëria ka ende si sfidë shërimin e plagëve të pësuara nga diktatura, ka si sfidë ndërtimin e indit të ri shoqëror mbi themele të shëndosha e të forta të demokracisë e të të drejtave themelore të njeriut, ka si sfidë formimin e ndërgjegjes qytetare e ndërtimin e një të ardhme, për të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve, pa dallim, pa përjashtim, pa diskriminim. E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, ky është procesi që pret të zbatohet nga planet e politikës së Tiranës, jo larg nga kultura dhe nga shoqëria më e mirë evropiane, që edhe sot i jep jetë Kontinentit të vjetër, pavarësisht nga vështirësitë në të cilat ndodhet.







All the contents on this site are copyrighted ©.