Papa: përgjigjja për krizën e fesë vjen nga gëzimi i rinisë
“Thelbi i krizës së Kishës në Evropë është kriza e fesë”. Mbi këtë foli Papa Benedikti
XVI në takimin e tij në Vatikan me kardinajt e Kurien Romake më datën 22 dhjetor 2012.
Ilaçi kundër kësaj krize besimi është gëzimi, që rrjedh nga Ditët Botërore të Rinisë,
të cilat i japin kuptim të ri të qenit të krishterë. Ky ishte thelbi i reflektimit
të gjatë të Benediktit XVI me Kurien Romake, paradite më datën 22 dhjetor 2012, në
takimin tradicional për shkëmbimin e urimeve të Krishtlindjes. Papa përmendi etapat
më të rëndësishme të veprimtarisë vjetore, duke u përqendruar në veçanti, mbi temën
e riungjillëzimit të kontinentit të vjetër e duke marrë si shembull Ditët Botërore
të Rinisë, nga ku nxori pesë pika, që mund t’i ndihmojnë të krishterët ta përtërijnë
jetën e besimin e tyre në Zotin. Benedikti XVI bëri një fotografi të Evropës bashkëkohore,
e cila duket sikur e vuan të qenit të krishterë, duke ia kundërvënë Afrikës – të cilën
e pa kohët e fundit, përmes vizitës në Benin – ku preket me dorë “gëzimi i të qenit
të krishterë”: “Nga ky gëzim lindin edhe energjitë për t’i shërbyer Krishtit
në situatat shtypëse të vuajtjes njerëzore, për t’u vënë në dispozicion të Tij, pa
menduar vetëm për mirëqenien personale. Takimi me këtë fe, të gatshme për çdo flijim
- e pikërisht për këtë, plot gëzim - është një ilaç i fuqishëm kundër lodhjes së të
qenit të krishterë, që ndjejmë në Evropë”. Pra Veriu i pasur, për mënyrën si
e koncepton Kisha botën, është sot pjesa më e varfër dhe më e varfëruar e globit,
në krahasim me Jugun e tij. Deri në atë pikë, sa Papa ka krijuar struktura, si dikasteri
për Ungjillëzimin e Ri e, ka shpallur periudha të veçanta, si “Viti i fesë”, në përpjekjen
për ta ndryshuar këtë gjendje: “Thelbi i krizës së Kishës në Evropë… është kriza
e fesë. Nëse nuk gjejmë përgjigje për të, nëse feja nuk gjallërohet, duke u bërë bindje
e thellë dhe forcë e vërtetë, falë takimit me Jezu Krishtin, të gjitha reformat e
tjera nuk do të kenë rezultat”. “Si ta shpallim Ungjillin sot?”. Kësaj, që
është më e madhja e pyetjeve për Kishën e sotme e të nesërme, Benedikti XVI iu përgjigj
me origjinalitet, duke përshkruar pesë pika të trashëgimisë, që kanë sjellë Ditët
Botërore të Rinisë gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve. Pikësëpari, në këto Ditë përjetohet
“një përvojë e re e katolicitetit dhe e universalitetit të Kishës”, gjatë së cilës
njerëz me prejardhje e kultura të ndryshme takohen me Krishtin dhe e kremtojnë me
mënyrën e tyre: “Liturgjia e përbashkët përbën një lloj atdheu të zemrës e na
bashkon në një familje të madhe. Fakti që të gjithë njerëzit janë vëllezër e motra
është këtu jo vetëm një ide, por bëhet një përvojë e vërtetë e përbashkët, që krijon
gëzim”. Pikërisht prej këndej, prej këtij uniteti, lind mënyra e re e të qenit
njerëz, e të qenit të krishterë, theksoi Papa. Më pas, Benedikti XVI mori si shembull
ata 20 mijë vullnetarët, që për javë e muaj, iu përkushtuan me korp e me shpirt organizimit
të Ditës Botërore të Rinisë në Madrid: “Këta të rinj, ofruan plot fe një pjesë
të jetës, jo sepse ua kishte urdhëruar ndokush e jo sepse kështu do të fitonin qiellin;
as sepse kështu largoheshin nga rreziku i ferrit. Nuk e bënë, sepse donin të ishin
të përsosur… Këta të rinj bënë të mira – megjithëse me punë të rëndë e me sakrifica
– thjesht sepse të bësh mirë është bukur, të jesh për të tjerët është bukur. Duhet
vetëm të kesh guxim për ta bërë këtë hap”. Të rinj që, me një fjalë, “nuk shihnin
pas, nuk shihnin vetveten”. Në të kundërt, të krishterët e sotëm të botës perëndimore
sillen si gruaja e Lotit në Bibël, e cila duke parë mbrapa u kthye në një shtatore
kripe: “Sa herë, jeta e të krishterëve karakterizohet nga fakti se shohin sidomos
vetveten, bëjnë të mira, si të thuash, për vetveten! E sa i madh është tundimi për
të gjithë njerëzit të shqetësohen para së gjithash për vetveten, të shohin pas vetes,
duke u zbrazur nga brenda, duke u bërë “shtatore kripe”!” Në pikën e tretë,
Ati i Shenjtë vuri në dukje “adhurimin e Zotit”, si element shpirtëror të rëndësishëm
të Ditëve Botërore të Rinisë, gjithnjë protagonist i një “heshtjeje të brendshme”
impresionuese para Hostes së Shenjtë, pavarësisht nga turmat pa fund e anë dhe nga
koha e keqe, siç ndodhi në Madrid. E së bashku me Eukaristinë, edhe pika e katërt,
që del nga këto takime oqeanike të rinjsh: prania e “Sakramentit të Pendimit”,
përjetuar me natyrshmërinë, që mungon shpesh gjetiu. Ndërsa pika e pestë lidhet
me faktin, e denoncuar nga Papa në fillim të reflektimit me Kurien Romake, se kriza
ekonomiko-financiare, që kërcënon sot Evropën, është sidomos “krizë etike”. Është
pikërisht mungesa e etikës, që bën të mos kenë më rëndësi arsyet, që çojnë drejt sakrificave,
për hir të të varfërve. Dyshimi për praninë e Zotit në histori, shpjegoi Papa, kthehet
në mënyrë të pashmangshme në dyshim mbi njeriun e mbi nevojën për ta konsideruar vëlla,
që bashkëndan me të tjerët të njëjtin fat. Këtij dyshimi, të rinjtë e Ditëve Botërore
të Rinisë i përgjigjen me gëzim: “Shohim sot si përhapet ky dyshim. E shohim
në mungesën e gëzimit, në trishtimin e brendshëm, që mund të lexohet në fytyrat e
njerëzve. Vetëm feja na jep sigurinë: është mirë që unë të jem. Është mirë, që unë
të ekzistoj si njeri, edhe në kohë të vështira. Feja na bën të gëzuar, duke nisur
nga brenda vetvetes. Kjo është një nga përvojat e mrekullueshme të Ditëve Botërore
të Rinisë”. Papa përfundoi duke folur veçanërisht për takimin ndërfetar në
Asizi të Italisë. “U takuam atë ditë – tha Benedikti XVI – në një atmosferë miqësie
e respekti të ndërsjelltë, me dashurinë për të vërtetën e me përgjegjësinë e përbashkët
për paqen. Mund të shpresojmë pra, që nga ky takim, të ketë lindur një gatishmëri
e re për t’i shërbyer paqes, pajtimit e drejtësisë”.