2013-02-17 09:15:44

5-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës


"Ne e shpallim Kosovën republikë demokratike dhe laike. …Kosova e pavarur do të jetë e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit. …Me pavarësinë, Kosova i merr përsipër përgjegjësitë ndërkombëtare, i garanton kufijtë e fqinjëve të saj dhe përmbahet nga dhuna si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Kosova e deklaron vullnetin e saj për marrëdhënie të mira me fqinjët”.
Këto ishin fjalët e shqiptuara në orën 15.50 të 17 shkurtit 2008 nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi para një parlamenti të mbledhur në seancë të jashtëzakonshme, që duartrokiti stuhishëm. Ndërkaq në shesh, mijëra e mijëra shqiptarë të Prishtinës, por edhe të ardhur nga vise të tjera të Kosovës e të trojeve të tjera ku banojnë shqiptarë, festonin me këngë e me valle realizimin e ëndrrës shumëvjeçare të popullsisë kosovare.
Në ditët pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtete dhe personalitete të ndryshme të botës mbajtën qëndrim pro ose kundër. Po kujtojmë sot, pas 5 vjetësh, reagimin e zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, Atë Federiko Lombardi, i cili pati sqaruar qëndrimin e Vatikanit:
Me rastin e shpalljes se njëanshme të pavarësisë së Kosovës, shumë pyesin se cili është qëndrimi i Selisë së Shenjtë, e cila i ka ndjekur dhe i ndjek ngjarjet me kujdes të madh dhe me urimin e sinqertë që në këtë moment delikat, përgjegjësia dhe shpirti i paqes të mbizotërojnë ndaj çdo qëndrimi tjetër, si ndër qeveritarët, ashtu edhe ndër popujt e përfshirë. Por për të fokusuar më mirë qëndrimin e Selisë së Shenjtë duhet të bëjmë disa hapa mbrapa.
Para së gjithash, duhet të kujtojmë sa herë Selia e Shenjtë ka ndërhyrë gjatë krizës së vitit 1999, si në nivelin diplomatik, ashtu edhe në atë humanitar, për të vënë në dukje parimet që duhet të frymëzojnë marrëdhëniet ndërmjet popujve e për të promovuar ndihmën ndaj të shpërngulurve dhe refugjatëve sipas mjeteve ndërkombëtare në fuqi.
Më pas, Selia e Shenjtë është impenjuar aktivisht për stabilitetin dhe paqen në rajon, duke mbështetur atë qëndrim që kishte për qëllim shmangien e zgjidhjeve të imponuara e favorizimin e negociatave të drejtpërdrejta ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për të arritur në një zgjidhje realiste dhe të respektueshme të aspiratave të palëve të ndryshme. Gjatë bisedimeve të dy viteve të fundit, u morën në konsideratë me kënaqësi marrëveshjet e arritura në çështje të ndryshme teknike, duke vazhduar, nga ana tjetër, të urohet që vullneti dhe elasticiteti politik të arrinin gjetjen e një zgjidhjeje konsensuale përfundimtare për statusin juridik të Kosovës.
Deklarata e njëanshme e pavarësisë kosovare – që mbështetet mbi bazën e rekomandimeve të planit të ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari – krijon një situatë të re, që natyrisht do të ndiqet me vëmendje të madhe nga Selia e Shenjtë, së cilës do t’i duhet të vlerësojë edhe kërkesat e mundshme që mund t’i vijnë lidhur me të.
Por në këtë moment, Selia e Shenjtë ndjen para së gjithash përgjegjësinë e misionit të saj moral dhe shpirtëror, që ka të bëjë edhe me paqen e me rregullin në marrëdhëniet ndërmjet kombeve, prandaj i fton të gjithë, në veçanti përgjegjësit politikë të Serbisë dhe Kosovës, të jenë të kujdesshëm dhe të moderuar, si edhe kërkon një impenjim të vendosur e konkret për të mos lejuar reagime ekstremiste dhe pasoja të dhunshme, në mënyrë që të krijohen që tani premisat për një të ardhme në respekt, pajtim e bashkëpunim.
Përveç kësaj, duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë mbrojtjes së demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, e edhe në Kosovë duhet të zbatohen standartet ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të pakicave e të të gjithë banorëve, pa dallim etnie, feje, gjuhe apo kombësie, po ashtu duhet të vigjëlohet mbi mbrojtjen e pasurisë së çmueshme artistiko-kulturore të krishterë. Qëndrueshmëria e rajonit duhet nxitur me çdo mënyrë, e për këtë shpresojmë edhe në kontributin e rëndësishëm të Bashkësisë ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Ati i Shenjtë Papë vazhdon të shohë me dashuri popullsitë e Serbisë dhe të Kosovës, është pranë tyre dhe u siguron lutjet e tij në këtë moment kyç të historisë së tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.