2013-02-19 12:04:37

Luigj Gurakuqi në përvjetorin e lindjes.


Shfletojmë kalendarin për të përkujtuar Luigj Gurakuqin në përvjetorin e lindjes, këtë atdhetar të flaktë, politikan të madh, studiues, shkrimtar dhe publicist të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Vështirë ta përmbledhësh në pak fjalën figurën e vigane të Luigj Gurakuqit! Ai qe shembull i jashtëzakonshëm në jetën kombëtare e politike shqiptare, lindi në një familje të njohur katolike shkodrane më 19 shkurt 1879.
Nxënës i Kolegjës Saveriane të Etërve jezuitë, ai u rrit në mjedisin e Shkodrës katolike me frymën e përkushtimit "Për Fé e Atdhé", përkushtim që e thelloi më tutje ndërsa vijonte studimet në Shën Mitër Korone, ku pati fatin të ishte nxënës i De Radës. Bëri emër në shtypin shqiptar si publicist e poet me pseudonimet Jakin Shkodra dhe Lekë Gruda. Shkrimet e tij publicistike u botuan në "Albaninë" e Konicës, në “Kalendarin Kombëtar", në "Drita" e organe të tjera të shtypit të kohës. Vjershat e tij tashmë janë përmbledhur në një vëllim të vetëm, që përfshin edhe studimin "Vargnimi në gjuhën shqipe", një nga sprovat e para të studimit të metrikës shqipe. Botoi edhe shumë tekste shkollore.
Qe anëtar i shoqërisë "Bashkimi", pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, drejtor i parë i shkollës së Normales së Elbasanit, krahu i djathtë i Ismail Qemalit në ngritjen e Flamurit kombëtar në Vlorë më 28 nëntor 1912. Pas krijimit të Shtetit shqiptar, Luigj Gurakuqi u ul në postin e ministrit të arsimit, prej nga i dha jetë Komisisë Letrare. Mori pjesë edhe në Konferencën e Paqes në Paris.
Antizogist i flakët, tribun i popullit, "gojëmjaltë e zemërhekur", pas fitores së Zogut u arratis në Bari të Italisë, ku këtë "Vigan liberator" e vranë, sepse - siç shkruan bashkëluftëtari i tij i ngushtë, Fan Noli: "E deshi Shqipërinë, kur s'e deshnin/ E qau, kur e qeshnin/ E veshi, kur e çveshnin".
E Shqipëria e asaj kohe s'i dha as varr - për hor! Ndërsa sot eshtrat e tij prehen pas një mali, në atë që njihet si varreza e dëshmorëve, në rrugën që çon nga Shkodra në Rrencë. Por shkruan Gurakuqi në kryeveprën e vet poetike "Qindresa": "Veç një qëllim i naltë të ban me durue/ e zemrën ta forcon/ ndër kundërshtime s'vyen kurr me u ligshtue/ Mjer ai që nuk duron!".







All the contents on this site are copyrighted ©.