2013-02-18 16:44:52

Papët që zbritën nga selia e Shën Pjetrit.


Përgjigjja e Papës Benediktit XVI në librin-intervistë “Drita e botës”, ishte shumë e qartë. “Kur Papa bindet plotësisht se nuk është më në gjendje fizike, mendore e shpirtërore ta kryejë detyrën mirë, që i është besuar, atëherë ka të drejtë, e në disa rrethana, edhe detyrë, të tërhiqet”. Duke shtuar edhe se tërheqja është e mundur, vetëm në një çast qetësie, e jo në mes të situatave shqetësuese e të trazuara për Kishën.
Parë me syrin e historisë, rastet e ndërprerjes së papnisë para vdekjes së Papës, janë shumë të rralla e, në asnjë rast, nuk shikojmë një situatë, që të na kujtojë tërheqjen e Benediktit XVI.
Në agimin e jetës së Kishës, kur predikimi i Apostujve ishte realitet i vërtetë, i jetuar e i dëshmuar drejtpërdrejt, gjejmë figurën e papës Klementi: e gjejmë në listën e ipeshkvijve të Romës, hartuar nga Ireneu i Lionit, si pasardhës i tretë i Shën Pjetrit, pas Linit e Anakletit. Burimet nuk janë të njëzëshme, gjë që na pengon ta përcaktojmë datën e saktë të papnisë së tij. Sipas Euzebit të Çezaresë, vendin e Klementit e zuri Anakleti, në vitin e dymbëdhjetë të Domicianit, domethënë në vitin 92 (Historia Ecclesiastica, III, 15). Por Shën Jeronimi, duke u mbështetur mbi traditën, mendon se Klementi ishte pasardhësi i parë i Shën Pjetrit.
Epifani nga Salamina shpreh mendimin se Klementi u caktua nga Apostujt t’i zëvendësonte në drejtim të Kishës së Romës, në sa ata ishin të impenjuar në shërbimin apostolik. Arrin në këtë përfundim, duke u mbështetur tek Letrat, që nga ajo drejtuar Romakëve, deri tek ajo Korintianëve, në të cilat nxiten më bujarët të largohen, para se të bëhen shkaktarë për lindjen e mosmarrëveshjeve, përçarjeve e kundërvënieve, që trondisin jetën e Kishës. Epifani shpreh mendimin se Klementi u tërhoq nga drejtimi i barkës së Shën Pjetrit, për të mos krijuar probleme. Por, pas vdekjes së Shën Pjetrit, të Linit e Kletit, tre Papët e parë të Kishës katolike, u detyrua ta rifillonte ministerin papnor.
Nuk duhet harruar se jemi në një kohë të mugët, kur lajmet mungojnë ose vijnë deri në kohët tona në formën e legjendave, pa bazë historike. Është koha martirizimit të të krishterëve e ata, që zgjidheshin për misionin e lartë të Kryebariut të Kishës Katolike, bëheshin gati për t’u shqyer nga bishat në amfiteatër.
Nga Klementi kalohet tek Ponciani. Është i 18-ti ipeshkëv i Kishës së Romës, që e nisi misionin e tij ipeshkvnor rreth vitit 230. Burimi më i besueshëm, Katalogu liberian, saktëson se ministeri i tij zgjati pesë vjet, dy muaj e tri ditë. Në vitin 235 Ponciani u internua në Sardenjë, së bashku me priftin Hipoliti, ku punoi në minierë. Katalogu kujton datën e dorëheqjes së Papës Ponciani nga ministeri papnor me termen teknike discinctus est, më 28 shtator dhe fronëzimin e Pasardhësit, Anterit, grek me origjinë lindore, më 21 nëntor.
Ponciani, siç hamendësohet në Enciklopedinë e Papëve, ka shumë mundësi të ketë hequr dorë nga froni i Shën Pjetrit, i nxitur nga mendimi i admirueshëm, se nuk do të dilte i gjallë nga galeritë e minierave e se Kisha nuk mund të lihej për këtë arsye, pa Timonier.
Tre shekuj pas tij, në krye të Kishës së Romës vjen Papa Silveri. Pas vdekjes së babait të tij, papës Ormisda, në vitin 523, shkroi epitafin, sot të humbur, në të cilin shprehte kënaqësinë për përpjekjet e pajtimit me Lindjen dhe çlirimin e Afrikës. Nuk dihet në se asokohe Silveri kishte hyrë në radhët e klerit, sepse në mbishkrim nuk shënohet kurrfarë titulli, por dihet mirë se kur vdiq, në Kostandinopojë, më 22 prill 536, papa Agapito ishte subdiakon i Kishës romake.
Kandidatura e tij për fronin e Papnisë, e imponuar nga mbreti Teodati, sipas kronistit të Liber pontificalis, shkaktoi pakënaqësi të madhe në gjirin e klerit, që e konsideroi kandidatin me rang modest, prej këndej, të papërshtatshëm për hjerarkinë kishtare. Ishte hera e parë që një subdiakon ulej në fronin e papnisë. Silveri luftoi kundër monofizitëve në Koncilin, që u mbajt më 4 qershor të vitit 536. Kjo e nxiti perandoreshën monofizite Teodora t’i dërgojë një letër gjeneralit Belisari, përmes së cilës i kërkonte internimin e Papës. Belisari iu bind urdhërit dhe e internoi Papën Silveri në ishullin e Palmarolës, duke e mbyllur në një manastir. Burime të tjera pohojnë se ai u akuzua për tradhti të lartë dhe vdiq, i harruar, në një skutë të Greqisë.
Në një epokë tjetër papnon Benedikti IX, në shekulll Teofilati, nga kontët e Tuskolos, në fronin e Shën Pjetrit prej shtatorit 1032, deri më 1044. Ai e laicizoi pushetin papnor, duke sunduar si të ishte mbret, jo Papë, dhe e përdori për qëllimet e veta, jo të Krishtit, gjë që nuk do të kalonte pa pasoja. U dëbua nga Roma, por u rikthye para se të pësonte disfatën e plotë. Analet romake pohojnë se në vitin 1044 në Romë shpërtheu një revoltë kundër Papës, i cili u detyrua ta braktisë fronin. Vendin e tij e zuri ipeshkvi i Sabinës, Gjoni, që u quajt Silvestri III. Por edhe ai, vetëm pas 49 ditësh papnimi, u lëviz nga froni prej Benediktit IX, që u rikthye në fronin e Shën Pjetrit, ku vijoi të papnojë deri më 1 maj 1045. Në këtë datë iu desh t’ia lëshonte vendin Gjon Gracianit, që zgjodhi emrin Gregori VI.
Por me që e kishte zënë këtë vend me para, sipas zakoneve të këqija të kohës, nuk e mbajti gjatë. Enriku III thirri, në Sutri, një Koncil, duke i ftuar të tre papët protagonistë të ngjarjeve në dy vitet e fundit. Silvestri III nuk u paraqit. Gregori VI, i vetmi, që ishte i pranishëm, u emërua papë në Krishtlindjen e vitit 1046, por u çfronësua menjëherë nga Klementi II, që nuk pati papni të gjatë, sepse vdiq papritmas, më 9 tetor 1047. Benedikti IX u kthye përsëri në fronin papnor, duke shfrytëzuar largimin e Enrikut III nga Italia, i mbështetur fuqimisht nga Bonifaci i Kanosës. Enriku, ndërkaq, i kërkoi Bonifacit t’i prijë në Romë Papës së ri, të zgjedhur nga ai vetë. Quhej Popone, e ishte nga Bresanone. Si papë, zgjodhi emrin Damazi II. Bonifacit, të frikësuar nga kërcënimet e mbretit, iu desh të dorëzohej e ta shoqëronte papën gjerman në qytetin e amshuar, duke ndikuar në largimin përfundimtar të Benediktit IX, që u strehua në kështjellat e Sabinës. Këtu Teofilati vijoi ta konsideronte veten Papë, të larguar padrejtësisht nga froni,
Pas rastit më të njohur të largimit nga froni papnor, atij të Çelestinit V, vjen Papa i fundmë, që dha dorëheqjen nga froni i Shën Pjetrit, Gregori XII, të cilit iu desh, ndërmjet shumë trazirash, t’u kundërvihej edhe antipapëve, Benedikti XIII e Gjoni XXIII (emër që, më pas, do ta merrte papa Ronkali), gjatë skizmës së Lindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.