2013-02-16 18:29:31

Atë Lombardi: Papa nuk ushtroi ndonjë pushtet, por kreu një mision


Për ata, që e njihnin mirë, ishte mëse e qartë se po “kryente misionin e besuar, e nuk po ushtronte ndonjë pushtet”. Në editorialin e sotëm për Radio Vatikanin, drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi përdor këto fjalë për të komentuar dorëheqjen e Benediktit XVI nga shërbimi papnor. Me Atin e Shenjtë, shkruan atë Lombardi, do të mbetet “bashkimi i fuqishëm, në një liri absolute”:
“Deklarata e dorëheqjes prej papnisë nga ana e Benediktit XVI, të hënën e kaluar, tronditi botën, kaq e papritur ishte e sidomos kaq e pazakontë, brenda e jashtë Kishës e Vatikanit. Të gjithë u prekëm thellë e akoma po përpiqemi të kuptojmë pasojat e domethënien e saj.
Por, për të qenë të sinqertë, është një vendim, që çuditi më tepër ata, që nuk e njihnin, se sa ata, që e njihinin mirë dhe e ndiqnin me vëmendje. Pati folur qartë për këtë mundësi në kohë jo të dyshimta, në librin-intervistë “Drita e botës”; ishte gjithnjë i kujdeshëm kur fliste për impenjimet e ardhshme të papnisë së tij; ishte absolutisht e qartë se po kryente misionin e besuar e, nuk po ushtronte ndonjë pushtet. Me të vërtetë, nuk ishte përvuajtëri e rreme ajo, me të cilën, në fillim të papnisë, e quajti veten “punëtor i përvuajtur në vreshtën e Zotit”, gjithnjë i kujdesshëm për t’i përdorur me urti forcat e tij fizike jo dhe aq të mëdha, në mënyrë që ta kryente sa më mirë detyrën e jashtëzakonshme, që iu besua papritur, në një moshë mjaft të shtyrë.
Urti e admirueshme njerëzore dhe kristiane e atij, që jeton para Zotit në fe, në lirinë e shpirtit, që njeh përgjegjësitë dhe forcat e veta dhe, tregon me dorëheqjen e tij perspektivën e impenjimit e të shpresës së re. Një akt i madhërishëm qeverisjeje të Kishës, jo aq, siç mendon ndokush, sepse Papa Benedikti XVI nuk kishte më forca për të udhëhequr Kurien Romake, por, sepse të përballosh sot problemet e mëdha të Kishës e të botës, për të cilat Papa është mëse i vetëdijshëm, kërkon forcë të madhe e një hark kohor qeverisjeje në përkim me veprimtari baritore me frymëmarrje të gjerë e jo afatshkurtër.
Benedikti XVI nuk po na braktis në kohë vështirësie, por me fe, e fton Kishën t’i besojë Shpirtit Shenjt e Pasardhësit të ri të Shën Pjetrit. Këto ditë tha se e ndjeu gati fizikisht intensitetin e lutjes dhe të dashurisë, që e shoqëron. Ne, nga ana jonë, do të ndjejmë sigurisht, intensitetin e veçantë të lutjes e të dashurisë së tij për Pasardhësin e për ne. Ndoshta, këto marrëdhënie shpirtërore do të jenë edhe më të thella e më të fuqishme se më parë. Bashkim, i kuptuar në liri absolute”.








All the contents on this site are copyrighted ©.