2013-02-18 16:45:11

Ushtrimet shpirtërore në Vatikan. Kardinali Ravazi: ashtu si Moisiu, Papa do t’i lutet Zotit për popullin e vet


Mbrëmë, në Kapelën Redemptoris Mater në Vatikan, filluan Ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve për Papën dhe Kurien Romake. Ato mbahen nga kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës, kardinali Xhanfranko Ravazi e, do të përfundojnë më 23 shkurt. Tema e këtij viti është “Ars orandi, ars credendi. Fytyra e Zotit dhe fytyra e njeriut në lutjen psalmike”.
Lutja është frymëmarrje, ajër, mendim, thirrje e dashuri për Zotin. Këto përkufizime, të rreshtuara njëra pas tjetrës në Psalme, qenë në qendër të meditimit të sotëm, ndërsa dje, kardinali Ravazi propozoi një imazh biblik, për të shpjeguar të ardhmen e pranisë së Benediktit XVI në Kishë, prani kundruese, si ajo e Moisiut, që ngjitet në mal për t’u lutur për popullin e Izraelit, i cili, poshtë në luginë, po luftonte kundër Hamalekut:
“Ky imazh përfaqëson funksionin kryesor – tuajin – për Kishën, pra, ndërhyrjen, veprimin e ndërhyrjes: ne do të mbetemi në “luginë”, në atë luginë ku ndodhet Hamaleku, ku ka pluhur, ku ka frikë, terror dhe ëndërra të këqia, por edhe shpresë; aty ku ju qëndruat me ne gjatë këtyre tetë vjetëve. Por, sot e tutje, ne e dimë se, në majë të malit, ju ndërhyni pranë Zotit për ne”.
Pastaj, heshtja e reflektimi parapriu meditimin e parë, gjatë të cilit, kardinali Ravazi e përqendroi vëmendjen në çlirimin nga zhurma e jetës së përditshme:
“Mendoj se edhe për ne, ushtrimet shpirtërore janë pak si të çlironim shpirtin nga pluhuri i gjërave, nga balta e mëkatit, nga rëra e kotësive, nga hithrat e thashethemeve, të cilat, sidomos gjatë këtyre ditëve, na i zënë pa pushim veshët”.
Fjala e Zotit, që zbulon e krijon: në këto dy drejtime e përvijoi meditimin e sotëm kardinali Ravazi. Kujtojmë se meditimet ditore të ushtrimeve shpirtërore në Vatikan janë tre e, çdo ditë, do të shkëpusim njërin prej tyre. Sot, përmbledhja e meditimit të paradites. Prelati theksoi se lutja e feja lindin nga Hiri Hyjnor. Në fillim, teofania, nënvizoi kardinali Ravazi, zbulesa e Hyjit, që është Fjala e Tij:
“Cila është fytyra e parë, me të cilën na paraqitet Zoti? Zbulesa e parë e Zotit është Fjala. Hiri i Tij i besohet Fjalës. E është e rëndësishme të vërejmë se që në fillim të Besëlidhjes së Vjetër e të Re përdoret Fjala. Zoti tha: “Të bëhet dritë. E dritë u bë”. Krjimi pra është ngjarje me tinguj, është Fjalë, është realiteti paradoksalisht më njerëzor, ai realitet, që është jashtëzakonisht i brishtë – pasi sapo thuhet, shuhet – por njëkohësisht, sjell fryte të veçanta, pasi pa fjalën nuk do të ekzistonte komunikimi”.
Reflektimi i kardinalit Ravazi u frymëzua nga Psalmi 119, në të cilin Fjala udhëheq në mes të mjegullës. Një dritë që shqyen errësirën, sidomos në kulturën e sotme, e cila, krejtësisht e pasigurtë në vetvete, e konsideron moralin të panevojshëm, i vesh ngjarjet me një gri të përhershme indiference, për të mos mbajtur qëndrim as për mirë, as për keq. Prandaj, ballafaqimi me Fjalën e Zotit bëhet thelbësor, si e vetmja që na tregon shkallën e vlerave të vërteta, duke na larguar nga antivlerat e kësaj bote, me bazë pasurinë, paranë, pushtetin.
Fjala e Zotit e ka brenda besimin në Të. Në Psalmin 23 – tjetër psalm i marrë si shembull nga kardinali Ravazi – Zoti është bari, që udhëheq grigjën e vet, por edhe shok udhe. Pra, Hyji na tregon të vërtetën nga njëra anë, por edhe dashurinë e Tij, nga ana tjetër, duke na shoqëruar drejt një horizonti të vetëm, drejt Tempullit, drejt sofrës në të cilën Ai vetë ofrohet si ushqim për shëlbimin e njerëzve, pra, drejt kremtimit të liturgjisë:
“Fjala, si epifania e parë e madhe, së cilës i thuren këngë në Librin e Psalmeve e, që unë e zbuloj duke u lutur. Dëgjoj jo vetëm fjalët e mia, por edhe Fjalën e Zotit, që jehon brenda meje”.
Fjala e Zotit shihet edhe në të gjitha krijesat, në Gjithësinë e krijuar prej Hyjit. Psalmi 19 përshkruan bukur se si gjithçka ka krijuar Zoti shpall lavdinë e Tij. Prandaj, nënvizoi kardinali Ravazi, duhet t’i kthehemi natyrës, të kundrojmë veprën e duarve të Hyjit:
“Mungesa e mahnitjes së njeriut bashkohor është shenjë cektësie. Përkulet para veprës së duarve të veta, i paaftë t’i ngrejë sytë kah qielli, të admirojë thellësisht dy skajet e universit dhe mikrokozmosin. E kjo e ka çuar njeriun, të privuar nga kundrimi i gjithësisë, të shkatërrojë tokën, duke e përdorur vetëm si mjet. Nuk e kupton më tokën si motër”.
Pas citimit të Shën Françeskut, kardinali Ravazi vijoi me një reflektim mbi dialogun e fesë me shkencën, temë e dashur për Papën teolog. Feja shpjegon psenë e sendeve, ndërsa arsyeja si janë ato. Kësaj radhe, kardinalit i vjen në ndihmë filozofi francez Paskal, i cili thoshte se duhet shmangur si përjashtimi i arsyes, ashtu edhe glorifikimi i saj. Paskal tregon udhën e dialogut ndërmjet fesë dhe arsyes, duke nënvizuar një ndryshim thelbësor: “gjërat njerëzore duhen kuptuar që t’i duash, ndërsa gjërat hyjnore duhet t’i duash që t’i kuptosh”. Harmonia e dy udhëve pasqyrohet bukur në Psalmin 19, me dy pamjet e Diellit, i cili është yll në qiell, nga njëra anë, por përdoret edhe për të përkufizuar Fjalën e Zotit, nga ana tjetër:
“Pra, Dielli flakëron në qiell e na flet për zbulesën kozmike. Por, pastaj, kemi Fjalën e Zotit, që është tjetër Diell e që na ndriçon plotësisht. Ja pra, fjala që zbulon e fjala që krijon”.







All the contents on this site are copyrighted ©.