2013-02-19 16:07:27

Kardinali Ravazi në ushtrimet shpirtërore në Vatikan: Zoti takohet në histori


Historia si vend takimi me Zotin dhe figura e Mesisë në disa psalme: këto tema ishin në qendër të meditimeve të sotme të kardinalit Xhanfranko Ravazi në ushtrimet shpirtërore në Vatikan, për Kurien Romake dhe për Papën Benedikti XVI. Pas hapësirës, filli që përshkoi meditimet e kryetarit të Këshillit Papnor të Kulturës ishte koha. Edhe historia është vendi, ku Zoti u shfaqet njerëzve. E kjo duket që në Besëlidhjen e Vjetër, sidomos në atë, që kardinali Ravazi e quajti “besojma historike e Izraelit” e që ka të bëjë me të gjitha ato hapa, ku del në pah se feja lidhet me faktet historike. Zoti çliron popullin e vet nga skllavëria e Egjiptit, kujtoi prelati. Janë një sërë ngjarjesh, përmes të cilave njerëzit takohen me Hyjin, herë në vuajtje e herë në gëzim. Ky realitet historik bëhet edhe më i prekshëm me Mishërimin e Birit të Zotit:
“Historia është e duhet të jetë gjithnjë vend, të cilin duhet ta duam për të takuar Zotin, Hyjin tonë. E kjo, pavarësisht se është një terren shkandullues, një terren ku shpesh vërejmë se Zoti hesht, ose ndjejmë apostazinë e njerëzve, pra braktisjen e fesë nga ana e tyre”.
Virtyti kryesor për ta kuptuar këtë histori është shpresa, e vetmja që tregon se historia nuk është një sërë ngjarjesh të çfarëdoshme, por, siç shihet në Librin e Jobit, edhe ajo ndikohet nga plani i Zotit për të:
“Me shpresën, ne jemi të sigurtë se nuk varemi nga një fakt i vetëm, që s’dimë ta peshojmë. Zoti ynë, në kapitullin e tretë të Librit të Daljes, e quan veten me përemrin e vetës së parë “Unë” dhe me foljen themelore “jam”, pra “Unë jam”. Pra, është Vetje që vepron, që jeton brenda ngjarjeve, prandaj marrëdhëniet tona me Të janë marrëdhënie besimi, dialogu, kontakti. Shpresa lind pikërisht nga bindja se historia nuk është rreshtim ngjarjesh pa kuptim”.
Meditimi i dytë i kardinalit Ravazi u përqendrua në figurën e Mesisë, ashtu siç e përshkruajnë psalmet, nga të cilat dalin në pah disa karakteristika. Së pari, Mesia është ai, që bën të shndrisë drejtësia, sidomos për më të përvuajturit, më të varfërit:
“Shën Pali na ka dhënë përkufizimin më të mirë për këtë drejtësi, që punon për ata njerëz, të cilët janë viktima të padrejtësive. Shën Pali, në Himnin e famshëm drejtuar Filipianëve, kapitulli 2, thotë: Ai, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz”.
Këtu del në pah edhe tipari i meshtarisë së Krishtit, si meshtari Hiri hyjnor e jo e trashëguar, pra, një meshtari sipas Melkisedekut. Karakteristika tjetër është pa dyshim përmasa e vërtetë mesianike, Mesia si Biri i Zotit, që me Ringjalljen zbulon plotësisht hyjninë e vet. Kjo përmasë është qendrore në Librin e Psalmeve:
“Duhet të ndalemi më shpesh e të kundrojmë figurën e Krishtit, Mesia që përmban në vetvete frymën e Besëlidhjes së Vjetër, të cilën e çon në plotësi”.
Mbrëmë, kardinali Ravazi e përqendroi vëmendjen në liturgjinë si vend i dukjes së Zotit. Dy, përmasat themelore: ajo vertikale, vështrimi drejt Zotit dhe, ajo horizontale, vështrimi drejtuar vëllezërve. Prelati nënvizoi se është i nevojshëm një ekuilibër i qëndrueshëm ndërmjet këtyre dy përmasave, përndryshe biem në sakralizëm si qëllim në vetvete, nëse preferojmë përmasën e parë dhe, rrezikojmë ta kthejmë meshën në një lloj mbledhjeje, nëse preferojmë përmasën e dytë. Por, mbi të gjitha, është i nevojshëm shqyrtimi i zemrës, në mënyrë që riti liturgjik të mos mbetet diçka e jashtme. Dashuria për të afërmin dhe rrëfimi i mëkateve janë çaste themelore për të kapërcyer atë prag, që na çon drejt takimit e bashkimit me Zotin, theksoi në fund, kardinali Ravazi, duke aluduar qartë për bashkimin e të gjithë të krishterëve:
“Për të shkuar drejt bashkimit me Hyjin – një Bukë e vetme, një Kelk i vetëm – duhet të jemi një Korp i vetëm, duhet të jemi të bashkuar ndërmjet nesh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.