2013-02-18 13:31:37

Kisha është e Krishtit: trashëgimi më i madh i Benediktit XVI


Cili është imazhi i Benediktit XVI për Kishën? Ç’trashëgim i lë pasardhësit të vet? Janë disa nga pyetjet, që shpesh ngrenë kryet në media e gjetiu. Në të vërtetë, do të mjaftonte t’u ktheheshim fjalëve të Papës gjatë javës së kaluar e do ta kuptonim përgjigjen. “Kisha është e Krishtit” pohoi me forcë Ati i Shenjtë. Kisha ka nevojë “të rinovohet në shpirt”, theksoi dje. Por le të përshkojmë edhe ne, me fjalët e Papës, veprimtaritë e fundit të Benediktit XVI, para se të fillonte javën e ushtrimeve shpirtërore, që po vazhdon në Vatikan.
“Për të mirën e Kishës”. Që nga fillimi i shërbimit të tij papnor, Jozef Racinger e vuri jetën e vet në shërbim të Kishës së Krishtit, me gjeste, me fjalë e me gjithë vetveten. E mira e Kishës së pari, sepse Kisha, thoshte shpesh Papa, nuk na përket neve, madje, nuk i përket as Shën Pjetrit, gurit mbi të cilin është ndërtuar. Kisha është e Krishtit. Ky është edhe kuptimi më i thellë i tërheqjes së Atit të Shenjtë:
“E bëra këtë me liri të plotë, për të mirën e Kishës, pasi u luta gjatë dhe rrëmova ndërgjegjen time, para syve të Zotit,... Më ndihmon e më shndrit siguria se Kisha është e Krishtit, i Cili nuk do ta lërë kurrë pa drejtim e kujdes”. (Audienca e përgjithshme, 13 shkurt 2013)
Nëse Kisha është e Krishtit, atëherë nuk mund të pajtohen me të protagonizmi, ndarja, mendimi se jam “unë”, që vendos, e jo Zoti. Jo më kot, Benedikti XVI hoqi dorë nga shërbimi i vet gjatë Krezhmëve, kohë e fuqishme pendese, kthimi e përtëritjeje shpirtërore. Rinovim, që fillon me denoncimin e së keqes:
“Mendoj sidomos për fajet kundër bashkimit të Kishës, për ndarjet e korpit kishtar. Të jetohen Krezhmët me një bashkim kishtar më të fuqishëm e më të dukshëm, duke kapërcyer individualizmat dhe rivalitetet, është shenjë e përvuajtur dhe e çmuar për ata, që rrinë larg fesë, ose për indiferentët”(Riti i së Mërkurës së Përhime, 13 shkurt 2013).
Këndvështrimi i Papës për të ardhmen e Kishës nuk është aspak pesimist. Përkundrazi. Me bindje, Benedikti XVI na kujton se “e ardhmja është e Zotit” dhe se Kisha është e gjallë, “gjithnjë e re”, sepse Krishti është i gjallë, “Ai është ringjallur vërtet”. Atëherë, e ardhmja duhet parë me besim, duke jetuar shpirtin e Rrëshajëve, karkateristik për Koncilin II të Vatikanit, busull e sigurtë e Kishës në detin e trazuar të kohëve:
“Ne shkuam në Koncil jo vetëm me gëzim, por edhe me entuziazëm. Ishin ditë të jashtëzakonshme pritjeje. Shpresonim që gjithçka të rinovohej, mendonim se po vinin Rrëshajë të reja, epokë krejt e re për Kishën”(Takimi me meshtarët romakë, 14 shkurt 2013).
Epokë e re për Kishën, që fillon duke u kthyer në zemrën e krishterimit, në takimin me Jezusin. Ja cili është programi i vetëm i vërtetë, që Benedikti XVI na beson për të ardhmen: të dëgjojmë Fjalën dhe të bëjmë vullnetin e Zotit, ta lemë veten në dorën e Tij:
“Kisha, që është nënë e mësuese, u bën thirrje të gjithë anëtarëve të saj të rinovohen në shpirt, të orientohen sërish me vendosmëri kah Zoti, duke mohuar mendjemadhësinë dhe egoizmin, për të jetuar në dashuri. Në këtë Vit të Fesë, Krezhmët janë kohë e përshtatshme për të rizbuluar fenë në Zotin, si kriter-bazë për jetën tonë e të Kishës” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 17 shkurt 2013).







All the contents on this site are copyrighted ©.