2013-02-14 14:27:52

Shën Çirili, murg e shën Metodi, ipeshkëv


Shën Çirili, murg dhe Shën Metodi, ipeshkëv -vëllezër, bashkëpajtorë të Evropës e Shën Valentini, ipeshkëv. Pra sot më 14 shkurt Kisha katolike përkujton festën e Shën Cirilit, murg dhe Shën Metodit, ipeshkëv – vëllezër, bashkëpajtorë të Evropës, Apostuj të Popujve sllavë.
Përkujtimi liturgjik i Shën Cirilit e Metodit, në këtë periudhë historike na ndihmon në përforcimin e lidhjes shpirtërore, përmes fesë e vlerave shpirtërore ndërmjet banorëve të Kontinentit të Vjetër dhe për të kërkuar mbrojtjen e tyre qiellore, që zgjerimi i Bashkësisë Evropiane të ndihmojë për të marrë frymë me të dyja mushkëritë.
Shën Cirili, murg dhe Shën Metodi ipeshkëv, më 31 dhjetor të vitit 1980 me Letrën Apostolike “Egregiae virtutis” u shpallen “Pajtorë të Evropës” nga Gjon Pali II së bashku me Shën Benediktin, të cilin më 24 tetor 1964 e pati shpallur “Pajtor i Evropës” Papa Pali VI me Letrën Apostolike “Pacis Nuntius”.
Cirili e Metodi vëllezër të një gjaku e të një feje, lindën në Thesalonia ( Selanikun e sotëm në Greqi) në fillim të shekullit IX-të. Me kulturë bizantine, hyjnë në marrëdhënie të ngushta me Kishën e Kostandinopojës, u bënë misionarë, së pari ndër Katarët e Krimesë e më vonë ndër popujt e Panonisë e të Moravisë së Madhe. Krijuan alfabetin sllavë dhe përkthyen në këtë gjuhë Shkrimin e Shenjtë ( Biblën) si dhe tekstet e liturgjisë latine, për t’ia hapur popujve të ri thesaret e Fjalës së Zotit e të Sakramenteve.
Për këtë mision apostolik, pësuan mundime e vuajtje të çdo natyre, por i përballuan të gjitha vështirësitë me besnikëri e dashuri të patundur duke predikuar Ungjillin e Krishtit e duke përhapur Mbretërinë e Zotit. Papa Adriani II e pranoi veprën e tyre duke miratuar gjuhën sllave për shërbime liturgjike. Me fjalë tjera, Papa Adriani II lejoi që gjuha e re sllave të përdorët në kremtime të Liturgjisë Hyjnore ndër popujt sllavë.
Shën Cirili vdiq në Romë më 14 shkurt të vitit 869, në moshën 42 vjeçare dhe është varrosur në Bazilikën e Shën Klementit gjithnjë në Romë. Shën Metodi, i shuguruar ipeshkëv i Sirmios ( Sremska Mirtovicës së sotme në Serbi) qe emëruar legat i Papës pranë Sllavëve, ndërsa vdiq në Velehrad ( Cekinë e sotme) më 6 prill 885.
Këtyre dy shenjtorëve të mëdhenj, misionarëve të palodhur që tërë jetën ia kushtuan përhapjes së Ungjillit ndër popujt sllavë, e që përpiluan dy alfabete për ta: çirilicen dhe gllagolicen, për ta bërë Fjalën e Zotit të kuptueshme nga popujt e përmendur, dhe për t’i mishëruar vlerat ungjillore në jetën e tyre, Papa Gjon Pali II më 2 qershor 1985 ua kushtoi njërën prej Enciklikave të tija : “Sllavorum Apostoli”. Po përfundojmë duke thënë se me të drejtë Shën Cirili e Shën Metodi konsiderohen Etër të krishterimit e të kulturës së popujve sllavë, urëlidhëse për bashkimin e plotë ndërmjet Kishave më të lashta me Kisha e reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.