2013-02-15 16:17:15

Islami në Itali: habia e madhe, por edhe respekti i madh për vendimin e Papës


Lajmi për dorëheqjen e Benediktit XVI vijon të jehojë në mbarë botën, duke i prekur thellë njerëzit, besimtarë e jo besimtarë. Posaçërisht të prekur, besimtarët e feve të mëdha monoteiste, që e ndjejnë veten shumë pranë jetës së Kishës Katolike, në një çast kaq të veçantë. Regjistruam, për programin tonë, komentet e dy përfaqësuesve të Islamit në Itali. Të dëgjojmë, së pari, komentin e doktor Abdellah Redouane, sekretar i përgjithshëm i Qendrës islamiko-kulturore të Italisë, që përfshin edhe Xhaminë e Romës:

Përgjigje: - Reagimi im i parë ishte mosbesimi. Por mbasi lajmi u konfirmua, mosbesimi ia lëshoi vendin çudisë. Dëshiroj të shfrytëzoj rastin, në emër të Qendrës islamiko-kulturore të Italisë, për t’i shprehur Papës urimet tona më të përzemërta, e si besimtarë, i lutemi Zotit ta ndihmojë në këtë çast, pas një vendimi kaq të vështirë, duke kujtuar, gjithnjë si besimtarë, se mëshira e Zoti është e pambaruar.

Pyetje: - Keni pasur rastin ta njihni personalisht Benediktin XVI?

Përgjigje: - E kam takuar tri herë, në rrethana të ndryshme. Ajo, që më prek më shumë në këtë vendim, është mbi të gjitha përmasa e humanitetit dhe e përvujtërisë, që vijnë nga Pasardhësi i Shën Pjetrit. Diçka e jashtëzakonshme, mesazh tejet i rëndësishëm.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për dialogun me Islamin gjatë kësaj papnie?

Përgjigje: - Marrëdhëniet me Islamin, siç e dimë të gjithë, kanë hasur në disa vështirësi, por nuk më duket e arsyeshme të flasim për këtë, pikërisht në këtë rast. Ajo që mund të bëjmë tani, është ta ndihmojmë Papën e t’i krijojmë një atmosferë të qetë në këto çaste, aspak të lehta për të e për Kishën.

Pyetje: - Papa ka folur shpesh lidhur me impenjimin e feve për paqen, duke dënuar të gjitha tipet e fondamentalizmit...

Përgjigje: - Ky është qëndrim, që duhet ta mbajnë të gjithë besimtarët, e edhe të gjithë burrat e gratë vullnetmira. Është rruga e drejtë. Ftesës së tij duhet t’i përgjigjen të gjithë, sepse nuk është e thënë se duhet vetëm të dialogojmë, duhet edhe të ecim e të shkojmë në të njëjtin drejtim, sepse jemi të gjithë në të njëjtën barkë, si familje njerëzore e si besimtarë.

Po vijojmë me komentin e dytë, atë të Izedin Elzirit, kryetar i Unionit të bashkësive islamike të Italisë:

Përgjigje: - E prita lajmin, si të gjithë, besoj, me habi. Nga njëra anë, ky është akt guximi, përgjegjësie të madhe e, nga ana tjetër, Papa duhet respektuar në zgjedhjen e kësaj rruge, që flet vetë për pëvujtërinë dhe humanitetin e tij të madh.

Pyetje: - Ç’mendoni për Papën e papninë e tij, posaçërisht në këndvështrimin e dialogut me Islamin?

Përgjigje: - Natyrisht në marrëdhëniet ndërmjet dy realiteteve kaq të ndryshme, në këtë rast botës islamike e botës katolike, si në çdo marrëdhënie, ka çaste ngritjeje e rënieje. Në këtë periudhë kemi pasur çaste të vështira, por nuk kanë munguar as çastet e besimit të madh. Më pëlqen të kujtoj kremtimin e Lutjes për paqe në Asizi, ku Papa deshi të na mblidhte përsëri së bashku, të gjithë besimtarët, për një lutje ndërfetare, që tashmë njihet prej të gjithëve si e ‘Asizit’.

Pyetje: - Ishte, pastaj, edhe shtegtimi në Turqi, ku Papa hyri në Xhaminë Blu të Stambollit, dhe u lutur së bashku me imamin dhe islamikët e pranishëm...

Përgjigje: - Edhe ky ishte çast tejet i rëndësishëm, në të cilin Papa dëshmoi se një i krishterë mund të hyjë në xhami e madje edhe mund të lutet, sipas mënyrës së tij, Besoj se nuk është nevoja të flasim për shembuj të tjerë të tillë pozitivë.

Pyetje: - Ju, keni pasur rast ta takoni personalisht Benediktin XVI?

Përgjigje: - Po, e disa herë. Njeri i përvuajtur, i urtë, i qetë, i thellë, që nuk shikon fasadën e sendeve, por shkon në thellësi e përpiqet ta kuptojë e ta inkurajojë punën që bëhet për dialogun ndërfetar.









All the contents on this site are copyrighted ©.